Refuzimi që zemëroi Zuckerberg-un, si nisi “sulmi” ndaj Mira Muratit - Business Magazine Albania

Refuzimi që zemëroi Zuckerberg-un, si nisi “sulmi” ndaj Mira Muratit

Drejtori Ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, thuhet se ka bërë një përpjekje për të blerë startup-in e Mira Muratit, Thinking Machines Lab, përmes një oferte marramendëse prej 1 miliardë dollarësh. Por pasi Murati refuzoi, Zuckerberg, sipas raportimeve nisi një fushatë të gjerë rekrutimi që synonte të gjithë ekipin e saj, përfshirë bashkëthemeluesin Andrew Tulloch, duke ofruar një paketë pagese që mund të arrinte deri në 1.5 miliardë dollarë.

Sipas gazetës Wall Street Journal (WSJ), Zuckerberg i është drejtuar më shumë se një të katërtës së stafit të Thinking Machines Lab, që përbëhet nga rreth 50 punonjës, në një përpjekje të hapur për t’i joshur që të braktisin kompaninë e Muratit dhe t’i bashkohen Metës. Një nga objektivat kryesorë të kësaj fushate ishte pikërisht Andrew Tulloch, një prej studiuesve kryesorë dhe bashkëthemelues i startup-it.

Sipas një raporti të kohëve të fundit nga Wired, Thinking Machines Lab refuzoi një ofertë mbresëlënëse nga Meta për t’u bashkuar me laboratorin e saj të superinteligjencës. Paketat e kompensimit për punonjësit varionin nga 200 milionë deri në 1 miliard dollarë, të shpërndara përgjatë disa viteve,me qëllimin për të tërhequr emrat më të shquar të kërkimit në inteligjencën artificiale nga kompania e Muratit.

Kur Mark Zuckerberg i ofroi Andrew Tulloch 1.5 miliardë dollarë
Për të joshur Tulloch, Zuckerberg ofroi një paketë financiare që mund të arrinte në 1.5 miliardë dollarë për një periudhë gjashtëvjeçare, në varësi të bonuseve dhe performancës së aksioneve të Meta-s. Edhe pse shuma ishte joshëse, Tulloch zgjodhi ta refuzojë ofertën. Sipas profilit të tij në LinkedIn, Tulloch ka punuar në Meta nga viti 2012 deri në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, ai ndihmoi në ndërtimin e sistemeve të mësimit të makinerive dhe kontribuoi në zhvillimin e PyTorch, një mjet që është bërë thelbësor për kërkimin dhe zhvillimin në fushën e AI-së. Kontributi i tij pati një ndikim të madh në infrastrukturën e inteligjencës artificiale të Meta-s.

Lexo edhe: AMA dhe platforma “X” e Elon Musk bashkohen kundër urrejtjes online

Meta prej kohësh është përpjekur të rekrutojë talente nga OpenAI dhe startup-e të krijuara nga ish-punonjësit e saj, si Thinking Machines i Muratit dhe Anthropic i Dario Amodei-t. Sipas raportimeve, Meta i është drejtuar më shumë se 100 punonjësve të OpenAI dhe ka arritur të punësojë të paktën 10 prej tyre.

Lidershipi i Mira Muratit dhe përpjekja për një AI etike

Pas largimit nga OpenAI në shtator 2024, Murati themeloi kompaninë Thinking Machines, ku ka ndërtuar një strukturë organizative horizontale, ku edhe mjeshtrat më të lartë të kompanisë mbajnë titullin e thjeshtë “anëtarë të stafit teknik”, një filozofi që synon të theksojë bashkëpunimin mbi hierarkinë.

Që në muajt e parë të krijimit të kompanisë, mbi 20 ish-kolegë të saj nga OpenAI iu bashkuan, mes tyre edhe bashkëthemeluesi John Schulman, një prej arkitektëve kryesorë të ChatGPT, i cili më herët kishte punuar në Anthropic. Një pjesë e madhe e studiuesve vijnë nga grupi që në OpenAI kishte marrë përsipër “pas-trajnimin” e modeleve të AI-së; procesi që i mësonte këto sisteme të komunikonin në mënyrë të natyrshme me njerëzit.

Megjithëse misioni i plotë i Thinking Machines mbetet ende i paqartë, madje edhe për disa nga investitorët që së fundmi injektuan 2 miliardë dollarë në kompani, Murati ka deklaruar se po ndërton një AI multimodale që do të ndërveprojë natyrshëm me botën reale. Produkti i parë pritet të lançohet në muajt në vijim.

Zyrat e kompanisë ndodhen në një rrugë të qetë të lagjes ”Mission” në San Francisko, vetëm disa blloqe larg zyrave të OpenAI, një vendndodhje që simbolikisht ruan lidhjen, por edhe konkurrencën mes të kaluarës dhe së ardhmes së AI-së.

Përpara themelimit të kompanisë së saj, Murati pati një rol qendror në zhvillimin e teknologjive më të rëndësishme të OpenAI, përfshirë ChatGPT, DALL·E dhe Codex. Ajo nuk u shqua vetëm për ekspertizën teknike, por edhe për vizionin strategjik: nën drejtimin e saj, OpenAI filloi të trajtojë më seriozisht çështjet e etikës, sigurisë dhe ndikimeve shoqërore të inteligjencës artificiale.

Murati shpesh përshkruhet nga kolegët si “truri” pas projekteve më ambicioze të kompanisë, e vlerësuar për vendosmërinë e heshtur, qartësinë në vendimmarrje dhe përkushtimin ndaj një AI-je që i shërben njerëzimit. Ajo bashkoi precizionin teknik me një qasje thellësisht humane, një kombinim që hapi rrugën drejt sipërmarrjes së saj.

Në janar 2025, ajo ishte ndër folëset kryesore në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku theksoi:
“Inteligjenca artificiale pa vlera është inteligjencë pa ndërgjegje.” Deklarata e saj ndezi një debat ndërkombëtar mbi etikën e IA-së dhe forcoi pozicionin e saj si një zë udhëheqës në këtë fushë.

Lidershipi i saj është njohur në nivel global. Ajo është përfshirë në listën e 100 personave më me ndikim në AI për vitin 2024 sipas revistës Time, si dhe në listën e 100 grave më të fuqishme në biznes për vitin 2023 nga Fortune. Me rritjen e shpejtë të Thinking Machines dhe refuzimin e ofertave shumëmiliardëshe nga kompani si Meta, Murati ka treguar se nuk është vetëm një inxhiniere brilante, por një nga figurat kyçe që po përcakton të ardhmen e inteligjencës artificiale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0