Kompania amerikane Nvidia (NVDA.O) ka porositur 300 mijë çipë grafikë H20 nga prodhuesi tajvanez TSMC (2330.TW), sipas dy burimeve për Reuters. Një nga burimet deklaron se kjo lëvizje u nxit nga një rritje e ndjeshme e kërkesës në tregun kinez, një ndryshim i papritur nga strategjia e mëparshme e kompanisë për të shitur vetëm nga stoku ekzistues.
Në fillim të këtij muaji, administrata Trump hoqi ndalimin e shitjes çipëve H20 drejt Kinës, një ndalim i vendosur për të frenuar aksesin e Pekinit në teknologjinë e përparuar të inteligjencës artificiale për arsye sigurie kombëtare.
Çipi H20 është zhvilluar enkas për tregun kinez, pas kufizimeve të vendosura më 2023 mbi modelet e tjera më të fuqishme si H100 apo seria e re Blackwell. Këto çipa mbeten të ndaluar për eksport drejt Kinës.
Porosia e re pritet të shtojë stoqet ekzistuese të Nvidia-s me 600-700 mijë njësi H20, sipas burimeve të njohura me situatën. Vetëm gjatë vitit 2024, kompania kishte shitur rreth 1 milion çipa H20, sipas të dhënave nga firma analitike amerikane SemiAnalysis.
Gjatë një vizite në Pekin këtë muaj, CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, deklaroi se volumi i porosive do të përcaktonte nëse do të rifillohej prodhimi i këtyre çipëve, një proces që kërkon deri në nëntë muaj për t’u rivënë në funksion të plotë.
Pas kësaj vizite, media The Information raportoi se Nvidia kishte njoftuar klientët e saj për mungesën e stokut të H20 dhe se nuk kishte plane të menjëhershme për rifillimin e prodhimit.
Megjithëse Nvidia ka marrë sinjale pozitive nga autoritetet amerikane për miratimin e licencave të eksportit, Departamenti amerikan i Tregtisë ende nuk i ka aprovuar ato zyrtarisht, sipas burimeve të tjera.
Lexo edhe: Alibaba hyn në garën e syzeve inteligjente, krijon syzet Quark të fuqizuara nga Qualcomm
Një burim tjetër konfirmoi se Nvidia u ka kërkuar kompanive kineze që duan të blejnë çipët H20 të paraqesin dokumentacion të ri, përfshirë parashikime për volumin e porosive nga klientët e tyre.
Një çip kyç në luftën tregtare SHBA-Kinë
Rifillimi i shitjeve të H20 vjen si pjesë e negociatave të fundit mes SHBA-së dhe Kinës për eksportet e magnetëve të rrallë, elementë të rëndësishëm për industri të shumta, të cilat Pekini i ka kufizuar gjatë tensioneve tregtare.
Kjo lëvizje është kritikuar nga ligjvënës amerikanë të të dyja partive, të cilët paralajmërojnë se aksesimi i Kinës në çipat H20 mund të minojë përpjekjet e SHBA-së për të ruajtur epërsinë në teknologjinë e AI-së.
Megjithatë, sipas Nvidia dhe ekspertëve të tjerë, është jetike të ruhet interesi i Kinës për produktet e Nvidia-s dhe ekosistemin e saj softuerik, në mënyrë që zhvilluesit kinezë të mos kalojnë plotësisht te rivalët lokalë, si Huawei.
Para ndalimit të muajit prill, gjigantët kinezë si Tencent, ByteDance dhe Alibaba kishin rritur ndjeshëm porositë për H20, ndërsa zhvillonin modele AI me kosto të ulët si ato të DeepSeek, përveç modeleve të tyre të brendshme.
Pavarësisht se Huawei po përpiqet të mbushë boshllëkun, çipat e Nvidia-s mbeten shumë të kërkuar në Kinë, aq sa është rritur ndjeshëm edhe kërkesa për riparimin e GPU-ve të tjera të ndaluara, shumë prej të cilave janë kontrabanduar në vend.
Pas ndalimit të H20, Nvidia paralajmëroi se mund të detyrohej të shënonte humbje deri në 5.5 miliardë dollarë në inventar, ndërsa Huang deklaroi për podcast-in Stratechery se kompania kishte humbur gjithashtu 15 miliardë dollarë në shitje potenciale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.