Punimet në këtë nyje kanë filluar së fundi, pas finanicimit prej 1.6 mld lekë nga buxheti i shtetit.
Kjo është një pikë strategjike për trafikun, pasi lidh Rrugën e Kombit me aksin që shkon nga Tirana drejt Shkodrës.
Gjatë inspektimit të punimeve, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se prej muajit gusht nyja do të bëhet funksionale, duke synuar lehtësimin e trafikut të mjeteve gjatë sezonit turistik.
“Edhe gjatë kësaj vere, gjithë pushuesit do ta ndjejnë diferencën e madhe që do të ketë lehtësimi i trafikut pikërisht në këtë nyje. Kjo është një nga ato veprat e tjera të rëndësishme që ne jemi duke hapur. Këtu do të jetë edhe lidhja me autostradën nga Miloti deri në Balldren”, u shpreh Gjiknuri.
Afrim Qëndro, drejtuesi i Autortitetit Rrugor Shqiptar, bëri me dije se punimet pritet të përfundojnë tërësisht brenda 15 muajve.
“Jemi në nyjen e Milotit. Ka pak ditë që është lidhur kontrata për përfundimin e punimeve të ngelura dhe plotësimin me rrugë dytësore për gjithë nyjen e Milotit. Është një vepër që ka shumë vite që ka filluar, kishin ngelur punimet të pabëra. Kjo nyje nuk mund të futej në shfrytëzim nëse nuk bëhej ky projekt i ri dhe kjo garë e re. E kemi nisur punën dhe përfundimisht brenda 15 muajve kjo nyje do të përfundojë me të gjitha zgjidhjet e plota teknike”, tha Qëndro.
Krahas kësaj pike, investimet parashikojnë edhe rehabilitimin e 9 kilometrave rrugë në zonën përrreth.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto