OKB jep alarmin: Zhvillimi njerëzor po përjeton një ngadalësim historik - Business Magazine Albania

OKB jep alarmin: Zhvillimi njerëzor po përjeton një ngadalësim historik

Progresi në zhvillimin njerëzor po përjeton një ngadalësim të paprecedentë, paralajmëron një raport i ri i publikuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Me titullin “Çështje Zgjedhjeje: Njerëzit dhe Mundësitë në Epokën e Inteligjencës Artificiale (AI),” Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2025 sugjeron se AI mund të jetë një rrugëdalje jetike për të rifilluar progresin global.Edhe pse Evropa dhe Azia Qendrore ruajnë një indeks të lartë të Zhvillimit Njerëzor (HDI) prej 0.818, mbi mesataren globale prej 0.756 , rritja në këto rajone është ngadalësuar që nga viti 2020. Ky trend pasqyron një model global ku rimëkëmbja pas pandemisë ka qenë më e dobët se sa pritej. Raporti thekson se, përveç viteve të krizës 2020–2021, rritja e projektuar për këtë vit në zhvillimin njerëzor është më e vogla që nga viti 1990.

Raporti vlerëson zhvillimin njerëzor përmes HDI-së, një tregues që kombinon të dhëna për shëndetin, arsimin dhe të ardhurat. Parashikimet për vitin 2024 tregojnë se progresi është ‘bllokuar’ në të gjitha rajonet e botës.

Ndërsa Evropa dhe Azia Qendrore kanë një humbje më të ulët të HDI-së të rregulluar për pabarazitë (12.1%) krahasuar me mesataren globale (22%), këto mesatare fshehin dallime të mëdha mes vendeve, me humbje që variojnë nga 6.4% në 17.0%. Raporti nënvizon kërcënimet e reja që vijnë nga plakja e popullsisë dhe shërbimet e drejtuara nga AI, sidomos në pritshmërinë për jetë të shëndetshme dhe në përputhjen e aftësive me tregun.

Lexo edhe: Sistemi ynë Diellor mund të ketë vërtet 9 planetë, sugjeron një studim i ri

Por situata globale është edhe më shqetësuese: pabarazitë midis vendeve të pasura dhe të varfra po zgjerohet, duke përmbysur dekada përparimi. Për të katërtin vit radhazi, hendeku midis vendeve me HDI të ulët dhe atyre me HDI shumë të lartë po rritet. Kjo prapambetje shkaktohet nga tensionet tregtare, krizat e borxhit dhe rritja e industrializimit pa punësim në vendet në zhvillim.

“Deri vonë, ishim në rrugën e duhur për të arritur një nivel shumë të lartë të zhvillimit njerëzor deri në vitin 2030,” thotë Achim Steiner, Administrator i UNDP. “Por nëse ngadalësimi i tanishëm bëhet ‘normaliteti i ri’, atëherë ky objektiv mund të shtyhet për dekada. Kjo do të sjellë një botë më të ndarë, më pak të sigurt dhe më të ndjeshme ndaj krizave ekonomike dhe ekologjike.”

Në këtë klimë të pasigurt, AI shfaqet si sfidë, por edhe si një mundësi për transformim. Raporti i nxit vendimmarrësit që të rishikojnë strategjitë e zhvillimit në dritën e teknologjive që po evoluojnë me shpejtësi. Sipas një sondazhi të ri të përfshirë në raport, njerëzit në të gjithë botën janë realistë, por optimistë për potencialin e AI.

Ndërsa gjysma e të anketuarve globalisht mendojnë se puna e tyre mund të automatizohet, 60% presin që AI të ndikojë pozitivisht në punësim duke krijuar mundësi të reja pune. Vetëm 13% kanë frikë se AI do të shkaktojë humbje masive vendesh pune. Optimizmi është edhe më i lartë në vendet me HDI të ulët dhe mesatar, ku 70% mendojnë se AI do të rrisë produktivitetin dhe dy të tretat presin ta përdorin AI në arsim, shëndetësi apo punë brenda një viti.

Për të përfituar plotësisht nga AI, raporti bën thirrje për një qasje të përqendruar te njeriu dhe thekson tre fusha kryesore veprimi:

-Ndërtimi i ekonomive ku njerëzit bashkëpunojnë me AI, në vend që të konkurrojnë kundër saj.

-Përfshirja e agjencisë njerëzore në çdo fazë të ciklit të AI, nga projektimi deri te zbatimi.

-Modernizimi i sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë, për t’u përshtatur me kërkesat e shekullit XXI.

Demokratizimi i AI tashmë ka nisur. Rreth një në pesë të anketuar thonë se e kanë përdorur AI, ndërsa dy të tretat në vendet me HDI më të ulët presin ta përdorin atë për qëllime edukative, shëndetësore apo profesionale në vitin që vjen. Kjo e bën urgjente mbylljen e boshllëqeve në qasjen ndaj energjisë elektrike dhe internetit, për të mos lënë askënd pas. Megjithatë, vetëm qasja nuk mjafton: ndarja e vërtetë do të varet nga sa mirë AI plotëson dhe përmirëson atë që njerëzit bëjnë.

“Zgjedhjet që bëjmë në vitet e ardhshme do të përcaktojnë trashëgiminë e këtij tranzicioni teknologjik për zhvillimin njerëzor,” thotë Pedro Conceição, Drejtor i Zyrës së Raportit të Zhvillimit Njerëzor të UNDP. “Me politikat e duhura dhe fokusin te njerëzit, AI mund të jetë një urë drejt dijes, aftësive dhe ideve të reja që fuqizojnë të gjithë, nga bujqit deri te sipërmarrësit e vegjël.”

Për më shumë, lexoni të plotë Raportin e Zhvillimit Njerëzor 2025 këtu

 

Burimi: UNDP/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0