Rekorde të reja për Nvidia, a po nis faza e dytë e revolucionit të AI? - Business Magazine Albania

Rekorde të reja për Nvidia, a po nis faza e dytë e revolucionit të AI?

Tregjet globale të aksioneve u rritën pasi Nvidia publikoi rezultatet e tremujorit të tretë, duke mposhtur pritshmëritë e Wall Street dhe duke zbutur, të paktën për momentin, shqetësimet mbi faktin nëse vlerësimet rekord të kompanive të inteligjencës artificiale mund të kishin arritur kulmin.

Të mërkurën, vëmendja e botës financiare ishte te Nvidia, kompani referencë për industrinë e AI-së dhe aktualisht kompania më e vlefshme e listuar publikisht në botë. Analistët dhe investitorët prisnin që rezultatet e reja financiare të zbusnin frikën se sektori po hynte në një flluskë të rrezikshme. Jensen Huang, themelues dhe CEO i Nvidia-s, e hapi thirrjen me investitorët me një mesazh të qartë: transformimi i madh që po ndodh në AI nuk është një flluskë, dhe Nvidia qëndron në themel të këtij ndryshimi. “Është folur shumë për një flluskë të AI-së,” tha Huang. “Nga këndvështrimi ynë, shohim diçka krejt tjetër. Nvidia nuk është një akselerator si gjithë të tjerët. Ne shkëlqejmë në çdo fazë të AI-së – nga pre-training, te post-training dhe deri te inference.”

Rezultate që tejkaluan pritshmëritë në çdo drejtim

Kompania raportoi $1.30 fitim për aksion dhe $57.01 miliardë të ardhura, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve për $54.9 miliardë. Të ardhurat u rritën me 62% krahasuar me një vit më parë. Departamenti i qendrave të të dhënave – zemra e biznesit të AI-së – arriti $51.2 miliardë, më shumë se pritshmëria prej $49 miliardë. Nvidia parashikon të ardhura prej $65 miliardë për tremujorin e ardhshëm, ndjeshëm më shumë se vlerësimi i analistëve prej $61 miliardë.

Lexo edhe:Automatizimi i regjistrimit të faturave përmes Inteligjencës Artificiale

Tre transformime të mëdha sipas Huang

Gjatë thirrjes, Huang tha se industria po përjeton tre zhvendosje masive:

  1. Kalimi nga kompjutimi i përgjithshëm te kompjutimi i përshpejtuar

  2. Kalimi drejt inteligjencës artificiale gjenerative

  3. Shfaqja e AI-së fizike dhe “agjentike” – robotë, automjete autonome etj.

“Të gjitha këto dinamika do të kontribuojnë në ndërtimin e pasurisë së infrastrukturës së së ardhmes,” tha ai. “Dhe Nvidia i mundëson të treja.” Kërkesa për çipet e kompanisë vijon të rritet me ritme të paprecedenta. “AI po shkon kudo, po bën gjithçka, njëkohësisht,” tha Huang.

Analistët: AI nuk ka arritur aspak kulmin

Thomas Monteiro, analist i Investing.com, deklaroi: “Kjo u përgjigjet shumë pyetjeve rreth gjendjes së revolucionit të AI-së, dhe përgjigjja është e qartë: nuk jemi askund pranë kulmit.” Sipas tij, edhe pse disa kompani shqetësohen për rritjen e shpenzimeve kapitale, Nvidia po provon se zgjerimi i qendrave të të dhënave nuk është opsion – por nevojë themelore për çdo biznes teknologjik. Edhe David Meier nga Motley Fool shtoi se, megjithëse pritej që Nvidia të tejkalonte pritshmëritë, ajo çfarë kishte më shumë rëndësi ishte komentimi i drejtuesve për ecurinë e tregut global të AI-së.

Shitjet nga investitorë të mëdhenj rritën frikën e flluskës

Aksionet e Nvidia-s ranë 7.9% në nëntor, pasi investitorë madhorë shiten pjesën e tyre:

  • Fondi i Peter Thiel shiti të gjithë portofolin e Nvidia-s, me vlerë rreth $100 milionë.

  • Softbank shiti pjesën e saj prej $5.8 miliardë, duke nxitur edhe më shumë shqetësime për një flluskë të mundshme.

Megjithatë, pas rezultateve, aksionet e Nvidia u rritën mbi 5% në tregun pas-mbylljes, ndërsa tregjet aziatike u rritën ndjeshëm të enjten.

“Në akrobaci mes euforisë dhe realitetit”

Stephen Innes nga SPI Asset Management tha: “Parashikimet e fundit të Nvidia-s, për momentin, kanë shuar frikën më të madhe të tregjeve. Por të mos gabojmë – tregu ende qëndron mbi një tel të tendosur mes euforisë së AI-së dhe realitetit të mbushur me borxhe.” Analisti i Forrester, Alvin Nguyen, ishte më i rezervuar: “Nuk besoj se rritja e Nvidia-s mund të jetë e qëndrueshme në afatgjatë. Kërkesa për AI është e paprecedentë, por nëse tregu normalizohet ose ritmi i inovacionit ngadalësohet, rritja e vlerës së aksioneve të Nvidia-s do të ngadalësohet gjithashtu.”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0