Pse mbledhjet po vrasin produktivitetin dhe si ta shpëtojmë kohën... - Business Magazine Albania

Pse mbledhjet po vrasin produktivitetin dhe si ta shpëtojmë kohën e punës?

Në një epokë ku puna hibride dhe oraret e zgjatura janë bërë normë, takimet duket se janë kthyer në një “vrasës të heshtur” të produktivitetit. Sipas raportit të vitit 2024 nga Fellow, punonjësit amerikanë kalojnë të paktën 20% të javës në takime, ndërsa për drejtuesit kjo shifër rritet deri në 35%. Por sa vlejnë këto takime dhe çfarë kostoje i sjellin biznesit?

Një studim nga Otter.ai dhe profesori Steven Rogelberg ka zbuluar se takimet e panevojshme dhe të shpërndara gjatë ditës mund t’i kushtojnë një kompanie mesatarisht 25 mijë dollarë në vit për çdo punonjës, për shkak të rënies së efikasitetit dhe humbjes së kohës për punë të thelluar.

Lexo gjithashtu: Si të nisësh një biznes me zero para? Ja çfarë të duhet në të vërtetë!

Takimet jo vetëm që ndërpresin fokusin, por edhe krijojnë mbingarkesë kognitive që e bën më të vështirë për punonjësit të hyjnë në gjendjen e përqendrimit maksimal, aty ku ndodhin idetë, zgjidhjet dhe inovacioni.

“Dy orë punë të pandërprerë vlejnë më shumë se katër orë të copëtuara nga takimet,” shprehet Alex Payetta, strateg suksesi në Ritualle. Shtimi i takimeve është kthyer në zëvendësues të gabuar për komunikimin informal nëpër zyra dhe, për fat të keq, ndonjëherë edhe si mjet për kontroll dhe monitorim të personelit.

Çfarë mund të bëjmë ndryshe?

Ekspertët propozojnë disa zgjidhje të thjeshta, por efikase:

  • Takime në këmbë – Jo vetëm që përmirësojnë shëndetin fizik, por edhe shkurtojnë kohëzgjatjen e takimit.

  • Axhendë e qartë – Pa një plan të ndarë 24 orë përpara, takimi nuk duhet të mbahet fare.

  • Kufizim në kohë dhe pjesëmarrje – Takimet të zgjasin jo më shumë se 30 minuta dhe me maksimum 6 pjesëmarrës.

  • Asnjë takim për përditësime – Këto mund të trajtohen lehtësisht përmes platformave si Slack apo email.

Me mbi 55 milionë takime në javë vetëm në SHBA, pyetja që ngrihet është: A po punojmë më shumë apo thjesht po ulemi më shumë në tryezat e takimeve?

Për të shpëtuar orët e arta të produktivitetit dhe për të rikthyer balancën punë-jetë, është koha që liderët të vlerësojnë vërtet nevojën për çdo takim. Sepse, siç thonë vetë punonjësit: “Ky takim mund të ishte një email.”

business.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0