BM: Formimi i punonjësve po shihet me interes nga sipërmarrjet. Çfarë vëreni tek drejtuesit apo menaxherët e kompanive private në lidhje me trajnimet?
E: Ka një interes në rritje të profesionistëve të rinj për formimin e vazhdueshëm, por këto mbeten më shumë investime individuale dhe më të pakta si politika dhe investime të bizneseve tek kapitali i tyre njerëzor. Ndonëse Shqipëria nuk është vendi që spikat për konkurrueshmëri të ndershme, vazhdon të jetë e fortë tradita jonë për të qenë të mirëshkolluar dhe përgatitur për sfidat e jetës. Kjo është diçka pozitive.
Mënyra efektive e drejtimit të biznesit, e rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë dhe përmbushjes së kërkesave të klientëve, janë çështjet më të prekshme dhe të kërkuara nga drejtuesit, menaxherët e punonjësit e kompanive. Programet tona afrojnë të reja nga studimet më të fundit të fushës që lidhen me modelet më efikase të lidershipit, me rritjen e besueshmërisë në sipërmarrje, format e shpërblimit, menaxhimit të njerëzve, proceset vendimmarrëse, komunikimin, strategjitë dhe marketingun, kulturën institucionale, menaxhimin e burimeve, kohës dhe prodhimit, parandalimit dhe menaxhimit të krizave.
BM: Çfarë vëreni nga trajnimet që zhvilloni?
E: Ne si shoqëri i vlerësojmë arritjet, rendim drejt suksesit, por i kushtojmë më pak rëndësi mënyrës se si e arrijmë performancën. Edhe vetë pjesëmarrësit e trajnimeve tona vënë re një dallim midis asaj që transmetohet në auditor dhe klimës në të cilën jetojnë. Duket se ekziston një dallim kulturor midis asaj se çfarë jemi dhe asaj që duam t’i bashkohemi.
Në trajnimet tona kemi pasur rastin të testojmë qëndrimet e pjesëmarrësve në situata imagjinare, të vihen në pozita titullarësh dhe të vendosnin për tenderimin e punëve publike. Në një situatë hipotetike, në tryezë do kishin dy oferta: e para që siguron cilësi të lartë punimesh/shërbimesh dhe e dyta që afron cilësi më të dobët, por që u jepte atyre si titullarë, nën dorë, edhe një milion euro shpërblim. Në rastin e parë do fitonte interesi publik dhe shteti, në të dytin firma e dobët dhe titullari i institucionit. Duke bërë një përmbledhje të opinioneve të qindra pjesëmarrësve, rreth gjysma zgjidhte interesin publik mbi pasurimin individual ndërsa gjysma tjetër anonte nga përfitimi personal në dëm të atij publik. Afro një nga dy të pyetur kishin kurajon të merrnin paratë dhe t’i japin tenderin atij që nuk ofron shërbimet më të mira, ndërsa po aq janë ata që nuk i tjetërsonte paraja. Por, raportet ndryshonin kur ndershmëria vihej në provë nga faktorë të tjerë. Pasi testohej ndershmëria jo vetëm në raport me pasurinë por edhe me ndërhyrjet miqësore, promovimet në karrierë apo/dhe presionin e eprorëve dhe grupeve të interesit, vetëm një në katër do qëndronin në krah të interesit publik përballë të gjitha formave të joshjes dhe frikësimit, ndërsa rreth tre në katër të pyetur do t’ia afronin tenderin apo punët publike atij që siguronte shërbimet më të dobëta duke nxjerrë ndonjë përfitim personal nga ky qëndrim.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 57 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.
Këto të dhëna flasin për mënyrën se si ne e shikojmë rendjen drejt parasë dhe raportet me sistemin e vlerave. Këtu diçka mbetet për t’u përmirësuar. Qëllimi dhe mjetet duhet të jenë të ndershme, të moralshme se ndryshe çdo arritje kompromentohet.
Herët a vonë një mendësi e gabuar cënon kulturën, produktin dhe vetë suksesin e një sipërmarrjeje. Janë të shumtë shembujt dhe dëshmitë e njerëzve të realizuar që demonstrojnë rolin e karakterit në formësimin e suksesit.
Një ndër ta është edhe rasti i John Huntsman-it, nga biznesmenët më të pasur multimiliarderë të Amerikës, që si në kohën kur punonte në administratën e Richard Nixon-it dhe më vonë në fushën e sipërmarrjes kurrë nuk shkeli për karrierë dhe pasuri, vlerat e përftuara nga familja që në fëmijëri.
Në librin e tij me titullin domethënës Winners Never Cheat: Even In Difficult Times, Huntsman-i sugjeronte se, “duhet harruar se kush arrin i pari dhe kush arrin i fundit. Njerëzit e mirë dhe të nderuar i mbyllin garat dhe jetët e tyre, me stil të madh dhe respekt”. Rruga drejt suksesit mund të jetë e gjatë, por shkurtimi i saj me veprime komprometuese mund të çojë dëm investimin e një jete.
BM: Në Shqipëri nuk mungojnë folësit publikë, por si jemi ne krahasuar me vende të tjera?
E: Nuk kam hasur studime të mirëfillta krahasuese, midis vendit tonë dhe vendeve të tjera, por kemi vënë re se shumica e pjesëmarrësve të trajnimeve tona janë deficitarë në këtë drejtim. Në fakt ky është një fenomen sa shqiptar dhe global. Janë të paktë mjeshtrit e oratorisë që magjepsin me artikulimin dhe ndërlidhjen emocionale të fjalës. Shumica e njerëzve nuk ndihen komod përpara audiencës.
Frika e të folurit në publik, konsiderohet nga një studim i publikuar tek ‘The Times’, si një ndër fobitë më të mëdha të të intervistuarve, që vjen fill pas frikës nga vdekja. Në Shqipëri kjo duket më e theksuar, se mundësitë për të folur përpara grupeve të mëdha apo të vogla njerëzish janë të kufizuara. Tek ne janë të kufizuara edhe garat ku mundësia e konkurimit iu jep njerëzve shansin të flasin publikisht rreth ideve të tyre.
Për ta tejkaluar këtë ndrojtje, njeriu duhet të trajnohet, të përgatitet, të kërkojë mundësitë për të dalë e folur përpara të tjerëve. Sa më shumë të ushtrohesh, aq më shumë do të jesh zot i vetes, i fjalës dhe i publikut. Për këtë duhet edhe një përgatitje, një qëllim i qartë se ku dëshiron ta drejtosh audiencën tënde.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 57 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.
Arti i të folurit në publik është diçka që kultivohet përgjatë gjithë jetës. Rregulli i famshëm i 10 mijë orëve të punës është i vlefshëm edhe këtu. Ish-presidenti amerikan Ronald Reagan konsiderohet si ‘Komunikuesi i Madh’, por kjo përsosmëri nuk kishte ardhur në mënyrë rastësore. Sikurse vë re edhe ish-këshilltari i tij David Gergen, Reagan-i kishte rreth 4 mijë orë dalje publike, nga aktoria, emisionet radiofonike e deri tek fjalimet në korporatën ku punonte. Ai ishte i mësuar me çdo audiencë para se t’i hynte politikës.
Në trajnimet tona ne ofrojmë një ekspertizë të specializuar të të gjitha etapave të përgatitjes së komunikimit publik, që nga përzgjedhja e çështjes deri tek mbajtja e fjalës. Theksi vihet tek përgatitja e hollësishme e çdo etape. Sikurse një mentor i kësaj fushe do shprehej – një minutë fjalim, kërkon dy orë punë. ‘Kurrë mos u ngri për të folur, nëse nuk e di më parë se çfarë ke për të thënë’, do thoshte Jack Valenti (ish-këshilltar për fjalimet i presidentit amerikan Lindon Johnson) në librin e tij Speak Up with Confidence. Shumë studime thonë se njohja e subjektit dhe përgatitja e detajuar e fjalës, ul ndjeshëm emocionet dhe rrit shanset për sukses.
BM: Çfarë do t’u sugjeronit atyre që duan të bëhen lider politikanë apo drejtues kompanish?
E: Nuk ka një recetë që të bën lider, por ka disa parime që janë evidentuar nga rrugëtimet e njerëzve të shquar. Historitë e tyre kanë treguar se performanca është fryt i ndjekjes me pasion të qëllimeve të jetës. Çdo i realizuar ka pasur një dëshirë të fortë për të bërë gjëra të mëdha, për të lënë një gjurmë në historinë e kësaj bote.
Vështirë të konsiderohesh një politikan apo drejtues kompanie pa një vizion dhe pa një motivim të hekurt për ta ndjekur deri në sukses. Kuptohet që suksesi nuk është realizimi i një egoje personale, por krijimi i një produkti që sjell dobi të lartë publike. Që të konsiderohesh një lider, ke nevojë për ndjekës dhe që të të ndjekin me zemër, duhet të tregosh se je i aftë të realizosh një të mirë publike, që ua bën më të mirë jetën njerëzve rreth teje.
Motivimi ngjizet tek historitë unike të jetës, forca gjendet tek qëllimet që i kemi vënë vetes. Disa flasin për një ëndërr, disa për një vizion, disa për një shkëndijë hyjnore, disa për synime jete e pune që në fakt janë një projeksion ndryshe i vetes dhe botës që na rrethon. Njeriu duhet të ketë intuitën për ta parë qartësisht destinacionin ku duhet të arrijë, një tablo imagjinare të asaj që do të realizojë dhe me mençuri të pozicionojë veten, të bindë të tjerët të ecin pandalur drejt asaj toke të ëndërruar por të parealizuar.
Për të përshkruar këtë rrugëtim të gjatë sfidash, rëniesh dhe ngritjesh, njeriu duhet t’i përkushtohet rritjes së vazhdueshme të vetvetes.
Për një njeri të suksesshëm si Ray Kroc (zhvilluesi i McDonald’s-it nga një restorant i vogël në Kaliforni, në korporatën më të suksesshme globale të fast food-ve)” asgjë në këtë botë nuk mund të zërë vendin e këmbënguljes”. Sipas tij, bota është e mbushur me njerëz të pasuksesshëm, të talentuar dhe të arsimuar, por forca qëndron tek këmbëngulja dhe vendosmëria. Në fakt këmbëngulja për të ecur në rrugën tënde, pavarësisht joshjes për të kaluar një jetë të qetë si një mekanizëm i vogël i një makinerie më të madhe, në fund do shpërblehet me frytet e një produkti jete.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 57 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.
Një komponent i fundit lidhet me integritetin. Asgjë të mirë nuk ka trashëguar kjo botë nga karaktere të deformuara. Realizimet e trukuara dhe ngjitjet komprometuese, dëmtojnë individin, shoqërinë dhe vetë modelin e suksesit. Sukseset e qenësishme me reputacion të mirë, rrisin besueshmërinë dhe krijojnë terrenin solid për t’u ngjitur në çdo lartësi.
Këto janë disa parime universale që gjenden në jetën e çdo lideri të shquar pavarësisht nëse funksionon në fushën e biznesit, politikës, medias, shoqërisë civile e kudo tjetër. Janë sugjerimet që burojnë nga historitë e liderëve të shquar si Gandhi, Luther King-u, Nënë Tereza apo Steve Jobs-i.
BM: Çfarë nënkuptojnë trajnimet e institutit tuaj. Kë kanë në fokus dhe aktualisht kush janë kategoritë që po shprehin interes?
E: Ne ofrojmë trajnime të ndryshme, ku fusha jonë e ekspertizës është thelluar me studime të konsoliduara në vende të zhvilluara. Një prej tyre është lidershipi – trajnim unik në llojin e tij në Shqipëri, që disa e ngatërrojnë me menaxhimin apo administrimin. Lidershipi bazohet tek frymëzimi, tek mobilizimi i njerëzve për të ecur me kurajë në rrugën drejt ndryshimit. Tek trajnimet e lidershipit pjesëmarrësit fitojnë aftësitë e nevojshme për të drejtuar në administratë shtetërore, në biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha, në forume rinore, organizata politike dhe jofitimprurëse, në arsim, në sistemin bankar, media, gjyqësor, legjislativ, në qeverisjen lokale dhe qendrore.
Trajnime të tjera fokusohen tek teknikat e avancuara të të folurit dhe komunikimit publik. Ka profesionistë të mirë që e kanë të vështirë të ekspozojnë në mënyrë koherente dhe bindëse idetë e tyre. Kësi programesh ndihmojnë në tejkalimin e frikës në të folurit para publikut.
Programe të tjera përqendrohen tek menaxhimi modern i burimeve njerëzore, për të realizuar qëllimet strategjike të bizneseve dhe organizatave, për të shfrytëzuar potencialet humane dhe përballur çdo sfidë. Trajnime të tilla fokusohen tek rekrutimi, motivimi dhe shpërblimi i punonjësve të aftë si dhe të ekipeve të suksesshme të punës.
BM: Çfarë përfaqëson Instituti i Lidershipit, prej sa kohësh operon dhe kush është misioni i tij?
E: Instituti i Lidershipit është një institucion i formimit të vazhdueshëm, kërkimit dhe këshillimit, me qendër në Tiranë. Misioni ynë është dhënia e një kontributi në formësimin e një gjenerate të re të udhëheqësve dhe profesionistëve shqiptarë sipas profilit, parimeve dhe vlerave të botës së zhvilluar. Ne synojmë të afrojmë një edukim cilësor, si një investim thelbësor për të realizuar Shqipërinë e konkurencës dhe ekselencës në çdo fushë.
Ne besojmë se lidershipi dhe profesionalizmi bëjnë diferencën, se me udhëheqës e profesionistë të zotë ndërtohen institucione, kompani dhe kombe të suksesshëm, sikurse me njerëz të pakultivuar kompromentohet çdo potencial zhvillimor.
Në këtë këndvështrim, formimi i vazhdueshëm, përgjatë gjithë jetës mbetet faktor kryesor për zhvillim individual dhe sukses kolektiv. Forca konkuruese e gjithkujt buron nga dijet, përvoja dhe aftësia për të afruar produkte cilësore në shoqëri. Në një botë dinamike të qeverisur nga idetë dhe largpamësia, furnizimi i mendjes me lëndë të parë dhe kultivimi i vazhdueshëm me risitë, mbetet vendimtar.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 57të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.