Përshkrim
Në dekadat e fundit, investimet e qëndrueshme, që përfshijnë faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes (ESG) në vendimmarrjen financiare janë shndërruar në një forcë transformuese në financat globale. Ndërgjegjësimi në rritje për ndryshimet klimatike, pabarazitë sociale dhe përgjegjësinë korporative po e shtyn gjithnjë e më shumë kapitalin drejt qëllimeve me ndikim pozitiv. Por, ndërsa produktet e investimeve të gjelbra po shumëfishohen, mënyra si i qasen brezat e ndryshëm këtij trendi mbetet e ndryshme dhe shpesh kontrastuese.
Në një kohë kur kapitali është një nga mjetet më të fuqishme për të nxitur ndryshime pozitive, kuptimi i sjelljes dhe motivimeve të brezave të ndryshëm është thelbësor. Për të arritur që investimet e qëndrueshme të kenë ndikim real, institucionet financiare duhet të dinë kush investon, pse e bën dhe çfarë e pengon pjesëmarrjen më të gjerë. Pikërisht këtë synon të zbulojë raporti im “Generational Differences in Demand for Sustainable Investments”, i cili analizon në mënyrë krahasuese qëndrimet e baby boomers, gjeneratës X, milenialëve dhe gjeneratës Z.




