Pandemitë e shekullit XXI: A është vaksinimi global zgjidhja e duhur? - Business Magazine Albania

Pandemitë e shekullit XXI: A është vaksinimi global zgjidhja e duhur?

Banka Botërore

Nga José Manuel Barroso* – Në një botë gjithnjë e më të ndarë dhe të prirur për konflikte, përvoja ime në sektorin publik dhe privat më ka mësuar se momentet e trazuar gjeopolitike janë pikërisht ato kur duhet të tërhiqemi pak dhe të reflektojmë për atë që na bashkon. Lidhjet që përbashkojnë njerëzit nëpër kufij, breza e kultura duhet të vlerësohen dhe forcohen.

Shumë nga dallimet tona zbehen kur krijojmë vetëdijen se secili prej nesh dëshiron që brezat e ardhshëm të kenë një botë më të sigurt, më të drejtë e më të begatë. Çështja është si ta kthesh këtë instinkt universal në veprime konkrete kolektive.Një përgjigje që pothuajse të gjithë e mbështesin është mbrojtja e fëmijëve dhe komuniteteve përmes imunizimit. Më 25 qershor, krerët e shteteve dhe qeverive do të tubohen në Bruksel për Samitin Global të Gavi – Aleancës së Vaksinave: “Shëndet dhe Mirëqenie përmes Imunizimit”. Me angazhimet e tyre financiare, Gavi (për të cilën jam kryetar i bordit prej pesë vjetësh) do të vazhdojë të ndalojë përhapjen e sëmundjeve infektuese vdekjeprurëse , veçanërisht te më të pambrojturit në shoqëri.

Rritja e imunizimit ka ndryshuar tashmë botën në mënyrë të prekshme. Kur Gavi u themelua para një çerek shekulli, miliona fëmijë vdisnin çdo vit nga sëmundje si fruthi e pneumonia – një tragjedi e papranueshme, sepse mund të parandaloheshin lehtësisht. Gavi u krijua pikërisht për të ndalur këtë vuajtje të panevojshme.

Modeli publik-privat i Gavi-t është unik midis organizatave globale të shëndetit. Duke bashkuar prodhues vaksina, qeveri, donatorë dhe organizata vendore, Gavi ka vaksinuar me suk­ses mbi një miliard fëmijë në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme, ka parandaluar gati 19 milionë vdekje dhe ka ndihmuar në përgjysmimin e mortalitetit infantil. Për më tepër, ka ndërtuar mbrojtje globale kundër pandemive dhe kërcënimeve infektive, edhe përmes krijimit dhe ruajtjes së rezervave emergjente të vaksinave.

Lexo edhe: Dollari shënon rikuperim pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit – por a do të zgjasë?

Investimi në fushën e imunizimit të Gavi-t ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme ekonomike. Që prej vitit 2000, veprimtaria e saj ka gjeneruar 250 miliardë dollarë në përfitime të gjera ekonomike në vendet ku operon, duke ndihmuar 19 prej tyre të dalin nga varësia financiare. Disa prej këtyre “diplomantëve të Gavi-t” janë bërë tani vetë donatorë.

Samiti global i kësaj jave do të vendosë të ardhmen e përpjekjeve të imunizimit nga Gavi. Ndërsa organizata po përgatitet për periudhën e ardhshme strategjike pesëvjeçare, mbase më vendimtare në historinë e saj – po kërkojmë rifillimin e angazhimeve financiare dhe politike për mbrojtjen e gjeneratës së ardhshme. Qëllimi jonë për pesë vitet e ardhshme është të vaksinojmë 500 milionë fëmijë në vendet më të varfra kundër 19 sëmundjeve.

Për herë të parë në histori, kemi një vaksinë që mund të ndryshojë rrjedhën kundër malaries. Mund të mbrojmë gjithashtu miliona vajza nga kanceri i qafës së mitrës me vaksinën HPV, të ruajmë përparimet ndaj vrasësve të parandalueshëm si fruthi e tifua dhe t’u ofrojmë imunizim bazë fëmijëve në komunitete të përfshira nga konflikte ose zhvendosje. Por asgjë nuk mund të arrihet pa mbështetjen financiare të vendeve donatore dhe partnerëve.

Sigurisht, shumica e donatorëve përballen me prioritetet e buxhetit, veçanërisht me rritjen e shpenzimeve ushtarake për shkak të pasigurive gjeopolitike. Por, siç tregoi pandemia COVID-19, siguria dhe përgatitja nuk arrihen vetëm me forcë ushtarake. Rezistenca kërkon investime në sigurinë shëndetësore. Për më tepër, imunizimi nuk është thjesht shërbim; është një të mirë publike globale që mund të shërbejë si themeli për bashkëpunime të mëtejshme.

Në mes kompleksiteteve ekonomike, politike e shkencore, ndonjëherë zgjedhjet janë të thjeshta. Nuk ka të ardhme pa fëmijë. Përmirësimi i aksesit në vaksina është ndoshta mjeti më efektiv dhe i zgjerueshëm në dispozicion për të ndalur sëmundjet që kërcënojnë shumë të rinj dhe shkaktojnë vdekje të kota. Pa marrë parasysh dallimet e mendimeve, jam i bindur se bota mund të gjejë qëllim të përbashkët përmes imunizimit dhe duke vepruar së bashku, mund të krijojë kushtet për një të ardhme më të mirë dhe më të shpresëdhënëse.

 

*José Manuel Barroso është ish-president i Komisionit Evropian dhe ish-kryeministër i Portugalisë, është Kryetar i Bordit të Gavi, Aleanca e Vaksinave.

E drejta e autorit: Project Syndicate, 2025. www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0