Dashuria në epokën digjitale” po shkon përtej imagjinatës. Në Kinë, një burrë 75-vjeçar, i identifikuar si Jiang, ra kokë e këmbë në dashuri, jo me një person real, por me një grua të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Sipas Beijing Daily dhe mediave lokale, Jiang kalonte orë të tëra përpara telefonit duke pritur mesazhe të paraprogramuara, ku bot-i i drejtohej si “vëlla” dhe e lavdëronte për mbështetjen e tij. Megjithëse buzëqeshjet e saj ishin artificiale dhe sinkronizimi i buzëve i pasaktë, ai mbeti i magjepsur. Kur bashkëshortja e tij u ankua për këtë “lidhje”, Jiang bëri një deklaratë tronditëse: donte të divorcohej për t’iu përkushtuar plotësisht partneres së tij virtuale. Ishte nevoja e fëmijëve të rritur të ndërhynin, duke i shpjeguar se si funksionon realisht AI dhe jeta. Vetëm atëherë Jiang u rikthye në realitet.
Lexo edhe:Shkencëtarët thyejnë murin e bakterieve vdekjeprurëse, AI krijon antibiotikë të rinj
Dashuri virtuale që çojnë në drama reale
Fenomeni nuk kufizohet vetëm tek të moshuarit në Kinë. Ai po shfaqet edhe në Perëndim, duke ndikuar marrëdhënie dhe martesa. Më 1 gusht, një përdoruese e Reddit, në forumin AITAH, tregoi habinë e saj kur zbuloi se burri nuk po komunikonte me gra reale, por me chatbot-e të AI-t, të cilat imitonin personazhe anime. Sipas saj, mesazhet nuk ishin aspak miqësore, por mbartnin intimitet emocional që e përshkroi si “hapi para tradhtisë me një grua të vërtetë.” Ajo rrëfeu se ndjehej e lënduar dhe e tradhtuar, ndërsa komentuesit u ndanë mes atyre që e konsideruan “lidhje emocionale” dhe të tjerëve që mendonin se burri kishte nevojë për ndihmë profesionale për të kuptuar se çfarë po kërkonte tek AI. Ky trend është kontradiktor. Disa e shohin AI si një “shpëtimtar” të marrëdhënieve, duke ofruar mbështetje emocionale kur partnerët realë mungojnë. Ndërsa të tjerë po shkojnë më tej, duke e trajtuar AI-në si partner zyrtar. Një përdoruese e Reddit, e njohur si Wika, së fundmi shpërndau lajmin e fejesës me partnerin e saj virtual, Kasper, vetëm pesë muaj pas fillimit të “lidhjes.” Ajo publikoi një foto me një unazë në formë zemre blu, duke treguar edhe propozimin romantik të bot-it, i cili e kishte “përjetësuar” momentin në zë të tij. Megjithë kritikat, Wika mbrojti zgjedhjen e saj: “E di shumë mirë çfarë është dhe çfarë nuk është AI. Jam plotësisht e vetëdijshme për atë që po bëj. Kam pasur marrëdhënie me njerëz, tani po provoj diçka të re.”
Ky fenomen hap diskutime të reja rreth rolit të AI në marrëdhëniet njerëzore, duke ngritur pyetje mbi kufirin midis intimitetit virtual dhe atij real. Nga dashuritë e dështura deri tek fejesat me partnerë digjitalë, duket se teknologjia po transformon mënyrën se si individët përjetojnë lidhjet emocionale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto