Lëvizjet e fundit të CEO-së së Meta-s, Mark Zuckerberg, për të përforcuar ekipin e inteligjencës artificiale me talente të reja e të shtrenjta, kanë shkaktuar tensione të forta brenda kompanisë. Sipas një raporti të New York Times, prurjet e reja po përplasen me studiuesit dhe inxhinierët veteranë të Meta-s, duke tronditur strukturën e departamentit të AI.
Një nga emrat kryesorë është Alexandr Wang, miliarderi 28-vjeçar dhe themelues i Scale AI, i cili iu bashkua Meta-s si Chief AI Officer përmes një marrëveshjeje “acquihire” me vlerë mbi 14 miliardë dollarë. Wang raportohet se është futur në përplasje të drejtpërdrejta me inxhinierët e vjetër rreth drejtimit të ardhshëm të zhvillimeve në AI. Një tjetër figurë e re, Shengjia Zhao, ish-kërkues i OpenAI dhe bashkëkrijues i ChatGPT, i emëruar Chief AI Scientist në korrik, po rivlerëson punën e ekipeve ekzistuese përpara ristrukturimit. Punonjësit veteranë thuhet se janë rreshtuar para zyrës së tij për intervista e analiza mbi kontributet e tyre të deritanishme.
Përplasja më e fortë lidhet me filozofinë e zhvillimit të modeleve. Ekipi i superinteligjencës i udhëhequr nga Wang po shtyn drejt një qasjeje “të mbyllur”, duke mbajtur teknologjinë sekrete. Kjo përfaqëson një shkëputje të madhe nga tradita e Meta-s për open source, që lejonte zhvilluesit e jashtëm të ndërtonin mbi modelet e kompanisë. Ky ndryshim ka shkaktuar pakënaqësi mes “gardës së vjetër”. Në këtë kuadër, udhëheqja e re ka vendosur të braktisë modelin e mëparshëm Behemoth, lançimi i të cilit u shty pranverën e kaluar pas performancës nën pritshmëri. Gjithashtu, kompania po konsideron zvogëlimin e departamentit të AI, i cili numëron mijëra punonjës, përmes riorganizimeve apo zhvendosjes së roleve.
Ristrukturimi ka sjellë edhe disa largime të rëndësishme. Joelle Pineau, një nga shkencëtaret kryesore të Meta-s, është larguar për t’u bashkuar me startup-in Cohere. Angela Fan, pjesë e ekipit të modelit open-source Llama, është transferuar te OpenAI. Ndërkohë, Loredana Crisan, zv/presidente e gjenerimit të AI, po largohet drejt kompanisë së software-it Figma, ku do të jetë Chief Design Officer. Meta nuk ka komentuar mbi këto zhvillime, të cilat fillimisht u raportuan nga The Information. Zëdhënësi i kompanisë, Andy Stone, ka ironizuar mbulimin mediatik, duke akuzuar mediat për ekzagjerim të ndryshimeve të brendshme dhe duke theksuar se fokusi është rekrutimi i talenteve për superinteligjencën.
Këto ndryshime përbëjnë ndoshta bastin më të madh të Mark Zuckerberg deri më tani, teksa Meta përpiqet të mos mbetet prapa në garën për inteligjencën artificiale – një garë që po riformëson hierarkinë e fuqisë në Silicon Valley.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto