Vendosja e objektivave, veçanërisht atyre financiare, shpesh shoqërohet me entuziazëm… por përfundon me zhgënjim. Të dhënat flasin qartë, 70% e amerikanëve që vendosën rezoluta në vitin 2024 i braktisën ato, sipas një sondazhi të Harris Poll.
“Anëtarësimet në palestër mbeten të papërdorura. Planet e kursimit dështojnë. Librat mbeten të pashkruar,” shkruan Charles Chaffin, psikolog financiar dhe bashkëthemelues i Financial Psychology Institute, në librin e tij më të ri “The Goal Standard”.
Sipas tij, dështimi nuk është përjashtim, por rregull.
Dy arsyet kryesore pse nuk i arrijmë objektivat
Chaffin thotë se njerëzit zakonisht dështojnë për dy arsye kryesore:
-
Vendosin objektiva të gabuara
– janë shumë të mëdha
– nuk përputhen me identitetin personal
– ose janë thjesht shumë të shumta -
Nuk krijojnë mjedisin e duhur për sukses
– mungesë mbështetjeje sociale
– mungesë strukture dhe përgjegjshmërie
Për të rritur ndjeshëm shanset e suksesit, ai sugjeron 4 hapa praktikë.
Lidhe objektivin me identitetin tënd
Para se të vendosësh një qëllim, pyet veten: Pse e dua vërtet këtë?
Shumë objektiva lindin nga presioni shoqëror, familjar apo nga ideja se “kështu duhet”. Por sapo shfaqen vështirësitë, këto objektiva braktisen lehtë.
Një shembull tipik është kursimi i një shume fikse parash. Sipas Chaffin, më efektive është të mendosh çfarë do të bësh me ato para: siguri, liri, udhëtime, qetësi mendore.
“Kur një numër kthehet në diçka personale, motivimi bëhet i brendshëm dhe shumë më i fortë,” thotë ai.
Ndaje objektivin në periudha më të shkurtra
Një objektiv me afat njëvjeçar shpesh është shumë i largët për trurin tonë. Prandaj, duhet të ndahet në qëllime të ndërmjetme.
Shembull:
Në vend që të synosh të kursesh një shumë në fund të vitit, vendos objektiva javore ose mujore.
“Sa më i afërt të jetë objektivi, aq më pak konkurron me tundimet e përditshme,” shpjegon Chaffin.
Bëje objektivin konkret dhe të shkruar
Të mendosh për një ndryshim nuk mjafton, duhet ta formalizosh atë.
-
Shkruaje objektivin
-
Përcakto hapat konkretë
-
Vendos afate reale
Më pas, përfshi njerëzit përreth teje. Mbështetja sociale rrit ndjeshëm shanset e suksesit.
Shembulli klasik është “Dry January”: nëse e bën me miqtë me të cilët zakonisht del, probabiliteti i suksesit rritet ndjeshëm.
“Ju kontrolloni dhe motivoni njëri-tjetrin,” thotë Chaffin.
Përdor ‘fërkimin’ në favorin tënd
Një nga faktorët më të nënvlerësuar është mjedisi.
Pyetja kyçe është:
– Sa e lehtë është të bësh gjënë e duhur?
– Sa e vështirë është të bësh atë që të dëmton?
Shembuj praktikë:
-
Ul fërkimin për zakonet e mira:
– transfertë automatike e pagës në llogari kursimi
– emërto llogarinë sipas qëllimit (p.sh. “Shtëpia ime”) -
Rrit fërkimin për zakonet e këqija:
– fshih kartat e kreditit
– shkëpute kartën nga platformat online
“Duhet të ndryshosh ambientin që ai të punojë për ty, jo kundër teje,” përfundon Chaffin.
Objektivat nuk dështojnë sepse nuk jemi të aftë, por sepse nuk janë të ndërtuara mirë dhe nuk mbështeten nga mjedisi i duhur.
Suksesi nuk vjen nga motivimi i momentit, por nga struktura, identiteti dhe zgjedhjet e vogla të përditshme që e bëjnë rrugën më të lehtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto