Një programues i vlerësuar ndërkombëtarisht ka qenë duke punuar në heshtje për Thinking Machines Lab, startup-in e inteligjencës artificiale të themeluar nga ish-drejtoresha e teknologjisë në OpenAI, Mira Murati.
Bëhet fjalë për Neal Wu, fitues i tre medaljeve të arta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Programimit dhe një nga themeluesit e startup-it të njohur të kodimit me AI, Cognition, i vlerësuar rreth 10 miliardë dollarë. Ai është gjithashtu vëllai i madh i Scott Wu, CEO dhe bashkëthemelues i Cognition.
Ky zhvillim tregon se Thinking Machines Lab, e vlerësuar mbi 10 miliardë dollarë, vazhdon të tërheqë talente të nivelit më të lartë, pavarësisht përpjekjeve agresive të kompanive rivale si Meta për të rekrutuar punonjës nga tregu i AI. Thinking Machines Lab ka refuzuar të komentojë, ndërsa Wu dhe Cognition nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Business Insider.
Business Insider ka shqyrtuar korrespondencë të brendshme ku Neal Wu përshkruhet si pjesë e ekipit të Thinking Machines Lab, kompani që ndihmon zhvilluesit të trajnojnë dhe të personalizojnë modele të inteligjencës artificiale. As Wu dhe as startup-i, me bazë në San Francisko, nuk e kanë bërë publik rolin e tij. Ende nuk dihet saktësisht pozicioni që ai mban. Profili i tij në LinkedIn tregon se që nga janari 2025 ai është i angazhuar si bashkëthemelues dhe këshilltar në “diçka të re”, në të njëjtën periudhë kur startup-i i Muratit doli nga faza e fshehtë (stealth).
Ndërkohë, Thinking Machines Lab ka përjetuar largime të rëndësishme nga stafi drejtues gjatë muajve të fundit. Fushata agresive e rekrutimit nga Meta vitin e kaluar përfshinte oferta shumë të mëdha financiare, që në disa raste shkonin në qindra miliona dollarë. Sipas The Wall Street Journal, Meta arriti të punësojë bashkëthemeluesin Andrew Tulloch pasi i ofroi një paketë kompensimi që mund të arrinte deri në 1.5 miliardë dollarë.
Në janar, drejtori i teknologjisë i kompanisë, Barret Zoph, së bashku me dy anëtarë të tjerë themelues, u larguan papritur për t’u rikthyer në OpenAI. Megjithatë, Thinking Machines Lab vijon të ketë një staf me prejardhje të fortë nga laboratorë të njohur të AI-së si OpenAI dhe Meta. Startup-i është vlerësuar mbi 10 miliardë dollarë dhe ka siguruar një raund fillestar financimi prej 2 miliardë dollarësh, ende pa lançuar një produkt publik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.