Puna në distancë po troket në derë. Ja si mund të monitorohet ekipi në distancë - Business Magazine Albania

Puna në distancë po troket në derë. Ja si mund të monitorohet ekipi në distancë


Shkruar nga Alban Afmeti, Inxhinier IT

Kohët e fundit është rritur shumë numri i kompanive dixhitale, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme si zgjidhje software, marketing, PR, suport etj. Ndaj lind pyetja nëse për të gjitha këto do të jetë e mundur gjetja e punonjësve të tyre brenda qytetit?

Në ditët e sotme, është shumë e vështirë të plotësosh një pozicion të hapur në kompani me një person të talentuar. Bëhet fjalë për ato lloj pozicione pune, që kërkojnë eksperiencë dhe nivel të lartë profesional. Arsyeja është se talentet e vërteta janë tashmë të stabilizuar në kompanitë aktuale, përveç një pjese të vogël që mund të jenë në lëvizje për shkak të pakënaqësive.

E vetmja mundësi që mbetet është të trajnosh një të ri të sapo dalë nga bankat e universitetit, çka shpesh përbën kosto të lartë për kompaninë.

Cila mund të jetë zgjidhja për këtë problem? – Kalimi i skuadrës tërësisht në distancë.

Nuk është e nevojshme të punësosh profesionistë brenda qytetit. Teknologjia e sotme të jep mundësinë të punësosh nga çdo anë e globit. Duke përdorur platforma rekrutimi të ndryshme është e mundur të gjesh profesionistë që punojnë në distancë, në çdo shtet. Normalisht, punonjës në shtete të ndryshme kanë kosto të ndryshme, ndaj kjo duhet menduar mirë.

Por, shumica e drejtuesve të kompanive mendojnë se duke i mbajtur punonjësit të izoluar në zyrë, do të kenë më shumë produktivitet, do të jenë të monitoruar dhe komunikimi ndërmjet tyre do të jetë më i qartë. Kjo jo domosdoshmërisht është e vërtetë. Shumë punonjës në zyrë, me kohë të plotë, mezi presin ditën e premte që të përfundojnë javën dhe të pushojnë në dy ditët në vijim. Kjo, për shkak të lodhjes, kohës së gjatë të vazhdueshme në kompjuter etj. Të gjithë punonjësit e kanë menduar të paktën një herë gjatë jetës së tyre kur kanë qenë në zyrë `Ah sikur të kisha një shtrat në këto momente, të isha shtrirë dhe të kisha fjetur pafund…`.

Zgjidhje për situatën e mësipërme është kalimi i punës tërësisht në distancë, me orare fleksibël. Duke përdorur teknologjitë e fundit të menaxhimit të një skuadre në distancë, drejtuesit e kompanive nuk duhet të shqetësohen, pasi ekzistojnë mjete që kryejnë funksionalitete të shumta për menaxhimin në distancë.

– Menaxhim i detyrave për secilin punonjës në mënyrën më komode të mundshme dhe të ndërlidhur në një rend kronologjik që bën të mundur që punonjësit të bashkëpunojnë në mënyrë efiçente. Ndër këto mjete ia vlen të përmendësh JIRA, Asana, Trello etj. Ato kanë funksionalitete të shumta në mënyrë që skuadra juaj të organizojë punën në mënyrë të shkëlqyer.

– Monitorimi i aktivitetit të punonjësve është i rëndësishëm për drejtuesit e kompanive. Edhe për këtë ka mjete, të cilat ndihmojnë të kontrollosh aktivitetin e punonjësit. Mjete si Hubstaff, Worksnaps apo Time Doctor të ndihmojnë të kontrollosh sa aktiv ka qenë punonjësi në kompjuter, realizojnë screenshots periodike apo edhe kontrollojnë trafikun në web që ka realizuar punonjësi. Pra, nuk është e lehtë që ai të mashtrojë në lidhje me punën e tij, duke qenë se çdo detyrë mund të ketë edhe një afat të paracaktuar përfundimi.

– Metoda komunikimi të avancuara si chat, audio ose konferenca video do t’ju bëjnë të ndiheni sikur jeni në zyrë. Mjetet si Slack, Glip, Mattermost apo RocketChat janë tashmë ndër metodat e komunikimit më të perdorura nga skuadrat në distancë. Shumica e kompanive edhe pse nuk janë në distancë, përdorin metoda të tilla komunikimi në zyrë për arsye se e lehtësojnë dhe janë më produktive sesa komunikimi i drejtpërdrejtë me zë. Në rast se është i nevojshëm komunikimi audio/video atëherë na vijnë në ndihmë mjete si Skype, Zoom.us etj. që na bëjnë të dukemi sikur jemi përballë. Me anë të mjeteve të tilla punonjësit mund të bëjnë edhe `Share Screen` e cila është diçka mjaft e përdorshme kohët e fundit kur dy ose më shumë punonjës njëherazi përpiqen të zgjidhin një problem.

– Përdorimi i mjeteve si Loom, Screencast, Lightshot apo Screencastify bën të mundur raportimin e menjëhershëm të problemeve të ndryshme ndërmjet punonjësve, ose realizimin e një video për të mësuar një punonjës sesi mund të zgjidhë një problem specifik. Ata të lejojnë të bësh foto të ndërfaqes së kompjuterit, brouserit apo edhe te regjistrosh një video me veprime të caktuara hap pas hapi.

Çka përmenda më lart janë mjetet bazë për menaxhimin e një skuadre në distancë, por gjenden me mijëra të tjera që lehtësojnë gjithçka duke nisur që nga menaxhimi i qendrës së dijes, menaxhimi i dokumentacioneve, menaxhimi logjistik etj.

Menaxhimi i një skuadre në distancë, ka kosto më të ulët, pasi ulet numri i burimeve fizike që do të përdoren si p.sh. secili punonjës ka kompjuterin e tij personal, nuk është e nevojshme të marrësh një zyre dhe të paguash qera, energjia elektrike apo edhe shumë kosto të tjera.

Si përfundim, puna në distancë nuk duket e largët për më të shumtën e kompanive. Kjo në interes të të dyja palëve, punonjësit dhe punëdhënësit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0