Një qendër kursesh ndryshe nga të tjerat vjen së shpejti në Tiranë

Një qendër kursesh ndryshe nga të tjerat vjen së shpejti në Tiranë


Në datat 18-19 Nëntor 2017 në kuadër të javës globale të sipërmarrjes, “Globe Tik & Language Education” organizoi edicionin e dytë të “The steps for creating a successful business”, në Tiranë. Këtij konkursi iu bashkuan shumë të rinj, të cilët ndanë dhe diskutuan idetë e tyre inovatore të biznesit me njëri-tjetrin dhe jurinë. Business Magazine Albania duke qenë gjithmonë mbështetëse e organizimeve të tilla ndoqi këtë aktivitet me shumë interes përgjatë të 2 ditëve. Xhemal Kodragjini ishte fituesi i çmimit të tretë të këtij konkursi, me të cilin zhvilluam një intervistë, për të mësuar më shumë rreth idesë së tij.

BM – Përshëndetje! Së pari a mund të bësh një prezantim të vetes: emër, mbiemër, mosha, arsimi ‎që po ndjek momentalisht.

XH – Përshëndetje! Unë quhem Xhemal Kodragjini, jam 19 vjeç dhe sapo kam filluar studimet Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike.

BM – Si të lindi ideja e hapjes së një qendre kursesh por ndryshe nga ato me çfarë mund të jemi përballur të gjithë?

XH – Gjithçka ka nisur rastësisht. Shokët e mi, shumica prej të cilëve synonin të studionin jashtë, kishin dhënë provimin për njohjen e gjuhës angleze. Në bisedë e sipër, dëgjoj se ata nuk kishin dalë të kënaqur nga ky provim, duke qenë se nuk kishin arritur rezultate të larta dhe fajin nuk e shihnin te vetja. Kështu, mendova të studioj situatën, ç’kishte ndodhur vërtetë dhe cili ishte problemi. Pasi kërkova informacione në disa qendra kursesh, bisedova me shumë studentë që kishin dhënë këtë provim, arrita në një konkluzion: këta studentë ishin përgatitur sipas një metode me probleme. Duke qenë se studimi ishte fokusuar në tekste mësimore standarde, ku fokusi ishte te gramatika dhe leximi i teksteve të shkurtra, studentët kishin probleme në dy seksionet kryesore: dëgjimi dhe të folurit.

Pas disa mini-studimesh, arrita të përpiloj një metodë, që mu duk efikase, e cila rezultoi të ishte ndryshe nga metodat që përdoren aktualisht në qendrat prestigjioze të qytetit të Tiranës.

BM – Na trego më shumë rreth mënyrës se si do të organizohet kjo qendër kursesh ? Çfarë do të ketë ndryshe ajo?

XH – Çdo seancë në këtë qendër do të jetë e ndryshme dhe do të fokusohet në një aspekt të gjuhës, psh. një ditë studenti do të mësojë më tepër dhe do të përqëndrohet në të shkruarin e gjuhës angleze, letrat, esetë, etj. Një seancë tjetër do të shërbejë për aftësinë e të dëgjuarit (dialogje të ndryshme, biseda, prezantime, etj).

Gjithashtu, studentët do të kenë mundësi të diskutojnë së bashku rreth librave që do të kenë lexuar paraprakisht, ose filmave të preferuar. Kjo do t’i ndihmojë të aftësohen në artikulimin e gjuhës angleze.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

BM – Çfarë është ajo që të nevojitet në vazhdim? Mbështetje financiare, këshillues biznesi, tjetër?

XH – Mendoj se kjo ide nuk ka nevojë vetëm për mbështetje financiare apo logjistike. Jam në kërkim të mësuesve që do të bëhen pjesë e qendrës dhe kurseve, duke qenë se ata do të jenë aseti kryesor që do të ndikojnë në suksesin e qendrës.

Një specialist i fushës së edukimit, gjithashtu, do të më ndihmonte të qartësoja edhe më tepër idenë, të shikoja për përmirësime të mundshme të idesë, etj.

BM – Cilat ishin pritshmëritë e tua nga aktiviteti? Si do ta përshkruaje këtë përvojë?

XH – Të them të drejtën, kur aplikova kisha besimin se ideja ime kishte diçka të veçantë (qëllimin për të cilin ajo ishte krijuar), por nuk e mendoja se do isha unë një ndër fituesit. Fakti që isha shumë i ri, dega për të cilën studioj (që nuk lidhet shumë me botën e biznesit), e shumë gjera të tjera më bënin të dyshoja.

Por, përtej çmimit, mendoj që kjo eksperiencë më ka ndihmuar të qartësoj idenë time dhe të besoj në të. Gjithashtu, gjatë aktivitetit u njohëm me njerëz të rëndësishëm të biznesit, ekspertë marketingu, biznesmenë, gazetarë, me të cilët krijuam njohje. Me disa prej tyre arritëm edhe në marrëveshje bashkëpunimi.

BM – Si e mendon të ardhmen e biznesit tënd? Çfarë dëshiron të realizosh gjatë vitit të ardhshëm?

XH – Qëllimi i qendrës, ndihma për studentët sa i përket gjuhës angleze, më bën të mendoj për ta vënë në jetë e për ta zhvilluar më tepër.

Kuptohet, kërkon edhe një lloj investimi kohor dhe impenjim nga ana ime. Synimi im është që qendra të hapet dhe pse jo të ketë shtrirje në disa zona të ndryshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe më gjerë. Por, gjithçka do ta vendosë koha, puna dhe suksesi i qendrës.

Për 2018? Më mirë nuk po flas, le të mbetet surprizë. Kur qendra të jetë gati, ju do keni ekskluzivitetin për ta mësuar lajmin (qesh).

BM – Faleminderit për intervistën Xhemal, të urojmë shumë suksese!

/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi është të shkosh nga dështimi në dështim, pa e humbur entuziazmin.”
— Uinston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0