OpenAI ka hequr dorë nga një plan i debatueshëm për t’u kthyer në kompani fitimprurëse, zbuloi CEO Sam Altman , një lëvizje surprizë që erdhi pasi gjiganti i inteligjencës artificiale u përball me kundërshtime të ashpra nga ish-punonjës, zyrtarë shtetërorë dhe Elon Musk.
Kompania që qëndron pas ChatGPT kishte sinjalizuar më herët planet për të krijuar një public benefit corporation (korporatë me qëllim publik), që do ta bënte më të lehtë sigurimin e fondeve. Por në vend të kësaj, bordi jofitimprurës do të mbikëqyrë një LLC fitimprurëse, e cila do të ristrukturohet si korporatë me qëllim publik që do të ketë detyrimin të marrë në konsideratë interesat e aksionerëve dhe misionin e saj. Altman tha se OpenAI e mori këtë vendim “në mënyrë që jofitimprurësja të mbetet në kontroll”, pas takimeve me liderë qytetarë dhe bisedave me zyrat e Prokurorëve të Përgjithshëm të Kalifornisë dhe Delaware. “Presim me padurim të përparojmë me detajet e këtij plani në bisedimet e vazhdueshme me ta, me Microsoft dhe me anëtarët e rinj të bordit jofitimprurës,” shtoi Altman.
OpenAI është e regjistruar në Delaware dhe ka selinë në San Francisko, Kaliforni duke i dhënë mundësinë të dy shteteve që të ndërhyjnë dhe të japin mendimin e tyre mbi planet e kompanisë. Prokurorja e Përgjithshme e Delaware, Kathy Jennings, konfirmoi në një deklaratë se kishte shprehur shqetësimet e saj lidhur me planet fillestare të OpenAI për t’u kthyer në kompani fitimprurëse. “Jam inkurajuar nga njoftimi i sotëm që kompania po kërkon të adresojë shqetësimet e mia duke propozuar një plan në të cilin enti jofitimprurës i Delaware mban kontrollin mbi entin e ri fitimprurës,” tha Jennings. “Tani që kompania ka një plan të ri, kam ndërmend ta shqyrtoj atë për të siguruar që është në përputhje me ligjin e Delaware dhe që i qëndron besnike qëllimit të saj bamirës,” shtoi ajo.
Lexo edhe:Një ide gjeniu, si Kenneth Cole shiti 40,000 këpucë në dy ditë?
Prokuroria e Përgjithshme e Kalifornisë nuk ka kthyer ende një përgjigje mbi këtë çështje. Muajin e kaluar, një grup i përbërë nga ish-punonjës, laureatë të Nobelit si “babai i AI-së” Geoffrey Hinton, profesorë të së drejtës dhe organizata mbikëqyrëse si Tech Oversight Project, kërkuan që të dy shtetet të ndalonin planet fitimprurëse të OpenAI. “Ristrukturimi do të hiqte kontrollin e jofitimprurëses dhe do të eliminonte mekanizmat e rëndësishëm të qeverisjes,” thuhej në një letër të postuar online dhe dërguar bordit të OpenAI. Kjo lëvizje ka ndikim edhe në betejën ligjore mes OpenAI të drejtuar nga Altman dhe miliarderit Elon Musk, i cili është përpjekur ta ndalojë OpenAI nga kalimi në një kompani fitimprurëse. Musk e ka akuzuar OpenAI se ka braktisur misionin jofitimprurës për të ndërtuar inteligjencë artificiale të sigurt për njerëzimin, ndërkohë që është shndërruar në një “gjigant fitimprurës prej 157 miliardë dollarësh që paralizon tregun”. Në padinë e tij përfshihen gjithashtu si të paditur investitori kryesor Microsoft, miliarderi Reid Hoffman dhe të tjerë. Në mars, një gjyqtare federale refuzoi kërkesën e Musk për një urdhër të përkohshëm që do të ndalonte OpenAI nga ristrukturimi, por ajo tha se mund të përshpejtojë procesin gjyqësor që mund të nisë që këtë vjeshtë për të shqyrtuar çështje të tjera. Më herët këtë vit, Musk bëri një ofertë të papritur prej 97.4 miliardë dollarësh për të blerë OpenAI, e cila u refuzua menjëherë nga Altman dhe bordi i tij. Përveç drejtimit të kompanisë, enti jofitimprurës do të bëhet një “aksionar i madh” në korporatën fitimprurëse. Kjo ristrukturim do të thotë se punonjësit — përfshirë ndoshta edhe vetë Altman — si dhe investitorët dhe të tjerë, do të mund të mbajnë aksione në degën fitimprurëse të OpenAI. Plani i ri i ristrukturimit mori formë pas një periudhe tensioni në fund të vitit 2023, kur Altman u shkarkua përkohësisht pas një mosmarrëveshjeje me versionin e mëparshëm të bordit jofitimprurës. Ai u rikthye pak më vonë pas një marrëveshjeje që solli largimin e shumicës së bordit të vjetër. Investitorët kanë shtyrë për ristrukturimin, pjesërisht sepse kjo do të lejonte kompaninë të motivonte Altman, i cili nuk kishte marrë më parë pagesë, dhe të siguronte më shumë fonde për ndjekjen e objektivit të saj kryesor: inteligjencën e përgjithshme artificiale AI me aftësi në nivelin e njeriut ose më të larta.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.