Pa radhë e vonesa, si bëhet transferimi i pensionit në bankë, udhëzimet - Business Magazine Albania

Pa radhë e vonesa, si bëhet transferimi i pensionit në bankë, udhëzimet

Pensionistët

Në një përpjekje për të modernizuar dhe lehtësuar shërbimet për pensionistët, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka bërë të ditur se tashmë çdo pensionist mund të zgjedhë të marrë pensionin e tij përmes një llogarie bankare.

Ky ndryshim i rëndësishëm u vjen në ndihmë mijëra të moshuarve që, për vite me radhë, janë detyruar të presin në radhë pranë sporteleve të postës për të tërhequr pensionin mujor. Tani, me një procedurë të thjeshtuar dhe transparente, ata mund ta marrin pensionin në mënyrë të rregullt, mujore, direkt në bankë, duke shmangur kontaktet e panevojshme, radhët dhe vonesat. Për të përfituar nga kjo mundësi, çdo pensionist mund të paraqitet pranë një banke të nivelit të dytë, me të cilën ISSH ka marrëveshje bashkëpunimi dhe të hapë një llogari bankare pa komision, vetëm për qëllimin e marrjes së pensionit.

Ndryshe nga llogaritë e zakonshme bankare, kjo llogari nuk ka tarifa mirëmbajtjeje, nuk ka asnjë kosto për tërheqjet apo shërbimet bazë dhe nuk kërkon asnjë pagesë shtesë nga ana e pensionistit. Sapo të hapet llogaria, banka e zgjedhur ndjek të gjitha procedurat e nevojshme për njoftimin e ISSHsë, duke vepruar si ndërmjetës për të realizuar transferimin e qendrës paguese. Brenda tri ditëve pune, kërkesa për transferimin e pensionit përpunohet, ndërsa në pesë ditët në vijim përfundon dhe procesi elektronik i regjistrimit të të dhënave. Kjo do të thotë se brenda pak ditësh nga momenti i aplikimit, pensioni fillon të hidhet rregullisht në llogari, zakonisht rreth datës 20 të çdo muaji.

Lexo edhe: Nga 164 € në Ukrainë në 2,700 € në Luksemburg, ja ku qëndron Shqipëria në hartën e pagave në Europë

Një element i rëndësishëm që duhet të kenë parasysh të gjithë pensionistët që zgjedhin këtë formë të tërheqjes së pensionit është edhe detyrimi për të konfirmuar dy herë në vit që dëshirojnë të vazhdojnë marrjen e pensionit nëpërmjet bankës. Ky konfirmim, i quajtur “deklaratë për vazhdimin e kreditimit”, mund të bëhet shumë lehtë nëpërmjet “e-Albania”, duke përdorur shërbimin “online” përkatës, ose fizikisht në sportelin e bankës ku është hapur llogaria. Afatet për këtë deklarim janë në muajin mars dhe në muajin shtator të çdo viti.

Moskryerja e deklarimit në kohë sjell ndërprerjen e përkohshme të transferimit bankar dhe rikthimin automatik të pagesës në pikën e mëparshme të tërheqjes. Kjo skemë e re nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një hap drejt trajtimit me dinjitet dhe lehtësirave të merituara për pensionistët, shumë prej të cilëve kanë kontribuar për dekada me punën e tyre në sistemin shtetëror e privat. Ajo u kursen kohë, përpjekje fizike dhe mbi të gjitha, u garanton një mënyrë më të sigurt dhe të kontrolluar për të administruar të ardhurat mujore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mijëra pensionistë tashmë kanë zgjedhur këtë formë dhe numri i aplikimeve është në rritje të vazhdueshme. Në një periudhë ku teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e shërbimeve publike, kjo është një mundësi reale për pensionistët që të përfshihen në ritmin e ri të shërbimeve, duke ruajtur sigurinë dhe qetësinë që meritojnë në vitet e pleqërisë. Për çdo paqartësi ose asistencë gjatë aplikimit, zyrat e ISSH-së dhe vetë bankat janë të gatshme të ndihmojnë, ndërsa portali “e-Albania” ofron një platformë të sigurt për aplikime “online” pa nevojë për të dalë nga shtëpia.

 Panorama

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0