Nvidia parashikon 1 trilion dollarë porosi nga Inteligjenca Artificiale deri në 2027 - Business Magazine Albania

Nvidia parashikon 1 trilion dollarë porosi nga Inteligjenca Artificiale deri në 2027

Nvidia
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Kërkesa në rritje për mjete të Inteligjencës Artificiale mund të çojë të ardhurat e Nvidia drejt një shifre marramendëse prej 1 trilion dollarësh brenda dy viteve të ardhshme, sipas CEO-së Jensen Huang. Kompania deklaroi se vala e Inteligjencës Artificiale mund të gjenerojë deri në 1 trilion dollarë porosi deri në vitin 2027, ndërsa prezantoi një gjeneratë të re çipash dhe teknologjish në konferencën e saj vjetore GTC. Duke folur në këtë event, Huang theksoi se kërkesa për fuqi llogaritëse po përshpejtohet vazhdimisht. Aksionet e kompanisë u rritën lehtë në tregtimin para hapjes së bursës pas njoftimeve.

Ndër risitë e prezantuara përfshihen gjysmëpërçues të rinj të ndërtuar me teknologjinë e startup-it Groq, si dhe plane për zhvillimin e çipave që do të përdoren në qendra të dhënash në hapësirë.

Sipas Nvidia-s, platformat e reja do të mundësojnë funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në orbitë, duke mbështetur analiza gjeohapësinore dhe operacione autonome në hapësirë.

Kompania ka qenë një nga përfitueset më të mëdha të bumit të AI-së, me të ardhurat që janë rritur nga 27 miliardë dollarë në vitin 2022 në 216 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke e çuar vlerën e saj në rreth 4.5 trilionë dollarë.

Lexo edhe: Raporti/ Si po ndryshon Inteligjenca Artificiale mënyrën se si njerëzit përdorin dhe besojnë lajmet?

Megjithatë, aksionet janë ftohur muajt e fundit, pasi kishin kaluar përkohësisht vlerën prej 5 trilionë dollarësh në tetor, mes shqetësimeve se entuziazmi për AI mund të jetë i ekzagjeruar.

Analistët theksojnë se Nvidia duhet të bindë investitorët se rritja e saj e shpejtë është e qëndrueshme, ndërsa konkurrenca po intensifikohet. Gjigantë teknologjikë si Google dhe Meta Platforms po zhvillojnë çipat e tyre të inteligjencës artificiale, ndërkohë që kufizimet e eksportit nga SHBA kanë reduktuar shitjet e Nvidia-s në Kinë.

Pavarësisht sfidave, kërkesa për çipat më të fundit Blackwell dhe Rubin mbetet e fortë. Nvidia po zgjerohet gjithashtu në fushën e çipave të “inference”, të cilët i lejojnë sistemet e AI të gjenerojnë përgjigje më efikase pas trajnimit, duke fuqizuar mjete si ChatGPT dhe Gemini.

“Momenti i ‘inference’ ka ardhur,” deklaroi Huang. Për të përforcuar këtë tranzicion, Nvidia ka arritur një marrëveshje shumë-miliardëshe me Groq, që përfshin edhe rekrutimin e inxhinierëve kryesorë të këtij startup-i.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0