OpenAI po ndërton epokën e re të internetit, dhe po shpenzon miliarda për ta bërë realitet - Business Magazine Albania

OpenAI po ndërton epokën e re të internetit, dhe po shpenzon miliarda për ta bërë realitet

Dikur një laborator kërkimor i panjohur përtej Silicon Valley-t, OpenAI u bë emri më i përmendur në botën e teknologjisë pas publikimit të ChatGPT-së në nëntor të vitit 2022. Tre vite më vonë, kompania është kthyer në simbol të revolucionit të inteligjencës artificiale, duke bërë xheloze rivalët e saj në Big Tech dhe duke e vendosur CEO-n Sam Altman në qendër të vëmendjes globale,  madje edhe në orbitën politike të ish-presidentit Donald Trump.

Sot, ChatGPT nuk është më thjesht një “chatbot” që shkruan tekste. Ai krijon aplikacione, planifikon udhëtime, kërkon në internet dhe po zgjerohet drejt fushave si tregtia elektronike, argëtimi, arsimi dhe madje edhe shërbimet publike. Në konferencën e zhvilluesve të mbajtur të hënën, OpenAI shpalosi ambicien për t’u bërë më shumë se një aplikacion, një platformë që mund të shndërrohet në qendër të ekosistemit të ardhshëm të internetit. Për të përballuar kërkesën gjithnjë e më të madhe për kapacitete llogaritëse, OpenAI po investon miliarda dollarë në ndërtimin e qendrave të të dhënave (data centers) që do të fuqizojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale. Investimi më i fundit, i njoftuar këtë javë, parashikon 6 gigavat kapacitet kompjuterik të bazuar në çipa të AMD-së, një hap që pason marrëveshje të ngjashme me Nvidia dhe Oracle. Në një farë mënyre, rritja e OpenAI është rrethore: i duhen aplikacione të reja për të gjeneruar të ardhura, dhe i duhen të ardhura për të blerë më shumë fuqi llogaritëse që të zhvillojë aplikacione edhe më të fuqishme. “Ne kemi nevojë për aq shumë kapacitet kompjuterik sa të jetë e mundur,” deklaroi presidenti i OpenAI, Greg Brockman, për CNBC. Në janar, kompania njoftoi një partneritet me Oracle dhe SoftBank, duke planifikuar deri në 500 miliardë dollarë investime për ndërtimin e një rrjeti të gjerë infrastrukture nën emrin Stargate. Projekti i parë, një qendër të dhënash me sipërfaqe mbi 100 mijë metra katrorë, po ngrihet në Abilene, Teksas, ndërsa pika të tjera janë planifikuar në Teksas, New Mexico dhe Midwest. Vetëm për zgjerimin e kapaciteteve të Stargate, OpenAI do t’i paguajë Oracle-s 300 miliardë dollarë për pesë vjet. Muajin e kaluar, kompania njoftoi se do të blejë sasi të mëdha çipash Nvidia për të fuqizuar 10 gigavat të tjerë kapacitet llogaritës, marrëveshje që lidhet me një investim prej 100 miliardë dollarësh nga Nvidia. Dhe ndërsa Nvidia mbetet partneri kryesor i infrastrukturës, marrëveshja me AMD shërben si një strategji për të diversifikuar burimet. OpenAI ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje për ndërtimin e qendrave të të dhënave jashtë SHBA-së, përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lexo edhe: Etosi “luftarak” amerikan nuk do ta mbrojë Evropën

Ashtu si Google, Amazon dhe Meta që formësuan internetin modern përmes kërkimit, tregtisë dhe rrjeteve sociale, OpenAI synon të jetë motori kryesor i epokës së AI-së. Sipas Sam Altman, ChatGPT tashmë numëron 800 milion përdorues aktivë çdo javë, dhe vizioni i kompanisë është që njerëzit të mund të kryejnë çdo veprim online pa u larguar nga aplikacioni. Në të ardhmen, përdoruesit do të mund të krijojnë lista muzikore në Spotify apo të shfletojnë njoftime apartamentesh në Zillow direkt nga ChatGPT. Në fund të shtatorit, kompania lançoi mjetin Instant Checkout, që lejon blerjen e produkteve brenda bisedës. Ndërkohë, Study Mode personalizon përmbajtjen për nxënësit, dhe aplikacioni i ri Sora 2 sfidon Meta dhe TikTok me një rrjedhë videosh të shkurtra të gjeneruara nga AI.OpenAI po punon edhe në pajisje fizike, në bashkëpunim me ish-drejtorin e dizajnit të Apple, Jony Ive, për të krijuar një produkt të ri të bazuar në inteligjencë artificiale. Detajet mbeten të pakta, por synimi është të rivalizohet vetë smartphone-i, pajisja më e përdorur e ditës sonë.

Rruga që po ndjek OpenAI ngjan me atë të Alphabet, kompania mëmë e Google, e cila nisi duke indeksuar internetin dhe sot ka ndikim në çdo aspekt të jetës digjitale, nga pajisjet inteligjente deri te kërkimi shkencor. “Google është shndërruar në një korporatë me një prani të pashmangshme në çdo cep të internetit,” shpjegon Thomas Thiele, ekspert i inteligjencës artificiale në Arthur D. Little. “OpenAI po synon të arrijë pikërisht këtë nivel ndikimi.” Por, ndërsa rrjeti i saj digjital rritet, sfidat janë të mëdha: konkurrenca me Meta, Google e Amazon është e ashpër, investitorët flasin për një “flluskë” të mundshme të tregut të AI-së, dhe kompania, ende jo fitimprurëse, duhet të sigurojë kapital gjigant për të mbajtur ritmin e rritjes. Në çdo rast, qartësia e vizionit mbetet e njëjtë: OpenAI nuk po ndërton thjesht mjete të reja — ajo po ndërton vetë strukturën e epokës së re të internetit.

 

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0