Provimet me gojë rikthehen në universitete për të frenuar kopjimin... - Business Magazine Albania

Provimet me gojë rikthehen në universitete për të frenuar kopjimin me Inteligjencë Artificiale

Universitetet po kthehen te një metodë “old school” për të luftuar një problem shumë modern: kopjimin me Inteligjencë Artificiale. Në SHBA, profesorë në institucione si University of Wyoming, Vanderbilt University dhe UC San Diego kanë nisur të rikthejnë provimet orale, si një mënyrë për të testuar realisht njohuritë e studentëve, pa ndërmjetësimin e mjeteve si ChatGPT.

Në vend të eseve online apo detyrave të marra në shtëpi, studentët ulen ballë për ballë me pedagogun për një kohë të caktuar dhe duhet të shpjegojnë idetë, konceptet dhe arsyetimet e tyre në kohë reale. Një format që, sipas pedagogëve, është pothuajse i pamundur të falsifikohet nga teknologjia.

Pse po ndodh ky ndryshim?

Rritja e shpejtë e përdorimit të AI në arsim ka vënë në vështirësi format tradicionale të vlerësimit. Programet për zbulimin e teksteve të shkruara nga AI po rezultojnë gjithnjë e më pak efektive, ndërsa detyrat online dhe provimet “take-home” janë kthyer në terren të favorshëm për abuzim.

Si pasojë, profesorët po zhvendosin fokusin nga “policimi i teknologjisë” te testimi i kuptimit real. Provimet orale, thonë ata, zbulojnë menjëherë nëse studenti e zotëron lëndën apo thjesht di të përdorë një mjet digjital.

Çfarë thonë studentët?

Edhe pse më stresuese për disa, shumë studentë pranojnë se provimet me gojë i ndihmojnë të mësojnë më thellë dhe të kuptojnë realisht materialin. “Nuk mund të fshihesh pas një ekrani. O e di, o nuk e di,” shprehen disa prej tyre.

Një rikthim më i gjerë te format tradicionale

Provimet orale nuk janë e vetmja zgjidhje. Disa universitete po rikthejnë edhe provimet me shkrim në klasë, me stilolaps dhe fletë, të njohura si “blue books”. Qëllimi është i qartë: të krijohen forma vlerësimi që janë më pak të cenueshme nga përdorimi i AI.

Sfida dhe dilema

Megjithatë, kjo metodë nuk është pa probleme. Provimet orale kërkojnë më shumë kohë, janë të vështira për klasa të mëdha dhe mund të penalizojnë studentët që nuk shprehen mirë verbalisht, por janë të fortë në shkrim. Për këtë arsye, shumë institucione po eksperimentojnë me kombinime vlerësimi: projekte, prezantime, ese të kontrolluara dhe diskutime live.

Një kthesë në arsim

Ekspertët e arsimit e shohin këtë si një moment reflektimi, në vend që universitetet të luftojnë teknologjinë, ato po rishikojnë mënyrën se si matin dijen. Mes AI-së që avancon dhe nevojës për mendim kritik, provimi me gojë po rikthehet si provë e dijes së vërtetë.

ThWP

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0