Nga Philippe Aghion – Ndërsa debatet mbi perspektivat e rritjes së dobët të Evropës kanë qenë të vazhdueshme të paktën që nga fillimi i shekullit, vitet 2020 u kanë dhënë atyre një urgjencë të re. Jo vetëm që pushtimi i Ukrainës nga Rusia ekspozoi një varësi të rrezikshme nga energjia e importuar, por një ndryshim administrate në Shtetet e Bashkuara i ka detyruar evropianët të rimendojnë se si do të sigurojnë mirëqenien, sigurinë dhe sovranitetin e tyre në të ardhmen. Për më tepër, me Amerikën dhe Kinën që garojnë me shpejtësi në inteligjencën artificiale, e cila konsiderohet gjerësisht si teknologjia e radhës me përdorim të përgjithshëm, në nivel me internetin, mungesa e dinamizmit të Evropës është shndërruar në një emergjencë.
Problemi nuk është vetëm hendeku i përmendur shpesh midis të ardhurave për frymë në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara. Është fakti që Evropa ka mbetur prapa prej kohësh në fushën teknologjike, duke pasur pak liderë globalisht të njohur në ekonominë e platformave digjitale, inteligjencën artificiale, garën e re hapësinore dhe sektorë të tjerë që do të jenë qendrorë për konkurrueshmërinë dhe sigurinë në shekullin XXI.
E varur thellë nga teknologjitë e avancuara të prodhuara diku tjetër dhe e paaftë të gjenerojë rritjen e nevojshme për të financuar objektivat e saj strategjikë dhe detyrimet e ardhshme, Evropa është një shembull tipik pse shkatërrimi krijues, rrëzimi i firmave më pak produktive nga sfidues të rinj inovativë, ka rëndësi. Nëse i heq dorë, atëherë perspektivat e pakësuara të rritjes janë vetëm fillimi i problemeve të tua.
Pavarësisht suksesit të saj si një fuqi tregtare dhe rregullatore, Evropa do të mbetet e cenueshme nëse nuk arrin të çlirojë inovacionin me të njëjtin ritëm dhe shkallë si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe të tjerët. Sepse inteligjenca artificiale ka potencialin të gjenerojë njohuri dhe ide të reja, përveç ofrimit të një game të gjerë shërbimesh ose funksionesh tradicionale prodhuese, ajo mund të jetë një motor dyfish i fuqishëm i llojit të shkatërrimit krijues që nxit rritjen me kalimin e kohës.
Lexo edhe: A po rrezikon Europa objektivat klimatike nga kostot e larta të energjisë?
Inovacioni në vijën e parë bëhet më i rëndësishëm sa më afër të jetë një ekonomi me kufirin teknologjik. Por ndërsa rritja e investimeve në kërkim dhe zhvillim është e nevojshme për të gjeneruar inovacion të nivelit të lartë, ajo nuk është e mjaftueshme. Siç theksohet në raportin e Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministër i Italisë, për Komisionin Evropian, “E ardhmja e konkurrueshmërisë evropiane”, kontinenti do të mbetet i ngecur në inovacion mesatar, me hapa të vegjël, nëse nuk bën përparim të rëndësishëm në tre fronte kryesore, heqjen e të gjitha barrierave që pengojnë arritjen e një tregu plotësisht të integruar për mallra dhe shërbime, krijimin e një ekosistemi financiar të përshtatshëm për të nxitur marrjen afatgjatë të riskut nga firmat, duke filluar me kapitalin sipërmarrës dhe investitorët institucionalë, fondet e pensioneve, fondet e investimeve, dhe shtyrjen përpara të një politike industriale pro-inovacionit dhe miqësore ndaj konkurrencës në fusha kyçe si tranzicioni energjetik, mbrojtja dhe hapësira, përfshirë inteligjencën artificiale, dhe bioteknologjitë.
Evropa jo vetëm që e ka shmangur politikën industriale me pretekstin e zbatimit të politikës së konkurrencës, por gjithashtu ka theksuar konkurrencën midis firmave ekzistuese brenda Evropës duke kushtuar pak vëmendje hyrjes së aktorëve të rinj dhe konkurrencës nga jashtë Evropës, duke filluar me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Hyrja në treg nga kompani të reja inovative nga pjesa tjetër e botës është pikërisht thelbi i shkatërrimit krijues që Evropa ka nevojë për t’u rritur më shpejt. Në fillim të viteve 2000, Giuseppe Nicoletti dhe Stefano Scarpetta të OECD treguan se ndërsa qarkullimi, zëvendësimi i firmave të vjetra, më pak efikase nga të reja, inovative, kishte luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e produktivitetit në ShBA, shumica e përfitimeve të produktivitetit në Evropë po ndodhnin brenda firmave ekzistuese. Shumë nga problemet e sotme të Evropës mund të gjurmohen te ky ndryshim bazë.
Në përgjithësi, Evropa duhet të përditësojë doktrinën e saj ekonomike, e cila e ktheu atë në një gjigant rregullator dhe një xhuxh buxhetor. Së pari, në zbatimin e kufizimeve të Traktatit të Mastrihtit mbi deficitin buxhetor, politikëbërësit nuk duhet t’i trajtojnë më investimet që rrisin rritjen në të njëjtën mënyrë si programet e ndryshme të përsëritura të shpenzimeve publike, si pensionet dhe përfitimet sociale. Për më tepër, ata duhet të lejojnë politika industriale të qeverisura siç duhet, veçanërisht kur ato janë të dizajnuara për të qenë pro-konkurrencës dhe pro-inovacionit. Së fundi, vendet e eurozonës duhet të lejohen të marrin hua kolektivisht për të investuar në revolucionet e reja teknologjike, për sa kohë që shtetet anëtare tregojnë disiplinë në menaxhimin e kuadrit të tyre të shpenzimeve publike.
Nxitja e shkatërrimit krijues dhe inovacionit të nivelit të lartë në Evropë do të kërkojë gjithashtu politika plotësuese për të ndihmuar punëtorët të zhvendosen nga sektorët e prapambetur drejt atyre më të avancuar dhe për të kompensuar humbësit afatshkurtër nga reformat strukturore. Për këtë qëllim, unë kam mbështetur një model të stilit danez “flek-siguri”, ku shteti mbulon pagat e punëtorëve të zhvendosur ndërsa ata ndjekin ritrajnimin dhe ripunësimin. Një revolucion industrial i udhëhequr nga inteligjenca artificiale kërkon asgjë më pak se kaq.
Ishte një europian, Joseph Schumpeter, ai që njohu nevojen e ”shkatërrimit krijues” për zhvillimin ekonomik. Evropianët e sotëm duhet ta përqafojnë atë, por edhe ta bëjnë atë gjithëpërfshirës dhe të pranueshëm shoqërisht nëse duan të lulëzojnë në vitet dhe dekadat që vijnë.
*Philippe Aghion, laureat i Nobelit në ekonomi 2025, është profesor në College de France dhe London School of Economics dhe bashkëpunëtor në Centre for Economic Performance.
Copyright, Project Syndicate, 2025/ www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto