Përmbytjet, një kronikë e paralajmëruar që kërkon masa urgjente - Business Magazine Albania

Përmbytjet, një kronikë e paralajmëruar që kërkon masa urgjente

Shqipëria përjetoi javën e kaluar një nga episodet më të rënda të përmbytjeve për këtë vit. Qytete si Durrësi dhe Lezha, si edhe mijëra hektarë tokë bujqësore në zona të ndryshme të vendit, u zhytën nën ujë, duke detyruar qindra familje të evakuohen dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike. Pamjet ishin të njohura, thuajse të përsëritura çdo vit; banesa të përmbytura, të mbjella të shkatërruara dhe një shtet që reagon vetëm pasi dëmi ka ndodhur.

Në Shqipëri, përmbytjet nuk janë rastësore dhe thjesht pasojë e reshjeve intensive. Ato lidhen kryesisht me mënyrën se si menaxhohet infrastruktura ekzistuese e kullimit dhe e mbrojtjes nga uji, me mungesën e mirëmbajtjes dhe me një zinxhir përgjegjësish të paqarta mes institucioneve. Çdo vit reagimi publik zgjat pak: ka zemërim, protesta sporadike dhe deklarata politike, por më pas fenomeni harrohet, pa u trajtuar seriozisht për të parandaluar përmbytjet e ardhshme.

Problemi nuk është vetëm shiu

Ekspertët e fushës bien dakord se përmbytjet në Shqipëri janë kryesisht rezultat i keqmenaxhimit. Kanalet parësore, dytësore, kolektorët dhe hidrovoret formojnë një sistem të ndërlidhur, ku dështimi i një hallke e bën të pavlefshëm gjithë zinxhirin.

Kanalet parësore, arteriet kryesore që çojnë ujin drejt lumenjve dhe detit, shpesh janë të bllokuara nga sedimentet dhe ndërhyrjet informale. Kanalet dytësore bllokohen nga mbeturinat dhe mungesa e pastrimit. Kolektorët urbanë janë të amortizuar dhe të projektuar për reshje më të ulëta se realiteti aktual klimatik. Hidrovoret, linja e fundit e mbrojtjes, janë shpesh jashtë funksionit ose aktivizohen vetëm në emergjencë.

Në këto kushte, përmbytja nuk është surprizë, por pasojë e parashikueshme, përgjegjëse për të cilat janë padyshim në vijë të parë bashkitë.

Lexo edhe: Shqipëria hedh për konsultim publik ‘Planin Kombëtar për Përshtatjen Klimatike 2026-2036’

Plane për klimën… vetëm në letra

Ndërkohë, qeveria ka hedhur për konsultim publik Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, një dokument strategjik që synon të forcojë qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve klimatike dhe të harmonizojë politikat me standardet evropiane.

Plani parashikon masa në bujqësi, zhvillim urban, energji, transport dhe turizëm, si dhe përmirësim të koordinimit institucional. Në letër, ai përbën një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit të rrezikut klimatik dhe integrimit evropian. Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se: ” Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve gjeologjike (tërmeteve, rrëshqitjeve të shkëmbinjve dhe dherave), por rreziqet hidro-meteorologjike si përmbytjet (të shpejta), thatësirat, rrëshqitjet e dherave dhe zjarret në pyje janë rreziqet më të shpeshta, duke përbërë më shumë se 90% të dëmeve të regjistruara. Në vitin 2023, bazuar në cenueshmërinë dhe gatishmërinë ndaj risqeve dhe krizave, Indeksi i Vendeve ND-GAIN81 e renditi Shqipërinë në vendin e 80-të (nga 185 vende të vlerësuara). Kjo krahasohet negativisht me vendet e tjera të BE-së dhe gjithashtu renditet pas vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka përjetuar shumë raste përmbytjesh gjatë shekullit të fundit: sipas Sistemit të Menaxhimit të Informacionit për Fatkeqësitë (DesInventar), janë regjistruar 504 raste përmbytjesh në ultësirën perëndimore gjatë periudhës 1900-2018. Në rastet e thatësirës, veçohet thatësira e viteve 1989-1991, e cila preku mbi 3 milionë njerëz dhe shkaktoi rreth 24 milionë dollarë amerikanë humbje ekonomike; ekonomisë shqiptare iu deshën gati gjashtë vjet për t’u rikthyer në nivelet para thatësirës.”

Bujqësia është një nga sektorët kryesorë socio-ekonomikë të ekonomisë shqiptare dhe një nga sektorët që konsiderohet më i cenueshëm nga ndryshimet klimatike. Ndryshimet e temperaturave dhe modeleve të reshjeve mund të ulin rendimentin e kulturave bujqësore, ndërkohë që degradimi i tokës dhe rritja e kërkesës për ujitje paraqesin sfida shtesë. Kullotat, pyjet, burimet gjenetike, llojet dhe racat, toka dhe pjelloria e saj, burimet ujore dhe produktiviteti i tyre janë të gjitha nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ndryshimeve klimatike. Rritja e temperaturave, ulja e reshjeve, ndryshimi i regjimit të reshjeve, depërtimi i ujit të detit / kripëzimi i akuiferëve bregdetarë, ngjarjet ekstreme të motit, si dhe fenomenet e lidhura, si zjarret në pyje, përmbytjet, thatësirat dhe kripëzimi, infektimet dhe sëmundjet e reja që shfaqen si rezultat i kushteve të ndryshuara klimatike, të gjitha ndikojnë në bujqësi.

 

Përtej legjislacionit për Klimën që Shqipëria po përputh me BE-në, për  qytetarët e thjeshtë qe e gjenë veten gati çdo vit nën pushtetin e ujit që vërshon mbi banesat e tyre, planet mbeten komplet abstrakte. Pa mirëmbajtje reale të infrastrukturës, pa përgjegjësi të qarta dhe pa dëmshpërblime të drejta, përmbytjet do të vazhdojnë të jenë një kronikë e paralajmëruar , e përsëritur çdo vit, me kosto njerëzore dhe ekonomike gjithnjë e më të larta.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0