Laura Carvalho*– Me afrimin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP30) në Belém të Brazilit, po bëhet gjithnjë e më e qartë se zotimi global për një tranzicion të drejtë energjetik po zbehet. Vetëm një vit pas marrëveshjes së arritur në COP29 për të rritur financimin klimatik, me objektivin për të mobilizuar 1.3 trilionë dollarë në vit deri në vitin 2035, vendet e pasura po tërhiqen nga premtimet e tyre financiare. Dhe kjo ndodh pikërisht në një moment kur kostot e përshtatjes dhe dekarbonizimit për vendet në zhvillim po rriten ndjeshëm.
Nëse Veriu Global nuk është më i gatshëm të përmbushë detyrimet e tij financiare, mund të tregojë ende vullnet të mirë në një tjetër mënyrë: përmes ndarjes së njohurive, teknologjisë dhe pronësisë intelektuale që përbëjnë bazën e tranzicionit të gjelbër.
Ky nuk është një problem që mund të shtyhet. Kalimi drejt një ekonomie të gjelbër po riprodhon të njëjtat pabarazi që kanë karakterizuar prej kohësh tregtinë globale. Në vend që të nxisë zhvillimin gjithëpërfshirës, politika klimatike po ndikohet gjithnjë e më shumë nga masa proteksioniste dhe rregjime të pronësisë intelektuale që forcojnë monopolin teknologjik në vendet e pasura. Shembull i qartë është Mekanizmi i Rregullimit të Kufijve të Karbonit i Bashkimit Europian, i cili justifikohet si mbrojtje ndaj “rrjedhjes së karbonit”, por në fakt shërben edhe si mjet proteksionist tregtar.
Një tjetër sinjal është ankesa e fundit e Kinës kundër Indisë për subvencionet e automjeteve elektrike dhe baterive, që tregon se politikat e industrisë së gjelbër po kthehen në burim konfliktet tregtare. Kjo tendencë po krijon tension midis objektivave klimatike dhe rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Nëse kjo vazhdon, masat për klimën mund të bëhen një formë e re përjashtimi ekonomik.
Në thelb të problemit qëndron një pabarazi e thellë: fuqitë e mëdha si Kina, SHBA dhe BE prodhojnë teknologji të avancuara të gjelbra, ndërsa shumica e vendeve në zhvillim eksportojnë lëndë të para, kryesisht minerale kritike. Kjo përsërit ndarjen koloniale të punës, ku Jugu furnizonte materialet dhe Veriu merrte fitimet nga inovacioni dhe prodhimi.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale e ilustrojnë qartë këtë hendek: patentat “e gjelbra” janë përqendruar kryesisht në pak vende si Kina, SHBA, Japonia dhe Gjermania. Midis viteve 2000 dhe 2024, dhjetë ekonomitë më të mëdha përbënin afro 90% të patentave ndërkombëtare në energjinë diellore dhe atë të erës. Brazili, megjithëse është i gjashti në botë për kapacitetin e instaluar të energjisë së erës, zotëron vetëm 0.4% të patentave globale në këtë fushë. Për energjinë diellore, shifra bie në vetëm 0.19%.
Kjo përqendrim teknologjik nuk është rastësor, por rezultat i një sistemi global që favorizon fitimet monopoliste në vend të përfitimit publik. Marrëveshje ndërkombëtare si TRIPS nuk kanë arritur të adresojnë problemin bazë: mungesën e aksesit në teknologji të përballueshme për vendet në zhvillim.
Financimi klimatik nuk mjafton për ta thyer këtë cikël. Në qendër të negociatave duhet të jenë transferimi i teknologjive dhe reforma e sistemit të pronësisë intelektuale. Edhe pse KOKK (Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike) dhe Marrëveshja e Parisit e njohin këtë nevojë, progresi konkret ka qenë minimal.
Lexo edhe: Si mund të harmonizohen raportimet e qëndrueshmërisë në BE
Ka megjithatë përvoja që tregojnë se ndryshimi është i mundur. Në fillim të viteve 2000, Brazili luajti një rol kyç në vendosjen e aksesit në ilaçet kundër HIV/AIDS si të drejtë publike, duke sfiduar monopolin farmaceutik global dhe duke vënë në plan të parë shëndetin publik.
Siç ka theksuar ekonomisti fitues i Nobelit, Joseph Stiglitz, mekanizma të tillë janë thelbësorë për të korrigjuar dështimet e tregut dhe për të siguruar akses të barabartë në inovacion. Pikërisht për këtë arsye, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj të fundit këshillues mbi ndryshimet klimatike, theksoi detyrimin e të gjitha shteteve për të bashkëpunuar jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në zhvillimin dhe shpërndarjen e teknologjive të gjelbra.
Programi për Zbatimin e Teknologjisë (TIP), i miratuar në COP28, mund të shërbejë si platformë për bashkëpunim më të thelluar. Nën drejtimin e Brazilit në COP30, ky program mund të ndihmojë vendet të forcojnë kapacitetet e tyre kombëtare të inovacionit dhe të përshtatin teknologjitë në përputhje me realitetet lokale.
Një shembull konkret është zhvillimi i plehrave me karbon të ulët duke përdorur hidrogjen të gjelbër. Aktualisht, amoniaku, komponenti bazë i plehrave azotike prodhohet nga hidrogjeni që rrjedh nga karburantet fosile. Zëvendësimi i tij me hidrogjen të rinovueshëm do të ulte ndjeshëm emetimet e dioksidit të karbonit dhe do të krijonte një model që mund të përsëritet globalisht.
Kryesimi i Brazilit në COP30 mund të shndërrojë këtë nismë në një vizion të përbashkët të Jugut Global për drejtësi klimatike përmes inovacionit. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike, por një axhendë politike. Vetëm duke u dhënë vendeve qasje në teknologjitë e gjelbra, mund të ndërtohet kapaciteti i nevojshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe në këtë mënyrë, ndihma ndaj të tjerëve do të thotë edhe ndihmë ndaj vetes.
*Laura Carvalho është Drejtoreshë e Programit për Mirëqenie Ekonomike dhe Klimatike në Open Society Foundations dhe Profesore e Asociuar e Ekonomisë në Universitetin e São Paulos.
Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025. /www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.