“Përdor ChatGPT për detyrat!” – Estonia fut AI-në në shkolla - Business Magazine Albania

“Përdor ChatGPT për detyrat!” – Estonia fut AI-në në shkolla

~4 minuta lexim

Ndërsa vende si Anglia po shtrëngojnë rregullat për përdorimin e telefonave në shkolla, Estonia po ecën në kah të kundërt – duke i integruar ata dhe mjetet e inteligjencës artificiale (AI) në kurrikulën kombëtare. Me këtë qasje, vendi baltik sfidon modelet tradicionale të mësimdhënies në gjithë Evropën.

Me vetëm 1.4 milion banorë, Estonia është shndërruar në lider evropian të arsimit digjital. Sipas raportit PISA 2022 të OECD, nxënësit estonezë renditen të parët në Evropë për matematikë, shkencë dhe mendim krijues – dhe të dytët në lexim, pas Irlandës. Një sukses mbresëlënës për një vend të vogël, që po lë pas gjigandë me burime shumë më të mëdha.

Sipas The Guardian, çelësi i këtij suksesi qëndron te përqafimi i hershëm dhe i gjerë i teknologjisë në arsim. Në një kohë kur shumë vende evropiane ndalojnë telefonat për shkak të shqetësimeve për shpërqendrim apo shëndetin mendor, Estonia i sheh ato si mjete të domosdoshme mësimore.

“AI Leap”: Lëvizja e madhe drejt inteligjencës artificiale
Në shtator, Estonia do të nisë fazën e parë të projektit kombëtar “AI Leap” (Kërcimi drejt AI). Ky program synon t’i pajisë nxënësit dhe mësuesit me mjete të avancuara të inteligjencës artificiale. Në bashkëpunim me OpenAI, qeveria planifikon t’u ofrojë qasje falas në platformat më të avancuara të AI për 58,000 nxënës dhe 5,000 mësues deri në vitin 2027, duke filluar nga mosha 16-17 vjeç.

Projekti përfshin edhe trajnime për mësuesit në fusha si etika digjitale, barazia në akses ndaj teknologjisë dhe zhvillimi i të nxënit të pavarur. Qëllimi: ta pozicionojë Estoninë si një nga vendet më inteligjente në përdorimin e AI, jo vetëm më digjitale.

Lexo edhe: 5 mënyra si të fitoni para nga AI, pa lënë punën tuaj të përditshme!

Kallas: “Shoqëria jonë është më e hapur ndaj teknologjisë”

Ministrja e Arsimit dhe Kërkimit të Estonisë, Kristina Kallas, theksoi në Forumin Botëror të Arsimit në Londër se ndryshe nga vendet që i frikësohen teknologjisë në arsim, shoqëria estoneze – përfshirë mësuesit – është më e prirur ta përdorë atë.

“Shoqëria jonë është shumë më e hapur ndaj përdorimit të mjeteve digjitale,” tha Kallas. “Unë e kuptoj skepticizmin në Evropë për ekranet dhe telefonat, por për ne, edhe mësuesit janë pjesë e këtij mentaliteti të hapur.”

Në shkollat estoneze, përdorimi i telefonave rregullohet sipas moshës dhe rregullave lokale. Nxënësit më të vegjël kanë më shumë kufizime, ndërsa ata më të rritur i përdorin shpesh telefonat për detyra akademike gjatë orëve. Gjatë pushimeve, përdorimi i kufizohet.

“Mos i ngatërrojmë mesazhet për 16-vjeçarët”

Kallas thekson një kontrast të rëndësishëm: “16-vjeçarët në Estoni mund të votojnë në zgjedhjet lokale nga telefoni. Pra, si mund t’ua ndalojmë përdorimin e tij në shkollë për të mësuar?” pyet ajo. “Nuk ka kuptim t’u themi: voto online, merr informacion politik online, por mos përdor ChatGPT për detyrat në klasë.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi është përbërja e vogël e përpjekjeve të përsëritura çdo ditë.”
— Robert Collier
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0