Patoko tashmë ka hapur aktivitetin e saj në Prishtinë, duke sjellë një platformë që kombinon shërbimet e mobilitetit me mundësitë e marketingut digjital për bizneset lokale. Kësisoj, përdoruesit mund të porosisin taksi si zakonisht, ndërsa përmes modulit “Influencers” , platforma po krijon ura midis krijuesve të përmbajtjes dhe kompanive, duke nxitur ekonominë digjitale në nivel lokal. BusinessMag bisedoi me Arbër Kadian, themelues dhe CEO i platfomës i cili ndan më shumë detaje nga operimi në një treg të ri si ai i Kosovës, i cili në dukje është sa i ngjashëm, por edhe i ndryshëm nga Shqipëria, ndërsa tregon më tej se strategjia e shtrirjes është graduale; si fillim janë operacional në Prishtinë, ndërsa pas një testimi të sjelljes së përdoruesit dhe optimizimit të shërbimeve, synohet shtrirja në gjithë territorin e Kosovës dhe më pas edhe Ballkani Perëndimor.
Çfarë do të thotë konkretisht që Patoko është tashmë aktiv në Prishtinë dhe çfarë shërbimesh ofron për përdoruesit lokalë?
Fakti që Patoko është aktiv në Prishtinë do të thotë se platforma është funksionale, përdoruesit mund të porosisin shërbime dhe partnerët lokalë janë të integruar në sistem. Aktualisht kemi nisur me shërbimin e taksive, sepse mobiliteti është shtylla bazë e çdo super-app dhe pika ku krijohet besimi i parë me përdoruesin.
Paralelisht, kemi aktivizuar edhe modulin Influencers, ku krijues të përmbajtjes lokale mund të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me bizneset përmes platformës, diçka që e shohim si një urë mes ekonomisë digjitale dhe bizneseve tradicionale.
Qasja jonë nuk është “launch & forget”. Ne hyjmë fillimisht në kryeqytet, testojmë sjelljen e përdoruesit, optimizojmë ofertën dhe më pas shtrihemi gradualisht. Po, synimi është i gjithë territori i Kosovës, por gjithmonë me ritëm të qëndrueshëm dhe me partnerë lokalë në terren.
A ishte e lehtë shtrirja? Çfarë barrierash vijnë me të? Kam parasysh këtu…sfida ligjore, rregullatore, ekonomike apo në burime njerëzore?
Çdo shtrirje ndërkufitare vjen me sfida, por ajo që na ka ndihmuar është fakti që modeli i Patoko është ndërtuar që në fillim për t’u replikuar.
Nga ana ligjore dhe rregullatore, mobiliteti dhe shërbimet digjitale janë fusha që kërkojnë përshtatje lokale, por Kosova dhe Shqipëria kanë ngjashmëri të mëdha në këtë aspekt. Sfida më e madhe nuk është ligji, por ekzekutimi korrekt në terren.
Lexo edhe: Nga ChatGPT te Tinder, ja çfarë shkarkuan më shumë europianët në 2025-ën
Nga ana ekonomike, fokusi ynë është te unit economics: të hyjmë në treg vetëm kur modeli është i qëndrueshëm, jo për rritje artificiale. Sa i përket burimeve njerëzore, investojmë shumë në partnerë dhe operatorë lokal. Patoko nuk funksionon si një produkt i importuar, por si një platformë e ndërtuar bashkë me tregun.
Si është Kosova si treg për Patoko?
Kosova është një treg shumë interesant: popullsi e re, adoptim i shpejtë i teknologjisë dhe një lidhje e fortë emocionale me shërbimet digjitale që e thjeshtojnë jetën e përditshme.
Prishtina, në veçanti, ka densitet dhe ritëm urban që e bën mobilitetin një problem real për t’u zgjidhur dhe aty Patoko sjell vlerë të menjëhershme. Ajo që na pëlqen më shumë është fakti që përdoruesit janë kërkues: kjo na detyron të jemi më të mirë, më të shpejtë dhe më transparentë.
A planifikoni shtrirje diku tjetër në rajon?
Po. Patoko është ndërtuar me një vizion rajonal. Pas Kosovës, fokusi ynë është në Maqedoninë e Veriut, dhe më pas në tregje të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Strategjia është e njëjtë: nisemi me taksitë, ndërtojmë bazën e përdoruesve, aktivizojmë Influencers për të lidhur bizneset me audiencën dhe më pas shtojmë shërbime të tjera sipas nevojës reale të tregut.
Nuk po ndërtojmë thjesht një aplikacion tjetër, po ndërtojmë një infrastrukturë digjitale për jetën e përditshme në rajon.
Mobiliteti në Kosovë
Në nivel rajonal, Kosova ndan shumë karakteristika me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: tregje të vogla, por dinamike; rregullim në zhvillim dhe një popullsi që kërkon shërbime më të thjeshta, më transparente dhe më të besueshme. Kjo e bën mobilitetin jo vetëm një sektor shërbimi, por një pjesë kyçe të transformimit digjital të ekonomisë. Platforma që arrijnë të kombinojnë teknologjinë me partnerë lokalë dhe njohjen e tregut kanë më shumë gjasa të ndërtojnë modele të qëndrueshme.
Nga ana tjetër , si kudo në Ballkan , edhe në Kosovë e veçanërisht në Prishtinë mobiliteti paraqet një sfidë ku rritja e shpejtë e popullsisë, urbanizimi i pakontrolluar dhe infrastruktura e kufizuar po krijojnë një presion të vazhdueshëm mbi sistemin e transportit. Trafiku i rënduar, mungesa e transportit publik efikas dhe varësia e lartë nga automjetet private e kanë kthyer lëvizjen e përditshme në një problem real ekonomik dhe social.
Në këtë kontekst, shërbimet e mobilitetit digjital, veçanërisht aplikacionet për porositjen e taksive dhe zgjidhjet ride-hailing po shihen gjithnjë e më shumë si një alternativë praktike. Popullsia e re e Kosovës, me nivel të lartë adoptimi të teknologjisë dhe përdorim intensiv të smartphone-it, krijon një terren të favorshëm për këto platforma.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto