Panairi Future2Tech, një mundësi për industrinë tech. Flet Enejda Sheku, CEO e Iceberg Communication - Business Magazine Albania

Panairi Future2Tech, një mundësi për industrinë tech. Flet Enejda Sheku, CEO e Iceberg Communication

Shtatori sjell për herë të parë një panair teknologjie në Tiranë. Ai pritet të krijojë mundësi të reja ndërveprimi mes sipërmarrjeve të kësaj fushe, si dhe rritjen e shfrytëzimin e teknologjisë në të gjitha proceset tona krijuese. Për të mësuar më shumë në prag të këtij panairi, ne kemi intervistuar Enejda Sheku, CEO e Iceberg Communication, kompania organizatore e këtij panairi, së bashku me AlbaniaTech.

Future2Tech ka ngjallur shumë interes, sidomos nga kompanitë e teknologjisë, cila pritet të jetë pjesëmarrja? Cilat janë fushat me të përfaqësuara në këtë panair?

Panairi Future2Tech, që do të organizohet në Pallatin e Kongreseve në datat 21-22 Shtator, vërtetë ka ngjallur një interes të veçantë, sidomos mes kompanive të lidhura me teknologjinë në një mënyrë a në një tjetër, qoftë për produktet hardware, ashtu dhe për produktet dhe shërbimet software dhe ne, si organizatorë jemi shumë entuziastë rreth nivelit të pjesëmarrësve në panair.

Aktualisht, kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe kanë mbyllur procedurat e pjesëmarrjes mbi 50 kompani, ndër të cilat, partnerët mbështetës janë kompanitë lider në teknologji, jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe më gjerë. Partnerët tanë si Vodafone Albania, Dev.al, PC Store, Communication Progress, Alba Media etj. synojnë të prodhojnë vlerë për panairin në nivel multidimensional, jo vetëm duke prezantuar shërbimet dhe produktet e tyre inovatore, por duke organizuar forume e prezantime të rëndësishme për informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit të profesionistëve dhe jo vetëm.

Për sa u përket fushave pjesëmarrëse, kemi dominancë të kompanive që ofrojnë shërbime software, fintech, gaming etj. Por, nuk mbeten prapa dhe kompanitë më në zë për produkte hardware, gjithashtu me pajisje si printera, VR etj.

A mund të zbuloni ndonjë risi dhe event të rëndësishëm, që nuk duhet ta humbasim gjatë ditëve të panairit?

Prej të paktën 8 muajsh që punojmë për Panairin Future2Tech, jemi përpjekur të mbledhim një grup të mirë ekspertësh të sektorit për të organizuar aktivitete të ndryshme. Panairi do të nisë me Ceremoninë e Hapjes, që është një aktivitet që hap siparin e dy ditëve të ngjeshura me takime dhe aktivitete, për të vijuar më pas me një panel drejtuesish të kompanive më të mëdha në vend për një Business Talk. Ky do të jetë një takim që do të organizohet në zonën e eventeve mes sipërmarrësve e drejtuesve të bizneseve, të cilët, secili nga industria që përfaqëson, do të rrëfejë vizionin e vet për të ardhmen e teknologjisë. Gjithashtu, folës ndërkombëtarë, siç është Sirous Kavehercy, do të jenë pjesë e eventit, ku do të informojnë dhe të na entuzazmojnë me informacione interesante rreth fushës së teknologjisë dhe edukimit si shtyllat kyçe të panairit në tërësi.

Zona e Eventeve, që do të jetë e pozicionuar në qendër të sallës së panaireve është e zënë në çdo orar me një aktivitet që është workshop, forum, panel diskutimi etj. Paralelisht, do të ketë një zonë tjetër në panair që ne e kemi quajtur Demo Zone, ku do të bëhet prezantimi i produkteve dhe shërbimeve dhe që do të jetë live streaming gjatë gjithë kohës. Këto janë pak nga shumë aktivitetet që do të zhvillohen në një axhendë të ngjeshur të panairit Future2Tech.

Sipërmarrjet që mund të duan të marrin pjesë dhe nuk kanë zënë ende hapësirën e tyre a kanë më mundësi, apo mënyra të tjera për të qenë të pranishëm?

Kam një lajm të mirë për të gjithë ato kompani që kanë interes për të marrë pjesë si ekspozues në panair. Kemi ende stenda të lira në panair dhe besoj që dhjetë ditët e para të Shtatorit do të na gjejë fully booked. Megjithatë, për të gjithë ata, të cilët nuk do të kenë një hapësirë fizike, ku do të pozicionohen për t’u ekspozuar mund të jenë pjesë e panairit, përmes aktiviteteve të ndryshme, takimeve të biznesit, workshopeve etj.

A synoni që ky të jetë një panair i përvitshëm?

Duke u nisur nga panaire të tematikave të tjera që Iceberg Exhibitions organizon çdo vit, po kështu synohet të trajtohet dhe Panairi i Inovacionit, Teknologjisë dhe Edukimit, Future2Tech. Ky panair do të organizohet çdo vit, me synimin për t’u rritur dhe për t’u shndërruar në platformën rajonale të takimit të kërkesës dhe ofertës, të informimit dhe të ndërgjegjësimit mbi zhvillimet teknologjike në rajon, Evropë dhe në mbarë botën.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0