Çdo kompani sot flet për inovacion: inteligjencë artificiale, platforma të reja, transformime të shpejta. Por në prapaskenë, diçka thelbësore po i mban shumë organizata në vendnumëro. Jo teknologjia. Kultura e brendshme.
Sipas një analize të publikuar nga Entrepreneur, inovacioni ngec jo sepse mjetet nuk janë mjaftueshëm të shpejta, por sepse njerëzit nuk ndihen të sigurt, të vlerësuar dhe të përfshirë mjaftueshëm për t’i përdorur ato siç duhet.
Të dhënat janë domethënëse. Raporti i Vitit 2025 për Mbajtjen e Punonjësve nga Work Institute tregon se 63% e largimeve nga puna në vitin 2024 ishin të shmangshme, të nxitura nga stagnimi në karrierë, mungesa e balancës punë–jetë dhe mbështetja e dobët nga menaxherët. Me një nivel kaq të lartë largimesh të panevojshme, inovacioni nuk dështon për shkak të teknologjisë së gabuar, por sepse njerëzit nuk ndihen të mbështetur për të qëndruar, për t’u shtrirë përtej rolit dhe për të ndërtuar mbi atë që është bërë më parë.
Shumë drejtues e barazojnë inovacionin me shpejtësinë, teknologjinë ose “goditjen e madhe”. Kjo qasje nuk është e gabuar, por është e paplotë. Inovacioni i vërtetë lind aty ku njerëzit ndihen të lirë të vënë në dyshim mënyrat ekzistuese të punës, të propozojnë ide të reja dhe të sfidojnë supozimet pa frikë.
Inteligjenca artificiale, në vend që të çlirojë kreativitetin, shpesh shton një shtresë të heshtur frike. Punonjësit pyesin veten nëse një ide e mirë mund t’u eliminojë vendin e punës apo ta bëjë rolin e tyre të panevojshëm. Kur inovacioni perceptohet si kërcënues apo i rezervuar për pak ekipe elitare, shumica hesht. Dhe rritja afatgjatë nuk mund të mbahet nga disa grupe të izoluara, idetë më të vlefshme shpesh vijnë nga perspektiva të papritura, nëse kultura ua lejon zërin.
Shembulli i arsimit është ilustrues. Universitetet dhe kolegjet janë përballur me modernizim të vazhdueshëm për dekada, duke ruajtur njëkohësisht misionin, identitetin dhe komunitetin. E njëjta sfidë vlen sot për çdo industri që përballet me ndryshime të shpejta: çështja nuk është nëse ekipet adoptojnë mjete të reja, por nëse kultura u lejon të përmirësohen edhe pasi entuziazmi fillestar ka kaluar.
Ekspertët sugjerojnë katër shtylla për inovacion të qëndrueshëm:
Së pari, duhet ulur kostoja sociale e të folurit hapur. Studimi i njohur i Google, Project Aristotle, tregoi se ekipet më inovative janë ato me nivelin më të lartë të sigurisë psikologjike, ku gabimet nuk ndëshkohen dhe idetë nuk tallën. Megjithatë, gati 49% e punonjësve raportojnë se ndihen të pasigurt psikologjikisht në vendin e punës. Kur frika ulet dhe kurioziteti rritet, idetë shumohen.
Së dyti, ndryshimi duhet bërë i parashikueshëm përmes kontekstit. Njerëzit e përqafojnë ndryshimin kur e kuptojnë pse ndodh, jo vetëm çfarë po ndryshon. Transparenca, komunikimi i qartë dhe përcaktimi i kufijve të vendimmarrjes krijojnë besim dhe stabilitet edhe në mes të transformimeve.
Së treti, punonjësit duhet të kenë arsye për të qëndruar dhe për t’u zhvilluar. Qarkullimi i lartë shkatërron kujtesën organizative dhe e kthen çdo nismë në një fillim nga e para. Me kohëzgjatjen mesatare të punësimit që ka rënë në 3.9 vite, besnikëria nuk ndërtohet më me slogane apo benefite sipërfaqësore, por me menaxherë që ofrojnë mbështetje reale, biseda karriere dhe mundësi për rritje.
Së fundi, eksperimentimi duhet të jetë detyrë e të gjithëve. Inovacioni nuk mund të varet nga energjia e një drejtuesi të vetëm. Shembuj si kultura “15%” e kompanisë 3M, që u lejon punonjësve të ndjekin ide përtej detyrave të përditshme, tregojnë se kur eksperimentimi institucionalizohet, ai bëhet i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Teknologjia do të vazhdojë të përparojë dhe t’i bëjë ekipet më të shpejta. Por ajo nuk zëvendëson dot gjykimin, empatinë dhe sensin e qëllimit. Njerëzit mbeten zemra e kulturës dhe burimi i inovacionit të vërtetë. Kompanitë që investojnë te njerëzit me të njëjtin seriozitet si te mjetet digjitale janë ato që do të vazhdojnë të ecin përpara, edhe pas valës së radhës teknologjike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.