Raporti mjekësor i punonjësit do të zgjasi deri në 6 muaj - Business Magazine Albania

Raporti mjekësor i punonjësit do të zgjasi deri në 6 muaj


Deri në gjashtë muaj është afati i përcaktuar për mbulimin e pagesave të raporteve mjekësore që lëshohen në rastet e paaftësisë së shkaktuar nga sëmundje të ndryshme. Sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin e sigurimeve shoqërore bëhet me dije, se në dy javët e para kjo pagesë e raportit mbulohet nga subjekti ku personi është i punësuar, ndërsa pagesat e periudhës së mbetur do të mbulohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Këto përfitime do të jenë të vlefshme vetëm kur komisionet mjekoligjore do të konfirmojnë nëpërmjet raportit përkatës paaftësinë nga sëmundjet që mund të ketë punonjësi. “Pagesë për paaftësi nga sëmundjet përfitojnë vetëm të punësuarit, ku 14-ditëshi i parë paguhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi.

Ndërsa mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjeko-Ligjor pagesat do të kryhen nga organet e sigurimeve shoqërore. Megjithatë, në çdo rast llogaritjet do të bëhen nga subjekti punëdhënës. Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14 ditësh”, sqarohet në udhëzuesin e ligjit të sigurimeve shoqërore.

Llogaritja e masës së pagesave

Llogaritja e masës së pagesës së raporteve mjekësore do të përcaktohet nga mesatarja ditore e bazës së vlerësuar të vitit konkret në të cilin punonjësi kërkon marrjen e kësaj pagese, ndërkohë që varet edhe nga vjetërsia kontributeve.

Kështu, vlerësohet se masa e përfitimit do të jetë sa 70 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka deri në 10 vjet periudha sigurimi.

Ndërsa në rastet kur punonjësi ka të evidentuara në librezën e punës më shumë se sa 10 vite, si vjetërsi kontributesh, masa e këtyre pagesave për raportet do të jetë sa 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik kur paraqitet kërkesa e përfitimit.

Dokumentacioni i kërkuar për përfitimet financiare të raporteve

Për të siguruar këtë pagesë nga raportet mjekësore, çdo person duhet që të depozitojë pranë subjektit ku punon një dosje dokumentesh, në bazë të cilës do të bëhet i mundur edhe ligjërimi i kësaj pagese. Konkretisht, i punësuari duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon këto dokumente: “Raportet mjekësore, librezën e punës, formularin e bazës së vlerësuar të vitit paraardhës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit).

Sektori i financës së subjektit punëdhënës, mbështetur në dokumentet e dorëzuara duhet që të plotësojë formularin tip-listëpagesën e përfitimeve afatshkurtra, të cilën më pas duhet ta dërgojë pranë organeve të agjencisë rajonale të sigurimeve shoqërore që mbulon zonën ku ndodhet ky subjekt.

Ndërkohë që agjencia kryen verifikimet përkatëse në lidhje me vlefshmërinë e dokumenteve të paraqitura në dosjen e secilit aplikues aprovon, ose jo ndarjen e pagesës së raporteve mjekësore për paaftësi nga sëmundjet. Në rastet kur dokumentet janë të rregullta, agjencia rajonale e sigurimeve shoqërore i kalon pagesat në llogarinë personale të përfituesit, ose në llogarinë e subjektit.

E ardhura për paaftësi të përkohshme

E ardhura për paaftësi të përkohshme, si pasojë e një aksidenti në punë, ose sëmundjeje profesionale, e provuar nga një komision mjekësh ekspertë kompetentë (KML), do të jetë e barabartë me 100 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës.

Ndryshe nga sa ndodh me pagesat e raporteve, në ligjin e ndryshuar të sigurimeve shoqërore bëhet me dije se e ardhura për paaftësi të përkohshme, lëshohet për një periudhë përfitimi deri në 12 muaj”.
Të ardhurat për aksidentet dhe sëmundjet profesionale në punë

Punonjësi I siguruar që për shkak të aksidentit në punë, ose sëmundjes profesionale humbet aftësinë për punë ka të drejtë që të aplikojë për përfitimin e të ardhurave të caktuara nga organet e sigurimeve shoqërore.

Sipas autoriteteve të ISSH-së, ky punonjës ka të drejtë: “Të sigurojë të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale, të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale, të ardhura për invaliditet të pjesshëm dhe të përhershëm të shkaktuar nga aksidenti apo sëmundja profesionale, si dhe të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël”.

Masa e përfitimit ligjërohet në rast të vlefshmërisë së raportit të lëshuar nga spitali, apo komisioni mjeko ligjor. Përfitimi i këtyre të ardhurave lejohet deri në 12 muaj. Ndërsa masa e përfitimit do të jetë sa 100 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të tri viteve të fundit kalendarike.

Kjo masë do mbetet e tillë deri në përfundim të muajit të dymbëdhjetë. Dokumentet që duhet të dorëzohen për këto të ardhura, janë të njëjta me ato të listuara në rastet pagesave për raportet mjekësore të paaftësisë nga sëmundjet që mund të ketë punonjësi i siguruar deri në 10 vite, apo edhe mbi këtë periudhë.

Kriteret mjekësore për caktimin e aftësisë në punë të invalidëve:
Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e sigurimeve shoqërore, invaliditeti klasifikohet në tri grupe si në vijim.

Grupi i parë përfshin individët me invaliditet të pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it.

Në grupin e dytë janë pagesat për invaliditet të plotë, në rastet kur personi ka humbur tërësisht aftësinë për të kryer çdo lloj pune të mundshme. Ndërsa në grupin e tretë janë invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Tre rastet e përfitimeve të pagesave të invaliditetit

Sipas përcaktimeve të bëra nga organet e sigurimeve shoqërore mbi kushtet e përfitimit të këtyre pagesave të invaliditetit, duhet që periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti të jetë sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror.

Ndërsa personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Gjithashtu pohohet se personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.

/GazetaDita.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0