Një passcod për të njohur klientin, mes gjeneratash
“Ai/ajo është rritur me smartphone në dorë.” Një shprehi që i atribuohet gjeneratës Z dhe që për të cilën, duket se kushdo bie në dakordësi. Asgjë e ngjashme nuk është artikuluar për gjeneratat e mëparshme, qoftë edhe për gjeneratën Y, pavarësisht faktit se çdo e dhënë studimore pohon se janë pikërisht mijëvjeçarët ata që po udhëheqin zakone të reja në blerje (online) dhe po ndikojnë në përzgjedhje markash. Thënë ndryshe, në përvojën e konsumatorit. Me stilin e jetesës, rritjen e moshës së martesës, sikurse me orientimin e tyre të gjithanshëm – nga mallrat e konsumit, ushqim/pijet dhe automobilat, deri te media, argëtimi dhe teknologjia.
Dua të ecim së bashku me idealizmin e një mijëvjeçari. Gjithashtu, për të qenë transparent në këtë artikull si vetë dëshira e gjeneratës Z për markat dhe shërbimet. Por, edhe i prirur drejt hulumtimit si gjenerata X, për çdo produkt të reklamuar… Apo fakteve, si një baby boomer.
Janë të shumta arsyet përse ekzistojnë raporte ndërvepruese, kaq të ndryshme mes gjeneratave dhe mediave sociale, dritares tashmë kryesore të reklamimit digjital dhe shitjes së një produkti. Megjithatë, arsyeja primare dhe ndoshta më e rëndësishmja është dita kur gjithkush vjen në këtë botë.
Le t’i njohim pak më shumë gjeneratat e sipërpërmendura dhe jo vetëm:
Sjellja e digjitale e vendeve të Ballkanit dhe tendencat
Me ta ka evoluar definitivisht edhe teknologjia. Impulsi njerëzor për të komunikuar me një gjuhë që bën bashkë imazhe, fjalë, shifra dhe simbole, ka shkruar historinë e atyre që njihen si media sociale dhe që s’janë veçse vitale për jetëgjatësinë e bizneseve. Përmendim biznese sepse janë ato që, me analizën e thellë të marketerëve, përcaktojnë dhe shënjestrojnë mes gjeneratash profilin e klientit ideal.
Përpara se të ndalemi në veçoritë e këtij klienti (mes të katërta gjeneratave), le të shohim pak bashkë të dhënat e siguruara nga DataReportal për vitin 2023, për të kuptuar sjelljen digjitale të vendeve të Ballkanit dhe tendencat e tyre.
Ballkani | Popullsia totale | Përdorues të aparatit celular | Përdorues të internetit | Përdorues aktiv të mediave sociale |
Shqipëri | 2.84 milionë | 3.47 milionë | 2.27 milionë | 1.60 milionë |
Kosovë | 1.66 milionë | 1.92 milionë | 1.60 milionë | 932 mijë |
Serbi | 7.18 milionë | 9.00 milionë | 6.06 milionë | 5.01 milionë |
Kroaci | 4.02 milionë | 5.37 milionë | 3.34 milionë | 2.94 milionë |
Mali i Zi | 626.7 mijë | 1.35 milionë | 562.7 mijë | 472.7 mijë |
Greqi | 10.36 milionë | 14.95 milionë | 8.71 milionë | 7.49 milionë |
Bosnje & Hercegovinë | 3.22 milionë
|
3.90 milionë | 2.47 milionë | 1.80 milionë |
Bullgari | 6.73 milionë | 9.79 milionë | 5.59 milionë | 4.42 milionë |
Rumani | 20.6 milionë | 29.15 milionë | 17.82 milionë | 13.50 milionë |
Të dhënat e tabelës na orientojnë drejt konkluzionit se: Në vendet e Ballkanit, interneti dhe mediat sociale janë të aksesueshme nga pjesa më e madhe e popullsisë. Sakaq, motivet për zakonet digjitale njihen tashmë dhe nuk janë të pakta, ndonëse ndryshojnë nga brezi në brez.
Përmendim këtu nevojën e vazhdueshme për informacion, vendosjen në kontakt me miq, familjarë e njerëz të rinj; përditësimin me lajmet më të fundit, ndjekjen e videove, spektakleve, filmave apo dëgjimin e muzikës; ndjekjen e një tutorial-i, gjithashtu nevojën për t’u edukuar për financat apo problemet shëndetësore.
Ne krijuesit, i drejtohemi internetit dhe mediave sociale përpos çdo arsyeje të përmendur, edhe për lançimin e fushatave të suksesshme.
Gjenerata të ndryshme, preferojnë platforma të ndryshme sociale
Ajo çka hera-herës has hezitim është pyetja se cilat media sociale preferohen më së shumti nga gjeneratat e ndryshme.
- TikTok është dukshëm më i popullarizuar në mesin e përdoruesve më të rinj. 8.9% e femrave dhe 5, 4% e meshkujve të gjeneratës Z, të moshës 16-24 vjeç, thonë se TikTok është platforma e tyre e preferuar sociale.
- Facebook është zgjedhja e parë e gjeneratës Y dhe gjeneratës X – përkatësisht e 33,7% femrave dhe e 33,6% meshkujve në total, të moshës 25-54 vjeç.
- WhatsApp është sakaq platforma e përzgjedhur e një përqindjeje të vogël të gjeneratës X dhe baby boomers – e 20,4% femrave dhe 19,3% meshkujve në total, të moshës 45-64 vjeç.
Le të ndalemi në një tjetër infografik nga DataReportal, për të argumentuar pohimin se gjenerata Y jo më kot është cilësuar si brezi më influencues përgjatë 10-vjeçarit të fundit. Edhe kur bëhet fjalë për platformat sociale më të përdorura në botë, ajo çka preferon më së shumti kjo gjeneratë, renditet e para në listë. Kjo platformë, është Facebook.
*Platformat sociale të preferuara në botë, deri në Janar 2023
Dallimet që bëhen bashkë për një të vërtetë të pakundërshtueshme
- Mijëvjeçarët – këta ndikues socialë – i përdorin mediat si Facebook për t’u lidhur, për të ndarë eksperienca dhe për të mësuar. Ata preferojnë përmbajtje që është informuese, relevante, argëtuese, por edhe frymëzuese. Njihen si ndikues socialë për faktin se në demografinë e blerësve B2B, ata rezultojnë në përqindje më të lartë.
Sipas raportit vjetor të TrustRadius – platformë e besueshme në vendimmarrje teknologjike – mijëvjeçarët janë blerësit më të mëdhenj në “lojë” dhe rezulton se 60% e tyre është fuqi reale.
- Gen Z – të rritur me telefona inteligjentë, aplikacione dhe platforma online – vlerësojnë autenticitetin dhe kreativitetin, si dhe preferojnë përmbajtje të shkurtër, vizuale, mbi të gjitha ndërvepruese. Jo më kot TikTok rezulton si platforma më e preferuar e tyre.
I njëjti raport i TrustRadius për vitin 2023, tregon se kjo gjeneratë zë vetëm 2% në demografinë e blerësve B2B, një përqindje thuajse të papërfillshme.
- Genz X – blerësit socialë – i përdorin mediat online për të hulumtuar, krahasuar dhe blerë produkt/shërbim, ndërsa janë të hapur ndaj reklamave dhe ofertave. Ata orientohen drejt vlerave dhe preferojnë përmbajtjen që është e qartë dhe bindëse. Çfarë kërkohet në këtë rast nga ana e agjensive, është të nënvizojnë përfitimet dhe veçoritë e brand-eve, të ofrojnë stimuj dhe garanci.
Deri më tani, rezulton se gjenerata X është pasuese e mijëvjeçarëve sa i takon fuqisë blerëse, me 32%.
- Baby Boomers – nxënësit socialë – siç mund të kuptohet për nga vitet ku shtrihet si gjeneratë, dallojnë për qasjen e tyre konservatore në mediat sociale. Ata mbeten vlerësues të një përmbajtjeje faktike dhe logjike. Iu pëlqen të qëndrojnë të informuar, por nuk reshtin së qenuri skeptikë. Për të apeluar tek Baby Boomers, edhe platformat duhet të garantojnë besueshmëri dhe reputacion. Pra, padyshim që tek ta nuk mund të depërtosh duke përdorur Snapchat.
Në raportin e TrustRadius, baby boomers përbëjnë vetëm 6% demografisë së blerësve B2B.
Me një vetëdije të plotë mbi tiparet dalluese të brezave, marketerët e së sotmes, që të jenë të së ardhmes, duhet të sigurohen se janë gjithmonë në ndjekjen e risive dhe formave të përmbajtjes që ofrojnë mediat sociale. Agjencitë e marketingut gjithashtu duhet të marrin parasysh për strategjitë e komunikimit dhe strategjitë digjitale se mijëvjeçarët dhe gjenerata X janë fuqia më e madhe blerëse dhe se gjenerata Z, ndryshe nga Boomers, është në rritje. Kjo duhet të përkthehet në largpamësi në një rishpërndarje ndryshe të demografisë së blerësve.
Megjithatë, diçka mbetet e padiskutueshme: Nxënësit, ndikuesit dhe blerësit socialë, të gjithë janë ushqyes të ekosistemit të marketingut.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.