Në një botë pune që po ndryshon me ritme të shpejta, aftësitë teknike ose “të vështira” shpesh marrin vëmendjen kryesore. Megjithatë, studimet tregojnë se aftësitë e buta janë po aq, nëse jo më shumë, të rëndësishme për suksesin profesional. Sipas një kërkimi të përbashkët nga Universiteti i Harvardit, Fondacioni Carnegie dhe Qendra Kërkimore Stanford, aftësitë e buta përbëjnë rreth 85% të suksesit në vendin e punës, ndërsa aftësitë teknike vetëm 15%.
Çfarë janë aftësitë e buta?
Aftësitë e buta i referohen cilësive personale, zakoneve dhe aftësive sociale që mundësojnë individët të punojnë në harmoni me të tjerët, të komunikojnë në mënyrë efektive dhe të menaxhojnë veten dhe detyrat e tyre. Këto përfshijnë komunikimin, bashkëpunimin, menaxhimin e kohës, fleksibilitetin dhe inteligjencën emocionale.
Pse janë të rëndësishme aftësitë e buta?
Në tregun modern të punës, ku ndërveprimi me njerëzit është thelbësor, aftësitë e buta luajnë një rol kyç. Ato ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive me kolegët dhe klientët, parandalojnë keqkuptimet dhe konfliktet, dhe rrisin efikasitetin në punë. Për shembull, një komunikim efektiv mund të parandalojë keqkuptimet, ndërsa menaxhimi i mirë i kohës lejon përmbushjen e detyrave në afatet e caktuara.
Aftësitë e buta në tregun shqiptar të punës
Në kontekstin shqiptar, rëndësia e aftësive të buta është gjithnjë e më e dukshme. Ndërsa tregu i punës bëhet më konkurrues, punëdhënësit po vlerësojnë gjithnjë e më shumë kandidatët që, përveç aftësive teknike, demonstrojnë aftësi të buta të forta. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në sektorët e shërbimeve, ku ndërveprimi me klientët dhe kolegët është i përditshëm.
E pyetur për këtë, Fabiola Duro, eksperte e aftësive të buta dhe zhvillimit profesional u shpreh:
“Aftësitë e buta përfaqësojnë një ndër asetet më të vlefshme për suksesin profesional në epokën moderne të punës. Ato bëjnë diferencën midis një profesionisti të zakonshëm dhe një lideri të vërtetë. Komunikimi efektiv, bashkëpunimi, mendimi kritik dhe përshtatshmëria janë thelbësore për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme, për të menaxhuar ndryshimin dhe për të rritur performancën në çdo nivel të karrierës.
Nga përvoja ime shumëvjeçare në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional, kam vërejtur se nuk mjafton të jesh ekspert në aspektin teknik të një profesioni. Aftësitë e buta janë ato që mundësojnë të komunikosh me ndikim, të udhëheqësh me vizion dhe të frymëzosh të tjerët drejt rezultateve të përbashkëta. Shpesh, individët me kompetenca të theksuara teknike, por me mangësi në aftësitë ndërpersonale, përballen me barriera në zhvillimin e mëtejshëm të karrierës. Ndërkohë, ata që kanë kultivuar aftësitë e tyre të buta, kanë ditur jo vetëm të ecin përpara, por edhe të bëhen burim ndikimi dhe lidershipi në ambientin e tyre profesional.
Është inkurajuese të shohim se edhe kompanitë shqiptare po e njohin gjithnjë e më shumë rëndësinë e këtyre aftësive dhe po investojnë në zhvillimin e tyre si pjesë e strategjive të tyre afatgjata. Në një treg pune gjithnjë e më dinamik, aftësitë e buta nuk janë më një vlerë e shtuar – ato janë një domosdoshmëri.
Investimi në to është një zgjedhje strategjike për këdo që synon të ndërtojë një karrierë të qëndrueshme dhe me ndikim.”
Ndërsa aftësitë teknike mbeten të rëndësishme, aftësitë e buta janë ato që shpesh bëjnë diferencën në suksesin profesional. Investimi në zhvillimin e tyre është një hap i mençur për këdo që dëshiron të avancojë në karrierë dhe të kontribuojë në mënyrë efektive në vendin e punës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.