Platforma "X" nën hetim nga UK për imazhe jo të përshtatshme! - Business Magazine Albania

Platforma “X” nën hetim nga UK për imazhe jo të përshtatshme!

Platforma "X" nën hetim nga UK për imazhe jo të përshtatshme!

Qeveria britanike po përgatitet të ndërmarrë masa të ashpra ndaj platformës X (ish-Twitter), në pronësi të Elon Musk, për shkak të prodhimit masiv të imazheve të manipuluara dhe të seksualizuara të grave dhe fëmijëve përmes mjetit të saj të inteligjencës artificiale, Grok.

Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle, deklaroi se X “nuk po bën mjaftueshëm për të mbrojtur përdoruesit e saj online” dhe se qeveria do të mbështesë plotësisht çdo veprim që ndërmerr autoriteti rregullator i medias, Ofcom, përfshirë edhe mundësinë ekstreme të bllokimit të platformës në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetim i përshpejtuar ndaj Grok

Ofcom ka nisur një hetim të përshpejtuar ndaj X, pasi ka marrë informacionet e kërkuara nga kompania lidhur me përdorimin e Grok për krijimin e imazheve të manipuluara të njerëzve, shpesh të paraqitur në poza të seksualizuara ose me veshje minimale. Sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall, pritet të informojë Parlamentin britanik të hënën për hapat që do të ndërmerren, ndërsa ka deklaruar se pret masa konkrete nga Ofcom brenda pak ditësh.

Në një intervistë për Sky News, Kyle u shpreh prerazi: “Dua të jem shumë i qartë: X nuk po i mbron mjaftueshëm përdoruesit e saj online.” Ndërsa në BBC Breakfast ai e quajti situatën “të tmerrshme”, duke përmendur një rast personal: “Takova një grua hebreje, e cila kishte gjetur një imazh të vetin, të gjeneruar nga AI, në bikini jashtë Auschwitz-it. Ishte diçka që të sëmur shpirtërisht.” Sipas tij, lëshimi i teknologjive të tilla pa testime dhe pa vlerësim të ndikimit në shoqëri është “jashtëzakonisht i rrezikshëm”. Ofcom ka kompetenca të gjera nën Ligjin për Sigurinë Online (Online Safety Act), që nga gjoba shumë milionëshe deri te kërkesa për një urdhër gjykate për bllokimin e plotë të një platforme në territorin britanik.

Kyle deklaroi: “Ofcom ka fuqinë të vendosë gjoba të rënda ose edhe ta ndalojë X në Britani, nëse e sheh të nevojshme. Qeveria dhe Liz Kendall e mbështesin plotësisht këtë autoritet.” Një vendim i tillë do të shkaktonte reagime të forta nga Elon Musk dhe administrata e Donald Trump në SHBA. Musk, i njohur për publikime radikale dhe nacionaliste, ka akuzuar më herët qeverinë e Keir Starmer për censurë dhe ka nxitur britanikët të “rebelohen”. Një zyrtare e administratës Trump, Sarah Rogers, e krahasoi një ndalim të mundshëm të X në Britani me censurën në Rusi, duke e quajtur atë “një ndalim në stilin e Putinit”.

Lexo edhe: Mediat përballë fundit të epokës së klikimeve, si po e ndryshon AI internetin dhe gazetarinë

Të premten, X njoftoi se funksioni për gjenerimin dhe redaktimin e imazheve do të kufizohet vetëm për përdoruesit me pagesë. Por zyra e kryeministrit britanik e cilësoi këtë si të papranueshme, duke deklaruar se: “Kjo thjesht e kthen një mjet që prodhon përmbajtje të paligjshme në një shërbim premium.”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0