Pezullimi i vizave të emigracionit nga Trump, Shqipëria pjesë e listës - Business Magazine Albania

Pezullimi i vizave të emigracionit nga Trump, Shqipëria pjesë e listës

Pezullimi i vizave të emigracionit nga Trump, Shqipëria pjesë e listës

Një dokument i dyshimtë i administratës mund të jetë gjeneza e përfshirjes së Shqipërisë në një listë prej 75 vendesh të botës, të cilave administrata amerikane ka vendosur që për një afat të pacaktuar, t’u ndalojë përpunimin e vizave për emigracionin, me efekt prej 21 janarit.

Sipas njoftimeve, pezullimi garanton të mos prekë vizat që lidhen me arsyet turistike dhe të biznesit. Megjithatë, vetë përfshirja në këtë listë e Shqipërisë, Kosovës, apo edhe vendeve të tjera të rajonit, përjashto Serbinë, është shqetësuese, sepse si kriter është marrë një dokument, mbi të cilin mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për saktësinë e të dhënave. Fillimisht, duhet kuptuar me çfarë kemi të bëjnë dhe si u arrit deri këtu.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se duke nisur nga 21 janari do të pezullojë përpunimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Masa është pjesë e politikave të reja të administratës Trump që synojnë të ndalojnë hyrjen në SHBA të personave që konsiderohen të rrezikuar të bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale amerikane. Sipas Associated Press, pas një njoftimi të parë nga Fox News, një njoftim zyrtar nga DASH ende mungon, pezullimi nuk do të prekë aplikantët për viza jo-imigruese, përfshirë vizat turistike, të biznesit dhe kategoritë e tjera të qëndrimit të përkohshëm. Këto aplikime do të vijojnë të përpunohen normalisht nga ambasadat dhe konsullatat amerikane dhe përbëjnë pjesën më të madhe të kërkesave për viza drejt SHBA-ve, raporton AP-ja.

Zyrtarët amerikanë ndërkaq theksojnë se kërkesa për viza jo-imigruese pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim, veçanërisht për shkak të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026 dhe Lojërave Olimpike 2028, të cilat Shtetet e Bashkuara do t’i presin ose bashkë-organizojnë. Vendimi ndërkohë prek vetëm vizat për emigrim të përhershëm, të cilat do të ndalen përkohësisht deri në përfundimin e një rishikimi të plotë të procedurave të verifikimit dhe kontrollit.

Lexo edhe:Vendet që duhet t’i vizitoni patjetër në 2026-ën

Arsyeja e përfshirjes së shumë vendeve në këtë listë, përfshi Shqipërinë, është një dokument i publikuar nga vetë Trump, në të cilin paraqitej përqindja e emigrantëve të huaj, të cilët përfitonin ndihmë sociale në SHBA, duke mos kontribuuar në ekonomi. Mes tyre radhiteshin edhe emigrantët shqiptarë. Sipas shifrave të përfshira në dokument, rreth 46% e familjeve me origjinë nga Kosova dhe 41.3 për qind e familjeve me origjinë nga Shqipëria që jetojnë në SHBA marrin një formë ndihme sociale.

Lista përfshin gjithashtu vende nga Afrika, Azia, Evropa Lindore dhe Amerika Latine. Megjithatë, këto përqindje ngrenë pikëpyetje kur krahasohen me statistikat zyrtare të Anketës së Komunitetit Amerikan (ACS), sipas të cilave shqiptarët në SHBA shfaqin norma relativisht të larta punësimi. Të dhënat e përpunuara më pas edhe nga INSTAT në botimin “Diaspora e Shqipërisë në shifra, 2025” tregojnë se papunësia në mesin e shqiptarëve është rreth 3.3%, ndërsa mbi 108 mijë persona rezultojnë të punësuar. Sipas ACS-së, në Shtetet e Bashkuara jetojnë mbi 206 mijë shqiptarë, përfshirë gjeneratën e parë dhe të dytë, të përqendruar kryesisht në shtetet e New York-ut, Michigan-it dhe Massachusetts-it, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ka arsim të mesëm dhe universitar.

Nga të dhënat e aksesueshme përmes sistemit të Census Bureau rezulton se statusi i varfërisë në 12 muajt e fundit përcaktohet për mbi 214 mijë shqiptarë që jetojnë në SHBA, ndërsa një pjesë e komunitetit përfiton të ardhura nga pensionet dhe sigurimet shoqërore, skema kontributive që nuk konsiderohen ndihmë sociale në kuptimin klasik të asistencës për varfëri.

Masa nuk mendohet se mund të prekë shqiptarët në masë, pasi shumica e tyre kryejnë aplikime për viza turistike. Megjithatë, përfshirja në listë me vende që lehtësisht etiketohen si problematike dhe nën nivelin ekonomik shqiptar, është shqetësues për imazhin e vendit në arenë ndërkombëtare.

AP

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0