Kryeministri Edi Rama deklaroi se të gjitha familjet e prekura nga zjarret do të kompensohen plotësisht, përfshirë humbjet e bagëtive. Ai njoftoi se 207 banesa janë dëmtuar, 40 prej tyre janë shkatërruar plotësisht, dhe po bëhet inventarizimi sipas protokollit. Për 40 familjet që i kanë humbur shtëpitë plotësisht, Rama tha se do të kenë shtëpi të reja.
”Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur banesat plotësisht, qoftë ato të cilat kanë pësuar dëmtime në shtëpitë e tyre nga zjarri, se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe padiskutim se siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë”, u shpreh Rama.
Lexo edhe: Mbrojtja nga zjarri në Shqipëri: 25% më pak personel, mjetet të vjetra
Kryeministri falënderoi forcat zjarrfikëse, ushtrinë dhe vullnetarët për përballimin e situatës. Aktualisht, në vend ka 29 vatra aktive zjarri, kryesisht në qarqet Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës dhe Korçë, ku janë angazhuar mbi 1,100 forca dhe mjete tokësore e ajrore për shuarjen e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto