Business Mag Nr. #27 – Nëntor 2021

500.00L

Përshkrim

Miq, lexues të BusinessMag,

Ky numër i ri revistës vjen në një sezon të nxehtë plot me zhvillime interesante në botën e startupeve. Jam i sigurt që secili nga ju është i ngarkuar shumë më tepër se në çdo periudhë tjetër në përpjekjet për të çuar gjërat përpara, ndaj ju falenderoj që po gjeni kohën për të lexuar këto rreshta. 

Dikush më pyeti sot, sa optimist je për të ardhmen? U përgjigja pa menduar, se kjo nuk është pyetje për një sipërmarrës. Ne optimizmin e kemi në gjak, pasi është stimuli kryesor që çon përpara iniciativat e çuditshme që ndërmarrim, shpesh pa u menduar gjatë! 

Këtë optimizëm përpiqemi ta sjellim në faqet në vazhdim nëpërmjet intervistave me personazhe të njohur dhe të panjohur, të cilët me punën e tyre të përditshme ndikojnë në jetën e mijëra njerëzve përreth. 

Me punën që bëjnë, me historitë që rrëfejnë mbi sfidat e ndryshme, mes dështimesh dhe suksesesh ata/ato frymëzojnë, motivojnë duke përshkruar maratonat vetjake drejt suksesit; pavarësisht pengesave, duke kaluar nga dështimi në dështim, por pa humbur entuziazmin (siç thotë dhe Churchill). 

Njihuni me Silvana Kulla, sipërmarrësja që ka bërë një revolucion në industrinë e mobilerisë. Kompania e saj, ofruese e pajisjeve teknologjike, ka qenë si bazë zhvillimi për mobileritë në vend. 

Mimoza Vojka është një sipërmarrëse, frymëzim për çdo sipërmarrës që do të sigurojë sukses. Ajo është kombinimi perfekt i një profesionisteje, menaxhereje dhe besnike e standardeve të larta në prodhim dhe trajnimin e punonjësve të kompanisë së saj. Ajo na tregon si e menaxhoi situatën e prodhimit gjatë pandemisë dhe si gjeti mundësi për veten dhe kompani të tjera të prodhimit të veshjeve. 

Ne jemi të lumtur që në qeverinë aktuale kemi një përfaqësi nga komuniteti i sipërmarrjes, startup-eve dhe konsulencës. Ashtu siç jemi të lumtur që intervistën e parë për mediat e shkruara, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali e dha për ne. 

Mes shembujve të mirë ju kemi sjellë Daniel Nikollën, një djalë ambicioz, por edhe me një shpirt të madh. Ai vrapoi për një kauzë të rëndësishme në Maratonën e Tiranës.

Për të gjithë të interesuarit në zhvillimin personal dhe gjetjen e qetësisë së brendshme, ju sjellim librin e fundit të Sheki Usein “Kthesa e Madhe”. 

Fluturoni bashkë me ne, mes vizionesh të konsideruara të pa-mendueshme më parë, tek flasim për risitë dhe inovacionet që vijnë nëpërmjet investimeve nga milionerët më të mëdhenj të botës për zgjatjen e jetës dhe dominimin e hapësirës.

Ndërkohë, kthehemi sërish me këmbë në tokën tonë të dashur, kur eksplorojmë së bashku histori brandesh shqiptare, të cilat po pozicionohen në mendjet tona dhe në stilin tonë të të jetuarit nëpërmjet bisedës me Arbër Çepani. Ai na tregon se si po zgjeron aktivitetin dhe si po i qëndron besnik fuqizimit të produkteve shqiptare, si rakia.

Nuk mungon kalendari i eventeve, më aktiv se kurrë i mbushur me takime, konferenca, programe përshpejtimi për bizneset dhe zhvillime të reja rrjetëzuese, të nxitura dhe të menaxhuara nga vetë aktorët e komuniteti sipërmarrës. 

Gjëra të bukura po ndodhin dhe shpresojmë që rezultatet të sjellin frytet e duhura!

Për ta mbyllur, 

do t’ju kërkoja që kësaj reviste që po mbani në duar, t’i bëni një foto dhe ta postoni në LinkedIn me hashtag #BM27, duke bërë tag Business Magazine Albania. 

3 Postimet që do të marrin më shumë pëlqime do të marrin dhuratë librin “Standardi i Bitcoin-it”, botimi i parë në shqip mbi këtë sistem të ri monetar që po i ofrohet botës. 

Lexim të këndshëm!

Gerti