Psikologia: Është e domosdoshme që prindërit të bëjnë gabime, fëmijët do të rriten më të suksesshëm - Business Magazine Albania

Psikologia: Është e domosdoshme që prindërit të bëjnë gabime, fëmijët do të rriten më të suksesshëm

Psikologia: Është e domosdoshme që prindërit të bëjnë gabime, fëmijët kanë më shumë gjasa të rriten të suksesshëm

Është e natyrshme që prindërit të duan të jenë të përsosur kur bëhet fjalë për rritjen e fëmijëve, por sipas ekspertëve, gabimet janë pjesë e pandashme e këtij procesi. Në fakt, janë thelbësore për rritjen e fëmijëve të suksesshëm, thotë psikologia zhvillimore Aliza Pressman në një episod të podcast-it “The Mel Robbins Podcast”. Kur fëmijët shohin prindërit duke gabuar, ata mësojnë se dështimi nuk do të thotë se ka diçka të gabuar me ta, duke ulur kështu presionin për të qenë pa gabime.

“Po të mos shihnin gabimet tona, fëmijët nuk do të kishin shumë shpresë se mund të gabojnë, të rriten dhe prapë të ndihen të dashur dhe të vlefshëm,” thekson Pressman.

Gabimet janë të pashmangshme

Sipas saj, gabimet prindërore janë të pashmangshme, nga harrimi i një ushqimi të preferuar për fëmijën, deri tek një fjalë e papërshtatshme e thënë rastësisht. “Ne lindim si prindër në momentin kur lindin fëmijët tanë,” shton Pressman. “Është e qartë se do të gabojmë vazhdimisht, sepse jemi prindër ‘bebë’. Është pjesë e domosdoshme e këtij roli.” Ajo thekson se më e rëndësishme se vetë gabimi është mënyra se si prindërit reagojnë ndaj tij. Një praktikë thelbësore është “riparimi”, pra të kërkuarit falje direkt fëmijës. Psikologë të tjerë ndajnë të njëjtin mendim: të jesh i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Psikologia e fëmijëve Tovah Klein, drejtoreshë e Qendrës për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në Barnard College, rekomandon fraza të thjeshta si: “Më vjen keq që bërtita” ose “Të kërkoj ndjesë, nuk duhej ta bëja këtë.” Kjo i ndihmon fëmijët të mos e keqinterpretojnë një shpërthim emocional si diçka më të rëndë ose afatgjatë.

Lexo edhe: Shefi i Microsoft i shqetësuar nga rritja e rasteve të “psikozës nga AI”

Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e modelimit të sjelljes së duhur. “Nëse doni që fëmijët të mos jenë të varur nga ekranet, mos rrini gjithë kohën me telefon në dorë para tyre. Nëse doni të jenë aktivë, tregojuni me shembull duke u ushtruar,” shkruan Theo Wolf, edukator dhe trajner në Spike Lab, një program sipërmarrjeje për adoleshentët me bazë në Nju Jork. Fëmijët mësojnë nga çdo sjellje e prindërve,  nga qëndrueshmëria mendore e deri tek vetëdija për veten, por edhe nga gjërat e vogla të përditshmërisë dhe mënyra se si flasim kur mendojmë se ata nuk po dëgjojnë. “Jini të vetëdijshëm për shembullin që po jepni,” thekson Wolf. “Nëse doni që fëmijët të rriten të përgjegjshëm, me qëllim, punëtorë dhe mbi të gjitha të lumtur, mishëroni vetë këto cilësi.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0