Siguria digjitale po bëhet një nga sfidat më të mëdha për çdo institucion publik dhe biznes. Në këtë drejtim vendi ynë po sheh gjithnjë e më shumë të rinj që e përqafojnë këtë fushë me pasion e përkushtim. Njëri prej tyre është Orgito Leka, Cybersecurity Researcher dhe Software Engineer, i cili u vlerësua me vendin e parë në Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në fazën e parë.
Për Orgiton, suksesi nuk është thjesht rezultat i talentit teknik, por i kuriozitetit të vazhdueshëm për të kuptuar se si funksionon bota digjitale dhe si mund të mbrohet ajo. Përmes blogut të tij “Tech with Orgito”, ai ndan njohuri, përvoja dhe analiza që e bëjnë sigurinë kibernetike më të afërt dhe më të kuptueshme.
Sot, si bashkëthemelues i platformës Trizo-Med dhe udhëheqës i grupeve të cybersecurity në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në 42 Tirana, ai përfaqëson një brez të ri profesionistësh që po e ndërtojnë karrierën mbi dijen, bashkëpunimin dhe dëshirën për të kontribuar në zhvillimin digjital të vendit.
Si ndiheni pas fitimit të vendit të parë në Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike?
Të fitosh vendin e parë ishte një përvojë e fantastike dhe shumë domethënëse për mua. Mbi të gjitha, ishte një moment që vërtetoi se puna e vazhdueshme dhe pasioni për sigurinë kibernetike japin rezultat. Ky sukses më dha një ndjenjë krenarie, por edhe motivim për të ecur më tej, për të mësuar më shumë, për të ndarë njohuritë me të tjerët dhe për të kontribuar realisht në rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike në Shqipëri. Më shumë se një fitore personale, e shoh si një dëshmi që komuniteti ynë i të rinjve në Cybersecurity po rritet dhe ka potencial të jashtëzakonshëm për të arritur nivele ndërkombëtare ne kete fushe
Kur dhe pse filluat të kishit interes për Cybersecurity?
Interesi im për cybersecurity filloi disa vite më parë, kur kuptova se teknologjia moderne po bëhej gjithnjë e më shumë pjesë e çdo fushe të jetës dhe me të, edhe rreziqet që e shoqërojnë. Fillimisht më tërhoqi kurioziteti për të kuptuar se si funksionojnë sistemet dhe si mund të mbrohen nga sulmet, por me kalimin e kohës u shndërrua në pasion.
Lexo edhe: Shpallen fituesit e fazës së parë të Maratonës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike
Ju keni edhe një blog, të quajtur “Tech with Orgito”. Na tregoni diçka më shumë për të
Nisur në vitin 2021, si një blog për të shpërndarë njohuri dhe lajme rreth botës së IT-së dhe programimit, “Tech with Orgito” është shndërruar në një mënyrë për të ndarë dije dhe përvoja reale me komunitetin. Me kalimin e kohës, dhe me rritjen e pasionit tim për sigurinë kibernetike, blogu u zgjerua duke përfshirë analiza të rasteve reale, probleme teknike, si edhe artikuj shpjegues dhe edukues në këtë fushë. Aktualisht, i kushtoj disa orë çdo javë, duke kombinuar kërkimin teknik, testimin e mjeteve të reja dhe përgatitjen e përmbajtjeve që synojnë të informojnë, motivojnë dhe frymëzojnë të rinjtë që duan të hyjnë në botën e cybersecurity dhe teknologjisë moderne.

Cili është projekti juaj aktual?
Aktualisht jam i përfshirë në zhvillimin e një sistemi digjital për menaxhimin e të dhënave të pacientëve dhe klinikave nëpërmjet Trizo-Med, një platformë që synon të modernizojë mënyrën se si institucionet shëndetësore administrojnë informacionin. Si Co-Founder dhe Software Developer, jam përgjegjës për mirëmbajtjen e sistemit dhe zhvillimin e veçorive të reja, duke siguruar që platforma të mbetet funksionale, e qëndrueshme dhe në përputhje me nevojat e përdoruesve.
Çfarë këshille do t’u japje të rinjve që duan të punojnë në sigurinë kibernetike?
Filloni nga baza dhe mos kini frikë të eksploroni. Unë personalisht kam një dëshirë të madhe të punoj me të rinjtë që duan të hyjnë në këtë fushë. Si Cybersecurity Group Leader në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në 42 Tirana, përpiqem të krijoj një mjedis ku si ata që kanë përvojë, ashtu edhe fillestarët, të kenë mundësinë të përfshihen, të mësojnë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre praktike në mënyrë bashkëpunuese.
Si një i ri, si i sheh sfidat kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria, sidomos në vitet e fundit?
Sulmet e fundit kanë treguar se siguria kibernetike nuk është më një çështje thjesht teknike, por një prioritet kombëtar. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit, por ende mbetet shumë për të bërë veçanërisht në edukim, koordinim ndërinstitucional dhe në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme kibernetike.
Unë e shoh këtë si një mundësi të madhe për brezin e ri: të kontribuojë me dije, pasion dhe inovacion në ndërtimin e një Shqipërie më të sigurt dixhitale.
Gjithashtu, Shqipëria ka një mungesë të ndjeshme të specialistëve në këtë fushë, ndaj është thelbësore që të rinjtë të orientohen drejt profesioneve të sigurisë kibernetike, një sektor që jo vetëm ka rëndësi strategjike, por edhe ofron mundësi të mëdha zhvillimi profesional.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto