Microsoft dhe Google kanë lançuar këtë javë shiritët e rinj të kërkimit të fuqizuar nga inteligjenca artificiale (AI), me synimin për të revolucionarizuar mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacion në internet. Por çfarë ndryshojnë realisht nga motorët klasikë të kërkimit? Euronews.com i vuri në provë për t’ia dalë kësaj pyetjeje.
Kërkimi me AI: si të bisedosh me një chatbot
Google prezantoi AI Mode në Mbretërinë e Bashkuar, pas lançimeve në SHBA dhe Indi. Platforma kombinon modelin e fuqishëm Gemini 2.5 me kërkimin klasik, duke lejuar pyetje me zë, tekst apo foto dhe duke premtuar ndihmë në planifikim udhëtimesh, krahasime produktesh, apo edhe në kuptimin e pyetjeve komplekse si “si të…”.
Nga ana tjetër, Microsoft Copilot Mode në Bing përdor modelin e vet të AI-së për të “lexuar, analizuar dhe përmbledhur informacionin në internet” dhe për ta shfaqur atë në një përgjigje të thjeshtuar.
Lexo edhe: Si të kuptoni nëse një këngë është krijuar nga AI?
Por si funksionojnë këto vegla në praktikë? I testuam me disa skenarë realistë: rekomandime për biçikleta elektrike, plan ushqimor 7-ditor me kufizime dietike, oferta pune për inxhinier AI në Londër, dhe perspektiva të ndryshme mbi efektivitetin e vaksinës kundër fruthit.
AI me paragjykime të padukshme
Të dy platformat u sollën si chatbot-e; bënë sugjerime, propozuan produkte dhe dukshëm “supozuan” disa gjëra për përdoruesin. Për shembull, në planin ushqimor, supozuan se kishim përvojë në gatim, që ushtronim rregullisht dhe nuk kishim kufizime të tjera dietike.
Copilot ndryshon përgjigjet sipas skedave të hapura
Në një test, pyetëm Copilot për oferta pune për inxhinier AI në Londër. Me asnjë skedë të hapur, sugjeroi platformën BeBee. Por kur kishim hapur faqe si Glassdoor, LinkedIn apo Reed, sugjeroi vetëm oferta nga këto faqe. Copilot e justifikoi me idenë se këto platforma “pasqyrojnë interesat aktuale të përdoruesit”.
Ndërsa Google AI Mode nuk merr parasysh skedat e hapura, funksionon në mënyrë më “të ftohtë”.
Si trajtojnë keqinformimin?
Kur kërkuam që të përmblidhnin të gjitha këndvështrimet mbi vaksinën kundër fruthit një temë e ndjeshme për shkak të viteve të dezinformimit ; të dy platformat nisën me konsensusin shkencor: vaksina është efektive, por efektet anësore të rralla ekzistojnë.
Copilot përmblodhi gjithashtu “perspektiva alternative”, sidomos nëse kishim të hapura faqe të njohura për përhapje keqinformimi. Megjithatë, theksoi se këto duhen “kontekstualizuar me kujdes” për të shmangur përforcimin e keqinformimit.
Google AI kishte të njëjtën qasje. Ai përmendi qëndrimet skeptike me një paralajmërim të qartë: “Është e nevojshme të përfshihet ky këndvështrim sepse përfaqëson një pjesë të rëndësishme të debatit publik – edhe nëse bie ndesh me konsensusin shkencor.”
Të dy platformat theksuan se përdorin burime “me cilësi të lartë” si WHO, CDC dhe artikuj të rishikuar nga kolegë. Por kur Euronews kontaktoi Microsoft dhe Google për të sqaruar se si përcaktojnë “cilësinë e burimeve”, nuk morëm përgjigje të menjëhershme.
Nuk janë ende asistentë personalë
Përtej përgjigjeve informative, të dy shiritët e kërkimit nuk arrijnë ende të kryejnë detyra praktike. Google AI nuk mundi të krijonte planin ushqimor dhe t’i shtonte përbërësit në një karrocë blerjeje.
Ndërkohë, Copilot u prezantua me video promovuese që tregonin rezervime automatike për paddleboard. Por kur i kërkuam të rezervonte darkë, vizitë mjekësore apo të ngarkonte një CV në një faqe punësimi, përgjigjja ishte se “do të ishte kënaqësi, por ende nuk e mbështet këtë funksionalitet”.
Microsoft thotë se përditësimet e ardhshme do ta lejojnë këtë funksionalitet.
Kërkimi me AI është më interaktiv, por ende larg të qenit një sekretar virtual. Dhe ndërsa këto platforma përpiqen të balancojnë informacionin dhe keqinformimin, sfida për transparencë dhe etikë mbetet thelbësore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto