Banka hungareze OTP, kishte konkuruar për të hyrë në tregun shqiptar 15 vite më parë. Sot, kur ajo ka blerë të gjitha aksionet e bankës Societe Generale, u prezantua zyrtarisht në Tiranë.
Dr. Sándor Csányi, Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank është shprehur i lumtur, gjatë një konference për shtyp, për finalizimin e transaksionit në Shqipëri, duke theksuar se tentativa e parë për të hyrë në tregun shqiptar u bë 15 vite më parë, kur nuk ia dolën të blinin Bankën e Kursimeve.
Duke e vlerësuar Shqipërinë si një ekonomi dinamike, z. Csányi tha se OTP ka blerë një bankë të madhe dhe të fuqishme.
Objektiv i OTP është rritja më tej e peshës në tregun shqiptar, ndërsa pritet që investimi aktual të mund t’i kthehet kompanisë brenda pesë viteve të ardhshme.
I pyetur nga gazetarët, ai tha se plani i zgjerimit do të varet nga këshillat e stafit shqiptar. Një blerje tjetër e mundshme do të varet nga rrethanat. Për Shqipërinë, drejtor i OTP është z.Bledar Shella. Duke theksuar se banka është e pesta më e madhja në vend, z.Shella tha se do të investohet në dixhitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e kredisë përmes hapjes së degëve të reja.
Duke u bazuar nga aktiviteti i OTP në Hungari, banka ka interes për investime në bujqësi, në industri e prodhim. Prania e një banke hungareze pritet të krijojë edhe një terren të përshtatshëm për biznesin hungarez.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto