Pse ekziston taksimi? Cila metoda përdoren dhe cilët janë efektet e prodhuara në ekonomi dhe në shoqëri? - Business Magazine Albania

Pse ekziston taksimi? Cila metoda përdoren dhe cilët janë efektet e prodhuara në ekonomi dhe në shoqëri?

Shkruar nga Elvis Shera, Kontributor

Të dashur lexues,

në artikullin e kaluar folëm për kontrollin mbi cmimet dhe se si afat mesëm dhe afat gjatë ato kanë pasoja negative. Në këtë artikull do të flasim për taksimin, mënyra se si taksohemi dhe efektet e taksimit. Një fokus special do ti jepet efekteve të taksimit të lartë.

Nëse dëshironi të thelloni njohuritë tuaja, regjistrohuni gjithashtu në kanalin: Financiarisht i Pavarur” ose për më shumë mund të më vizitoni lidhjet e mia në Elvis Shera

Taksat, bashkë me borxhin, janë një nga instrumentet kryesore që përdorin shtetet për të mbledhur të ardhura dhe për të financuar shërbimet publike. Mënyra se si taksohen qytetarët dhe bizneset, dhe niveli i taksave, ka qenë subjekt i debateve të shumta ndër ekonomistë dhe politikëbërës. Ky artikull ka qëllimin tu përgjigjet disa pyetjeve si: pse ekziston taksimi? cilat janë metodat e ndryshme të taksimit? cilat janë efektet e tyre? si dhe pasojat e taksimit të lartë, duke u bazuar në pikëpamjet e ekonomistëve të shquar dhe në shembuj historik.

 

Pse ekziston taksimi?

Taksimi është mekanizmi kryesor përmes të cilit qeveritë mbledhin të ardhura për të financuar shërbimet dhe funksionet publike. Këto përfshijnë:

  • Sigurimin Publik: mbrojtja kombëtare dhe siguria publike e qytetarëve.
  • Gjygjesori: pra një sistem garantues i kushtetutës dhe ligjeve. 
  • Sipermarrje që bien ndesh me ato që janë të orientuara ndaj fitimit dhe për të cilat nuk mund të ketë sipermarrës privatë si për shembull zjarrëfikësit.

Në një shtet minimalist, cdo gjë tjetër është e lenë në dorë të sipermarresit të lirë privat dhe shteti është i ndarë nga ekonomia. Në këtë strukturë shtetërore, qeveria nuk ka borxhe sepse të gjithë shpenzimet mbulohen nga të ardhurat nga tatimet. Rezultati në këtë situatë është një taksim i detyrueshëm minimal. Ekonomistë të shquar si Milton Friedman, Murray Rothbard, Thomas Sowell, Friderich Hayek dhe filozofja Ayn Rand kanë shkruar dhe kanë qenë mbështetëse të fortë të qeverisë minimaliste. Me kalimin e kohës, qeveritë kanë dalë përtej këtyre kufijeve. Duke premtuar dhënien e shërbimeve të tjera sic janë:

  • Shërbimet Sociale: Arsimi, kujdesi shëndetësor, sigurimet shoqërore dhe ndihma sociale.
  • Rishpërndarja e të Ardhurave: Për të reduktuar pabarazitë ekonomike përmes politikave fiskale.
  • Licensimi dhe kontrolli mbi sektorë të ndryshëm të ekonomisë si ushqimet, farmaceutika, komunikimet, peshkimi, etj…

Sigurisht, dhënia e këtyre shërbimeve e shton koston që qytetarët duhet të mbartin nëpërmjet taksave të rrituara. Madje të ardhurat nga tatimet tashmë nuk mjaftojnë dhe qrveritë i hynë borxhit për të financuar prgoramet shtesë. Borxhi është thjeshtë një taksë e vonuar për qytetarët, pra i paguajnë breazat e rinj. Eshtë një taksë mbi të ardhmen.

 

Nga vjen nisma për të dhënë shërbime?

Duhet thënë që shërbime të tilla kanë qenë gjithmonë një nismë qeveritare dhe jo një kërkesë nga populli. Gjithashtu, e dimë se qeveritë nuk janë menaxherë efikasë të parave të qytetarëve dhe nuk ka mungesë të shërbimeve nga ana e sipërmarrësve privatë, prandaj lind pyetja: përse të ofrohen këta shërbime? Ka dy përfitues nga këto shërbime. Nga njëra anë, politikëbërësit që mund të premtojnë gjithmonë e më shumë shërbime me xhepin e qytetarëve dhe, nga ana tjetër, interesat lobiste midis politikës dhe korporatave.

Përsa i përket cilësisë së shërbimit, kjo nuk është një arsye rreale dhe pse përdoret shpesh por nuk kemi asnjë dëshmi se futja e një agjencie për kontrollin ushqimor për shembul, ka rritur cilësinë e ushqimeve. Në fakt, cilësia ushqimore është në rënie. Po të marrim si shembull pensionin, që gabimisht quhet kontribut pasi është taksë,  skema është totalisht e dështuar dhe pse qeveria vazhdojnë akoma ta mbajë të gjallë. Lindë pyetja: nëse pensioni dhe mirëqenia e qytetarëve do të ishte në zemër të politikëbërjes, pse nuk merren ato zgjidhje funksionale dhe kemi një transicion të qeverisë jashtë skemave të pensionit. Eshtë një problem që ka një zgjidhje por është e vështirë të hiqet një taksë “tjetër” nga skema e madhe e taksimit.

 

Metodat e taksimit

Gjatë kohës janë propzuar mënyra të ndryshme të taksimit. Ata më të perdorura janë taksimi progresiv dhe taksimi i sheshtë. Le ti shohim të dyja këto forma.

  • Taksimi Progresiv: Normat e taksës rriten me rritjen e të ardhurave. Individët me të ardhura më të larta paguajnë një përqindje më të lartë të të ardhurave të tyre. Ekonomistë si Paul Krugman, Thomas Piketty, Joseph Stiglitz dhe John Maynard Keynes argumentojnë se taksimi progresiv ndihmon në reduktimin e pabarazive dhe financimin e shërbimeve publike thelbësore ndërsa kritiket sic janë Milton Friedman, Friedrich Hayek, Thomas Sowell dhe Ayn Rand besojnë se taksimi progresiv penalizon suksesin, dekurajon punën, ul investimet dhe kufizon lirinë individuale.
  • Taksa e Sheshtë: Të gjithë paguajnë të njëjtën përqindje të të ardhurave, pavarësisht nga niveli i të ardhurave. Mbështetësit e kësaj takse si Milton Friedman, Robert Hall, Alvin Rabushka dhe Steve Forbes argumentojnë se taksa e sheshtë thjeshtëson sistemin tatimor, inkurajon rritjen ekonomike dhe është më e drejtë ndërsa kritikët besojnë se taksa e sheshtë mund të rrisë barrën fiskale mbi shtresat me të ardhura të ulëta dhe nuk adreson pabarazitë. 

 

Efektet e metodave të ndryshme të taksimit

Ndërsa shtyrësi kryesor i taksës progresive është shpërndarja e pasurisë së krijuar, ajo në fakt përfundon duke krijuar akoma më shumë pabarazi. Le të ndalemi dhe të mendojmë më thellë. Aktorët që e krijojnë pasurinë në një vend janë sipërmarrësit, të cilët organizojnë faktorët e prodhimit dhe kapitalin. Ata janë individë me iniciativë dhe guxim që krijojnë vendet e punës, produktet në tregje dhe shërbimet. Pas pagesës së kostove, përfshirë rrogat, një pjesë e mirë e fitimit të realizuar shkon për të përshkallëzuar aktivitetin ose në investime për kurse, makineri, modernizime dhe një pjesë e fitimit mund të merret nga sipërmarrësi për përdorime personale.

Është e qartë se objektivi i çdo sipërmarrësi është rritja e fitimit, dhe kjo nuk është aspak e lehtë, sepse çdo sipërmarrës është në konkurrencë në treg dhe, nëse nuk paguan mirë punëtorët, ata largohen te sipërmarrës të tjerë. Nëse nuk modernizon dhe investon në biznesin e vet, kostot që do ketë do jenë më të lartë dhe produkti ose shërbimet që do japi do jenë më pak tërheqës dhe e bëjnë të dalë nga tregu. Pra, sipërmarrësi është i angazhuar vazhdimisht që ta alokojë kapitalin në mënyrë që shoqëria e tij të zgjerohet dhe të ketë një jetë të gjatë.

Le të shohim më në thellësi efektet e taksës që qeveria aplikon në këtë sipërmarrje. Ajo takson të gjithë punonjësit dhe sipërmarrësin dhe më pas takson edhe fitimet e shoqërisë. Ky taksim lë më pak hapësirë për sipërmarrësin që të ndërmarrë të gjitha hapat për tu zgjeruar. Ai do të investojë më pak, do të modernizojë më pak dhe do të punësojë më pak. Gjithashtu, ngritjet e rrogave do të hasin më shumë vështirësi. Me kalimin e kohës, kjo çon në uljen e incentivave për sipërmarrësit që të vazhdojnë të jenë në treg dhe në konsiderimin e alternativave të tjera si prodhimi në vende të tjera me kosto të ulëta, ose transferimi i gjithë aktivitetit në vende të tjera, ose dhe mbyllja e aktivitetit.

Pra, taksimi progresiv dhe i lartë e bën klimën më toksike dhe sjell efekte të kundërta nga ato që kishte synim të sillte duke inkurajuart në të njëjtën kohë dhe rritjen e evazionit fiskal. Argumentet mbi rishpërndarjen e të ardhurave dhe përforcimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike bien, sepse, në mungesë të faktorëve që krijojnë mirëqenien, ka më pak të ardhura, pra më pak para, dhe më shumë varfëri. Më shumë papunësi dhe ngadalësim të ekonomisë.

 

Shembuj historikë të efekteve të reduktimit të taksave

Për të provuar se cila anë është më drejtë mundet ti referohemi disa fakteve historike ku duke ulur barrën e taksave mbi individë dhe familje në fakt kemi efektin pozitive të rritjeve të të ardhurave nga tatimet. 

  • Shtetet e Bashkuara nën Presidentin John F. Kennedy: Reduktoi normën e lartë të taksës mbi të ardhurat. Rezultati ishte një rritje ekonomike dhe rritje e të ardhurave tatimore në terma absolutë.
  • Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Ronald Reagan: Reduktoi normën e lartë të taksës. Rezultati ishte një rritje ekonomike dhe dyfishim i të ardhurave tatimore federale.
  • Mbretëria e Bashkuar nën Kryeministren Margaret Thatcher: Reduktoi normat e larta të taksave mbi të ardhurat dhe korporatat. Rezultati ishte stabilizim dhe rritje ekonomike, rritje e të ardhurave tatimore dhe ulje e papunësisë.
  • Rusia pas vitit 2001: Implementoi taksën e sheshtë prej 13%. Rezultati ishte një rritje e të ardhurave tatimore, formalizim i ekonomisë, reduktim i evazionit fiskal.

Pra, shembujt na tregojnë qartë që nëse qeveria do të rrisë të ardhurat nga tatimet, ajo duhet të ulë taksat. Një taksë e sheshtë, në përgjithësi e ulët, ul ndjeshëm incentivën për evazion fiskal. Në të njëjtën kohë, duke lënë më shumë para në dorë të individëve, krijohet një konsum më i lartë dhe paraja më e madhe në dorë të sipërmarrësve mund të përdoret për të rritur nivelin e punësimit dhe përshkallëzimin e biznesit me një efekt dytësor në rritjen e të ardhurave nga taksat.

Gjithashtu, një taksim i ulët thith kapitalin nga vënde të huaja, duke rritur mirëqenien në vend. Historia pra e përgënjeshtron me fakte tezën e taksimit progresiv të lartë si mënyrë për të ulur pabarazinë.

 

Përfundim

Taksimi është një instrument kompleks me efekte të shumta mbi ekonomi dhe shoqëri. Debati mbi nivelin optimal të taksimit dhe metodat e tij vazhdon të jetë një çështje qendrore në politikat ekonomike. Taksimi progresiv, në teori ndihmon në luftën ndaj pabarazive dhe në financimin e shërbimeve publike. Në praktikë ai përfundon të krijojë efekte të kundërta. Taksa e sheshtë, bashkë me norma të ulëta të taksimit mund të inkurajojnë rritjen ekonomike. Kjo ndodh duke krijuar më shumë punësin dhe duke ulur pabarazine. Një politikë tatimore efektive, është e rëndësishme për të balancuar nevojat për rritjen ekonomike me nevojën për drejtësi sociale.

Taksimi progresiv synon të marrë më shumë nga individë më të pasur. Ky koncept është i dështuar sepse këta individë kanë mundësi të përshkruajnë rrugë të ndryshme për të evituar taksat. Rrugë që nuk janë të hapura për individët normalë. Gjithashtu, “perzekutimi” i individëve të pasur është i padrejtë. Janë këta individë që krijojnë vlerë të shtuar në shoqëri sic janë vënde pune, mallra dhe shërbime për të cilët të gjithë kemi nevojë.

Mos harroni të na ndiqni dhe në artikullin e ardhshëm, ku do të flasim për efektet dhe sfidën e madhe të papunësisë që mund të godasë mbar shoqëritë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0