Remitancat kanë qenë prej vitesh një nga shtyllat më të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, por viti 2025 e konfirmoi këtë rol me një intensitet edhe më të madh. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në nëntë muajt e parë të vitit remitancat arritën në mbi 817 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë. Kjo rritje nuk është vetëm statistikore; ajo reflekton një dinamikë të re të emigracionit dhe një lidhje gjithnjë e më aktive financiare mes diasporës dhe familjeve në Shqipëri.
Një element kyç që po ushqen këtë trend është emigracioni i ri. Valët e emigrimit të nisura pas vitit 2015 kanë sjellë gjenerata të reja kontribuesish financiarë, të cilët po mbështesin fort familjet e tyre në vend. Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm gjatë viteve 2022–2023 janë dhënë rreth 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian. Nëse e shohim panoramën në afat më të gjatë, nga viti 2008 e deri më sot, rreth 920 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në vendet e BE-së — një bazë e gjerë dhe afatgjatë potenciali për remitanca të qëndrueshme.
Tregu konfirmon gjithashtu se, ndërsa Greqia dhe Italia vijojnë të mbeten burimet tradicionale të remitancave për Shqipërinë, vitet e fundit po vihet re një rritje e qartë e prurjeve nga Anglia dhe Gjermania. Ky zhvillim pasqyron orientimin e emigracionit të ri drejt vendeve me paga më të larta dhe stabilitet më të madh ekonomik, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës mesatare të dërgesave.
Në këtë kontekst, shifrat e 2025 nuk janë thjesht një pasqyrë e së shkuarës, por një sinjal për mënyrën se si po transformohet tregu i remitancave. Banka e Shqipërisë i regjistron këto flukse në llogarinë korrente të bilancit të pagesave, sipas standardeve të FMN-së (BPM6), duke kombinuar transfertat përmes bankave dhe institucioneve financiare, operatorët e dërgesave ndërkombëtare, vlerësimet e prurjeve informale si dhe anketat e familjeve përfituese. Ky kombinim synon të kapë sa më saktë flukset reale të parave që hyjnë në vend — flukse që vijojnë të mbeten një shtyllë thelbësore e konsumit dhe stabilitetit ekonomik.
Lexo edhe: Çfarë mësuam nga klientët e EasyPay? Ata që ndryshuan mënyrën e të paguarit në Shqipëri
Për aktorët që operojnë prej vitesh në këtë treg, këto zhvillime janë të njohura nga afër. EasyPay dhe Ria Money Transfer, të pranishëm në tregun shqiptar të remitancave prej thuajse 10 vitesh, kanë ndërtuar një profil të audiencave, të cikleve sezonale dhe të ndryshimeve në sjelljen e dërguesve dhe përfituesve. Përvoja ka treguar se remitancat nuk janë më një fluks homogjen: ato ndryshojnë sipas brezit të emigrantëve, vendit nga dërgohen, qëllimit të transfertës dhe periudhat e vitit!
Kjo është arsyeja pse të dhënat e 2025 kanë një vlerë strategjike për vitin që sapo ka nisur. Janari, tradicionalisht muaji më i qetë i vitit për nga dinamika e tregut, krijon hapësirën e nevojshme për reflektim dhe analizë. Është periudha kur EasyPay analizon me qetësi se si u mbyll viti i kaluar në të gjitha kanalet e biznesit, nga remitancat dhe pagesat, te performanca e kanaleve dixhitale dhe efektiviteti i komunikimit me klientët. Ky proces jo vetëm ndihmon në nxjerrjen e “lessons learned”, por krijon edhe frymëzimin e nevojshëm për të ndërtuar strategjitë e duhura për vitin në vijim.
Në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe me audienca përherë e më të informuara, suksesi në 2026 do të varet nga aftësia për të kthyer këto “insights” në fushata marketingu dhe komunikimi më të targetuara, më të strukturuara dhe më të vlefshme.
Dhe pikërisht ky lexim i thelluar i 2025 i bazuar në shifra, përvojë tregu dhe analizë strategjike, është baza mbi të cilën po ndërtojmë vendimet e 2026. Sepse remitancat nuk janë thjesht para që lëvizin nga një vend në tjetrin: ato janë tregues të besimit, lidhjes ekonomike dhe ritmit real të jetës financiare në Shqipëri!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.