Përshtypje rreth librit “The Game / Loja” i Alesandro Bariccos! - Business Magazine Albania

Përshtypje rreth librit “The Game / Loja” i Alesandro Bariccos!

~8 minuta lexim

Nga Albert GJOKA – Historia na ka treguar se ndikimin më të madh në shoqërinë njerëzore nuk e kanë dhënë njohuritë e grumbulluara ndër shekuj, për mjetet që kemi përdorur. Shumëkush mund të dyshojë për këtë, por nëse e kthejmë kokën pas, shpikje të tilla si zjarri, thika, rrota, letra, shtypshkronja, teleskopi, telefoni, makina, avioni, interneti dhe shumë e shumë gjëra të tjera e kanë ndryshuar rrënjësisht jetën tonë dhe na kanë ndryshuar edhe ne në mënyrën sesi mendojmë dhe ndërveprojmë me botën.

Pra, nëse do të ndryshosh jetën e një njeriu, mjafton t’i japësh mjetet. Në këtë pikënisje ndalohet edhe libri “The Game/Loja” i autorit italian Alesandro Baricco, i vlerësuar më së shumti si mjeshtër i rrëfimit. Autori ka studiuar filozofi dhe muzikë, por ia ka kushtuar jetën e tij rrëfimit, eseistikës, medias dhe kulturës, duke reflektuar për ndryshimet dinamike të realiteteve dhe për mënyrën sesi sendërtohen identitetet në botën digjitale.

I njohur për lexuesit shqiptarë me romanet si “Tri herë në agim”, “City”, “Nusja e re” apo “Zoti Guajn”, me librin eseistiko-filozofik “The Game / Loja”, Baricco na sjell një vështrim të thjeshtëzuar, por edhe të dobishëm të kohës tonë që pas shpikjes së internetit, botës së video-game, rrjeteve sociale, kompanive të tregtisë elektronike, aplikacioneve dhe deri tek Inteligjenca Artificiale. Për këtë arsye, ky libër është për të gjithë ata që kanë nevojë për të qartësuar mendimet e tyre mbi atë që po ndodh në tri dekadat e fundit; për të kuptuar mjedisin përreth dhe për të ndërvepruar me një botë gjithnjë e më pak reale dhe gjithnjë dhe më shumë virtuale. Ne ndodhemi në një proces transformimi gradual, në një tranzicion të egër, ku po ndodh shndërrimi drejt realitetit virtual dhe që vetëm sapo ka nisur dhe që do të jetë për shumë kohë kaotik, vështirësisht i menaxhueshëm dhe me plot sfida për t’u përshtatur secili prej nesh.

Për autorin, e sotmja është produkt i proceseve evolutive të nisura që me iluminizmin, përmes fuqizimit të arsyes, me revolucionet e njëpasnjëshme industriale dhe teknologjike, ku padyshim vitet 70-80 hodhën bazat e asaj që po përjetojmë sot; me shpikjen e kompjuterit dhe internetit për të ardhur pastaj me hartën e madhe të mjeteve, rrjeteve dhe së fundi me Inteligjencën Artificiale: “Po ecim përpara, me fenerë të shuar…”, – thotë Baricco. Sipas tij, nëse deri më sot revolucionet mendore kanë ndryshuar botën, por së fundi, revolucioni teknologjik po bën të kundërtën.

Lexo edhe:Bytes & Books diskutim për “ Loja” nga Alessandro Baricco!

Nëse dikur ne përballeshim me botën e fjalëve sot përballemi me botën e numrave mbi të cilat është sendërtuar edhe kuptimi i botës digjitale.

Krijimi i hartës që nga shpikja e internetit, kompjuterit, mënyrës së përcjelljes së informacionit, kërkimit, ndërveprimit, sipas Bariccos synon që të krijojë “një njeri i ri”: Pra, një “njeri i brumosur ndryshe qëndron në zanafillë të zgjedhjes digjitale”.

Duke u kthyer tek fuqia e mjeteve në historinë tonë, Baricco bën një ndalesë të detajuar tek Njeri-Tastierë-Ekran që ecën në dy realitete: botë dhe përtejbotë. Pra, njerëzve u janë dhënë këto mjete të këndshme për të luajtur, për t’u englendisur, për të shpenzuar kohën dhe në këtë mënyrë për të ndryshuar jo thjeshtë njeriun e deritanishëm, por edhe realitetet, tregjet dhe forcat që kontrollojnë botën.

Zanafillën e saj autori e gjen tek lugina e Silikonit dhe tek kundër-kultura kaliforniane e mesit të viteve ’70 për të ardhur deri në ditët tona: “Ishte humusi prej nga vinte pjesa dërrmuese e kryengritjes digjitale”. Nëse do të ndryshosh një qytetërim, mos ndrysho natyrën njerëzore, por instrumentet që përdor ai. Një gjë të tillë po e bëjnë makers-it, apo të ashtuquajturit “heronjtë digjitalë” të ditëve tona si Steve Jobs, Eric Shmidt, Larry Page, Jeff Bezos, Mark Zukenberg, etj. Tashmë është krijuar kultura digjitale në një botë të re, me inteligjencë të re, në lojën e madhe që e ka zhbërë shpirtin, ka sjellë shfokusimin ndaj reales dhe që po prodhon të ashtuquajturën “post-eksperiencë” (eksperienca është një gjest, ndërsa post-eksperienca është lëvizje), kur vetë eksperienca është përmbushje, plotësi dhe sistem i realizuar. Në një mjedis të tillë ne po përvjetojmë epokën e post-të vërtetës (post-truth-it). E gjithë kjo përmbysje ka ndodhur ngadalë, pa luftë dhe në një mënyrë shumë të butë. Baricco veçon vetëm disa ngjarje si shenja të dukshme dhe të lexueshme për mendjet e mprehta që na janë shfaqur nëse duam të kuptojmë atë që ka ndodhur tashmë: Shpikja e video-lojërave spaceëar (1972), Uebi nga Tim Bernes Lee (1991), algoritmi fillestar i Google (1998), prezantimi i i-phone nga Steve Jobs në vitin 2007. Seanca dëgjimore e themeluesit të Facebook, Mark Zukenberg në Komisionin e Drejtësisë të Senatin Amerikan në vitin 2018 dëshmoi vetëm kulmin e përplasjes së madhe mes botës së vjetër dhe botës së re, – në përpjekjen e egër për të dominuar botën njerëzit e fuqishëm të dy botëve.

Edhe këtu vjen një pamje e re për të reflektuar që bota teknologjike e ka bërë më të pabarabartë botën, më pak demokratike dhe më shumë autokratike dhe më të brishtë të ardhmen e afërt të secilit prej nesh.

“Nëse dikush ka shpresuar se kryengritja digjitale do të kthente një botë të barabartësh, ku secili do të bëhej drejtpërdrejt krijues i sistemit të vet të vlerave, të mos e gënjejë kot veten: të gjitha revolucionet lindin elita dhe prej tyre presin të mësojnë çfarë dreqin kanë katranosur”.

Në këtë botë të re që është krijuar ne i jemi larguar botës së vjetër, – i jemi larguar edhe teatrit, kinemasë apo librit dhe kemi hyrë në një botë të re virtuale, ku secili prej nesh nuk duhet të jetë më vëzhgues pasiv, por lojtar; paçka se edhe bota digjitale është një zgjatim i jetës, i lojës dhe i vetë artit. Qenia njerëzore është e lindur për të fantazuar dhe në këtë aspekt, realiteti virtual i prodhuar nga revolucioni teknologjik është veccse fantazia e radhës së mendjes njerëzore, ku secili prej nesh është i ftuar që të bëjë lojën e vet.

Leximi i këtij libri do të ndihmojë secilin prej nesh që të ketë një kuptim më të thellë dhe origjinal të kohës digjitale ku jetojmë, na ndihmon të kuptojmë ndryshimin e brezave dhe të kulturës, nuk të vendos përballë pozicioneve kundërshtare apo dogmatike në raport me teknologjinë; përkundrazi, të fton për të qenë një lojtar dhe së fundi është një manual modern për të jetuar me ndërgjegje në një botë digjitale.

Pjesa e fundit e librit ka edhe 25 teza të “Game”-it, të cilat janë edhe aksioma që e bëjnë më të kuptueshme për secilin prej nesh botën që po na rrëshqet nën këmbë. Ngaqë u zgjata shumë në këtë përshtyje, po ua lë ju që t’i zbuloni vetë edhe këto 25 pikëpmaje mbi botën e re që ka nisur Njerëzimi, në një udhëtim të vrullshëm në oqeanin plot dallgë dhe që duhet, jo vetëm të përpiqet, por edhe që të përshtatet, nëse do të mbijetojë dhe të sundojë, siç ka bërë përgjatë gjithë historisë. Luaje edhe ti Lojën tënde!

Regjistrohu këtu

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Mundesitë nuk ndodhin. Ti i krijon ato.”
— Chris Grosser
Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0
LIVE

Episodi i 4 i Think Big: Green Coast Hotel | MGallery Collection

Ku mali përqafon detin! - Shiko tani live

Episodi i 4 i Think Big: Green Coast Hotel | MGallery Collection - Ku mali përqafon detin!