Njihuni me BiblioTech, projekti që shndërron bibliotekat e qytetit në qendra të zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit

Njihuni me BiblioTech, projekti që shndërron bibliotekat e qytetit në qendra të zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit

Bibliotech

Financuar nga UNICEF Albania dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Shoqata Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm, është duke implementuar një projekt, që sjell risi në qytetin e Tiranës. Bëhet fjalë për nismën ‘BiblioTech’, e cila do të shndërrojë bibliotekat e lagjeve në inkubatorë të teknologjisë.

Për të mësuar më shumë rreth këtij projekti, risive që sjell dhe mënyrës sesi do të funksionojë, BusinessMag zhvilloi një intervistë me Faola Hodaj, e cila është menaxhere e projektit.

Si lindi ideja e projektit BiblioTech?

Bazuar në gjetje dhe raporte mbi përdorimin e internetit në Shqipëri, rezulton se hendeku i përvetësimit dhe aftësive digjitale mes prindërve dhe fëmijëve është i madh. Sondazhet gjithashtu tregojnë se vështirësitë që hasin prindërit në fushën e teknologjisë i bëjnë më pak të ndërgegjshëm mbi rreziqet që mund të hasin fëmijët gjatë kërkimit në internet. Për më tepër, ekziston një hendek gjinor në fushën digjitale. Meshkujt janë relativisht më të prirur të studiojnë dhe punojnë në fushën e ICT-së, si edhe të jenë ndërtues platformash apo aplikacionesh.

Në këtë kontekst lindi ideja e Bibliotech. Jemi një ekip njerëzish që besojnë se komuniteti ka nevojë për hapësira publike, të cilat ofrojnë infrastrukturë teknologjike. Të rinjtë kanë aftësi të jashtëzakonshme dhe kanë mundësinë të shkollohen dhe të trajnohen në shkolla të mira për t’u bërë sipërmarrësit dhe profesionistët që i duhen vendit.

Tirana ka zhvillim të madh dhe ekosistemi i sipërmarrjes është në rritje. Bibliotekat e qytetit kanë marrë zhvillim infrastrukturor, por do të ishte vlerë e shtuar për to që të kishin edhe një kalendar aktivitetesh në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

Cili do të jetë roli i këtyre bibliotekave?

BiblioTech do të ketë një rol mbështetës për komunitetin. Kjo është një nismë e qëndrueshme, e cila do të mbështesë zhvillimin e ideve dhe projekteve teknologjike. BiblioTech synon të bashkojë të gjithë të apasionuarit e teknologjisë dhe inovacionit në këto ambiente, duke ofruar jo vetëm hapësira pune por edhe trajnime dhe aktivitete informuese.

Në cilat biblioteka do të implementohet projekti?

Projekti do të implementohet në katër biblioteka të qytetit, përkatësisht biblioteka “Musine Kokalari” (njësia 7), “Hamit Beqja” (njësia 8), “Misto Treska” (njësia 10) dhe “Aleksandër Moisiu” (njësia 4).

Kush mund të ketë akses në këto biblioteka?

Do të doja që bibliotekat të ishin një hapësirë ku të gjithë grupmoshat të ndihen të lirshëm dhe më e rëndësishmja të mësojnë gjëra të reja. Të rinjtë, studentët, profesionistët e fushës dhe çdo i apasionuar në fushën e teknologjisë do të ketë mundësinë të ndjekë sesionet e trajnimit që do të ketë kalendari i bibliotekave. Po gjithashtu mirëpresim ide për aktivitete të reja. Bibliotekat nuk mirëpresin veç studentë apo të rinj të interesuar në teknologji dhe inovacion: artistët e rinj, të rinj të talentuar kanë hapësirën për të zhvilluar pasionet e tyre.

Cilat janë risitë, që sjell ky projekt?

BiblioTech vjen nën sloganin Friendly WiFi, që do të thotë se përdoruesit janë të mbrojtur nga shfaqja e përmbajtjeve të papërshtatshme dhe abuzive, që qarkullojnë shpesh në internet. Përmes Friendly WiFi e cila është një nismë e ngritur dhe implementuar në Tiranë nga Bashkia, pajisjet e përdorura në hapësirat e mbuluara me këtë shërbim do të kenë një filtër, që ofron siguri, gjatë lundrimit në internet.

Si do të funksionojë mirëbajtja e këtyre ambienteve?

Bibliotekat do të kenë staf përgjegjës të trajnuar, të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e pajisjeve si edhe për të ndihmuar të gjithë ata që i frekuentojnë. Gjithashtu, ata do të ndihmojnë qytetarët në rastet kur do të hasin vështirësi në përdorim.

Kur do të lançohet BiblioTech?

Lançimi është planifikuar në muajin shtator. Mund të kemi ndryshime vetëm në rast të përkeqësimit të situatës, për shkak të pandemisë COVID-19.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0