Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli një tarifë të re prej 20% ndaj Bashkimit Evropian, duke shkaktuar reagime të ashpra nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kryetarja e BE-së e quajti këtë një goditje të madhe për ekonominë globale dhe paralajmëroi se pasojat “do të jenë të rënda për miliona njerëz.”
“Çmimet e ushqimeve, transportit dhe ilaçeve do të rriten,” tha ajo, duke theksuar se kjo do të prekë në veçanti qytetarët më të cenueshëm.
Von der Leyen pranoi se sistemi tregtar global ka “mangësi serioze” dhe u shpreh se BE-ja është e gatshme të negociojë me SHBA-në, por është gjithashtu e përgatitur të përgjigjet me masa ndëshkuese.
Reagime ndërkombëtare
Deklarata e Trump u prit fillimisht me reagime të maturuara nga partnerët kryesorë tregtarë, duke reflektuar mungesën e dëshirës për një luftë të plotë tregtare.
Trump e prezantoi tarifën si një taksë mbi importet, të cilën e quajti “tarifa reciproke,” me një gamë që varion nga 10% deri në 49%. Ai argumentoi se SHBA-ja po bën ndaj partnerëve të saj tregtarë atë që, sipas tij, ata i kanë bërë SHBA-së për dekada.
“Taksa-paguesit amerikanë janë shfrytëzuar për më shumë se 50 vjet,” tha ai. “Por kjo nuk do të ndodhë më.”
Presidenti premtoi se këto masa do të sjellin kthimin e vendeve të punës dhe fabrikave në SHBA, duke e paraqitur çështjen jo vetëm si një problem ekonomik, por edhe si një çështje të sigurisë kombëtare që kërcënon “vetë mënyrën tonë të jetesës.”
Lexo edhe:Elon Musk largohet nga ekipi i Trump? Çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje?
Tregjet financiare dhe reagimet globale
Tregjet financiare reaguan me shqetësim: kontratat e së ardhmes për aksionet amerikane ranë deri në 3% të enjten në mëngjes, ndërsa tregjet aziatike, me Tokion në krye, shënuan humbje. Çmimi i naftës ra me mbi 2 dollarë për fuçi dhe vlera e Bitcoin-it u ul me 4.4%.
Liderët ndërkombëtarë reaguan me kujdes, por të vendosur. Britania e Madhe e quajti SHBA-në “aleatin më të afërt,” ndërsa Sekretari britanik i Biznesit, Jonathan Reynolds, tha se vendi i tij do të kërkojë një marrëveshje tregtare për të zbutur ndikimin e tarifave.
- Italia, përmes kryeministres Giorgia Meloni, e quajti tarifën 20% ndaj BE-së “të gabuar” dhe u shpreh se do të punojë për një marrëveshje që të shmanget një luftë tregtare.
- Brazili po shqyrton ta çojë çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe Kongresi brazilian miratoi një ligj për reciprocitetin, duke i dhënë qeverisë të drejtën për të vendosur kundërmasa ndaj vendeve që vendosin tarifa mbi mallrat braziliane.
Reagimet e Azisë
Vendet aziatike, ndër eksportuesit më të mëdhenj drejt SHBA-së, shprehën shqetësim dhe u zotuan të ndihmojnë bizneset e tyre.
- Koreja e Jugut urdhëroi analizën e ndikimit të tarifave dhe mënyrat për të minimizuar dëmin ekonomik.
- Kina paralajmëroi kundërmasa të forta, por nuk dha detaje konkrete. Ajo ka përdorur më parë tarifa mbi produktet bujqësore amerikane dhe ka kufizuar eksportin e mineraleve strategjike.
- Australia e kritikoi tarifën dhe kryeministri Anthony Albanese tha se SHBA-ja po vepron në mënyrë të padrejtë, duke argumentuar se marrëveshja tregtare mes dy vendeve nuk justifikon këtë masë.
Meksika dhe Kanadaja
Meksika dhe Kanadaja, të cilat kanë një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-në, u kursyen për momentin nga tarifat më të fundit, por tarifat 25% mbi importet e automjeteve do të hyjë në fuqi mesnatën e së enjtes.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u shpreh se vendi i saj do të analizojë ndikimin e masës para se të marrë ndonjë vendim.
Çfarë pritet të ndodhë?
Ekspertët paralajmërojnë se një luftë tregtare e shkallës së gjerë nuk do të sjellë përfitime as për SHBA-në dhe as për partnerët e saj tregtarë.
Matteo Villa, analist në Institutin Italian për Studime Politike Ndërkombëtare, tha:
“Trump po e vë Europën përballë një udhëkryqi. Nëse ai i zbaton vërtet këto tarifa të larta, BE-ja do të duhet të përgjigjet, por paradoksi është se do të ishte më mirë të mos bënte asgjë.”
Megjithatë, ai shtoi se Trump duket se kupton vetëm gjuhën e forcës, ndaj BE-ja duhet të përgjigjet fuqishëm për ta detyruar atë të negociojë dhe, eventualisht, të tërhiqet.
Burimi: Euronews.com / Përshtati: Businesmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.