Përparimet neurologjike mund të shndërrohen në arma mendore, paralajmërojnë shkencëtarët - Business Magazine Albania

Përparimet neurologjike mund të shndërrohen në arma mendore, paralajmërojnë shkencëtarët

Përparimet neurologjike mund të shndërrohen në arma mendore, paralajmërojnë shkencëtarët

Progresi i madh në mjekësinë neurologjike shihet zakonisht si një bekim për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzimit. Por shkencëtarë britanikë paralajmërojnë se e njëjta teknologji mund të shndërrohet në armë të rrezikshme që ndikojnë drejtpërdrejt në ndërgjegjen, perceptimin apo sjelljen e njeriut.

Ky paralajmërim i ngjan një tabloje distopike dhe është paraqitur në librin “Preventing Weaponization of CNS-acting Chemicals: A Holistic Arms Control Analysis”, të autorëve Michael Crowley dhe Malcolm Dando nga Universiteti i Bradford. Sipas Dando-s, ekspert i kontrollit të armëve dhe biologjisë, “i njëjti informacion që na ndihmon të trajtojmë sëmundjet neurologjike mund të përdoret për të dëmtuar kognicionin apo për të nxitur bindje të detyruar”. Ai paralajmëron se në të ardhmen, këto teknologji mund të “kthejnë njerëzit në agjentë pa dijeninë e tyre”, një skenar që deri dje dukej si trillim shkencor, por që sot është më afër realitetit. Michael Crowley, studiues i sigurisë dhe paqes, shprehet se “truri mund të shndërrohet në fushëbetejën e re”, falë rritjes së sofistikimit të kimikateve që veprojnë në sistemin nervor qendror. “Mjetet për të manipuluar sistemin nervor qendror, për të qetësuar, hutuar apo edhe detyruar, po bëhen më të sakta, më të aksesueshme dhe më tërheqëse për shtetet,” thekson ai.

Rrënjët historike të armëve neurokimike

Dando dhe Crowley analizojnë zhvillimet historike të kimikateve që ndikojnë në sistemin nervor qendror, të zhvilluara kryesisht gjatë viteve 1950–1960 nga Kina, SHBA dhe Rusia. Qëllimi i tyre ishte të neutralizonin armikun duke shkaktuar humbje të ndërgjegjes, paralizë, gjumë të detyruar apo gjendje delirante. Një shembull famëkeq është zhvillimi nga SHBA i substancës BZ (quinuclidinyl benzilate), një agjent që shkakton halucinacione dhe konfuzion ekstrem. Edhe pse u diskutua përdorimi i tij në Vietnam dhe besohet se u testua te disa ushtarë, nuk ka prova që u përdor ndonjëherë në terren. Rasti i vetëm i përdorimit masiv të këtyre substancave ndodhi në vitin 2002 gjatë krizës së teatrit në Moskë, kur forcat ruse përdorën derivate të fentanylit kundër militantëve çeçenë që mbanin peng 900 persona. Edhe pse shumica e pengjeve u shpëtuan, 120 njerëz humbën jetën, dhe shumë të tjerë pësuan pasoja afatgjata.

Lexo edhe: Një epokë e re për administrimin e ndërtesave: Të enjten më 4 dhjetor, lançohet Komuniteti.al

Shkenca e re e trurit: bekim apo kërcënim?

Zjarrin e shqetësimit e shton fakti se sot shkencëtarët po zbulojnë shumë më tepër rreth “qarkullimeve të mbijetesës” në tru, rrjetet neurale që kontrollojnë frikën, gjumin, agresionin dhe vendimmarrjen. Këto njohuri janë thelbësore për trajtimin e sëmundjeve neurologjike, por njëkohësisht ofrojnë një hartë shumë më të qartë për krijimin e armëve neurokimike tepër të sakta dhe potencialisht shumë të rrezikshme.

Një boshllëk ligjor që mund të shfrytëzohet

Dando dhe Crowley pritet të paraqesin analizën e tyre në Hagë, në një takim të rëndësishëm të Konferencës së Shteteve Pjesëmarrëse që mbikëqyr zbatimin e Konventës për Armët Kimike. Ata paralajmërojnë se, megjithëse konventa ndalon përdorimin e armëve kimike në luftë, një boshllëk ligjor i lejon disa substanca të përdoren në sektorë të tjerë, përfshirë zbatimin e ligjit. Ky është një terren i rrezikshëm që mund të lejojë përdorimin e kimikateve që ndikojnë në tru nën justifikimin e “kontrollit të turmave” apo detyrave policore. “Ka boshllëqe serioze rregullatore mes traktateve të ndryshme,” thotë Crowley. “Nëse nuk mbyllen, disa shtete mund të ndihen të guximshme t’i shfrytëzojnë për programe të armëve neurokimike.”

Zgjidhja e propozuar: një qasje gjithëpërfshirëse

Për të shmangur këtë skenar, autorët sugjerojnë një qasje të re të quajtur “Holistic Arms Control”, një model shumëplanësh që përfshin:

  • të drejtat ndërkombëtare të njeriut

  • të drejtën humanitare

  • konventat e OKB-së për drogat

  • etikën mjekësore

  • kodet e sjelljes së komunitetit shkencor

Ata rekomandojnë që përkufizimet dhe protokollet e traktateve të përditësohen bazuar në kërkimet e reja shkencore dhe që etika të bëhet pjesë e detyrueshme e edukimit në neuroshkencë dhe kimi. Autorët theksojnë se edhe komuniteti shkencor dhe shoqëria civile duhet të jenë më vigjilentë dhe më aktivë në monitorimin e mënyrës se si zbatohen traktatet e kontrollit të armëve. Crowley e mbyll me një thirrje të fortë: “Duhet të veprojmë tani, për të mbrojtur integritetin e shkencës dhe shenjtërinë e mendjes njerëzore.”

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0