Raport i errët për Shqipërinë, e para në rajon për korrupsion! - Business Magazine Albania

Raport i errët për Shqipërinë, e para në rajon për korrupsion!


Transparency International (TI) publikon analizën mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri, ku konstatohet se kultura e pandëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsion i shfrenuar janë çështjet që duhen trajtuar urgjentisht.

Sipas Zërit të Amerikës, ky është një raport gjithpërfshirës, i pari i këtij lloji i organizatës Transparency International për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, funksionimin e institucioneve kryesore të saj dhe rolin e tyre për të luftuar kundër korrupsionit, dhe që nxjerr në pah të meta serioze në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.

Raporti “Themelet e Sistemit Kombëtar të Integritetit” analizon 4 sektorë kryesorë: politiko-institucionalë, social-politikë, social-ekonomikë dhe social-kulturorë. Sipas tij, “të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit.”

Raporti përmban kritika të ashpra për punën e gjyqtarëve, për mungesë të theksuar profesionalizmi. Sipas tij “Gjyqtarët jo vetëm që kanë treguar nivele të ulëta të të kuptuarit të disa prej nocioneve kyçe të korrupsionit, si për shembull përfitimet, influencimi apo qëllimi, por as që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të kërkuar më shumë prova në raste kur kjo ka qenë e nevojshme. Asnjë zyrtar i lartë nuk është shpallur fajtor për korrupsion”, citohet raporti.

Duke iu referuar një studimi tjetër për Shqipërinë, Indeksit “Bertelsmann” të Transformimit, raporti thekson se “në krahasim me vendet e tjera paskomuniste transformimi i Shqipërisë ka mbetur më pas. Një prej shqetësimeve kryesore të viteve të fundit është pafuqishmëria e shtetit për t’u bërë ballë interesave private dhe atyre të biznesit që ndikojnë në vendimet politike”.

Raporti thekson se “kultura e mosndëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni i shfrenuar janë çështje që duhen trajtuar në mënyrë urgjente”. Sipas raportit, “korrupsioni politik është i dukshëm në rastet e financimit të partive, keqpërdorimit të burimeve publike për fushatë zgjedhore ose në rastet e blerjes së votës të raportuar në media”.

Analiza vlerëson se korrupsioni ka lidhje të drejtëpërdrejtë edhe me lulëzimin e krimit të organizuar. “Një vlerësim i vitit 2015 për krimin e organizuar në Shqipëri e vendos nivelin e lartë të korrupsionit në polici dhe institucionet e zbatimit të ligjit si një nga arsyet kryesore që e lejon krimin të lulëzojë”

Burimi: lajmifundit.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0