Rreth 40 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me HIV. Edhe pse trajtimet moderne kanë bërë që infeksioni të mos jetë më një dënim me vdekje, një kurë e plotë mbetet ende jashtë kapjes së shkencës. Aktualisht, personat HIV-pozitivë duhet të marrin përgjithmonë një kombinim ilaçesh antiretrovirale.
Por këtë vit, shkencëtarët raportuan një përparim që sugjeron se një “kurë funksionale” për HIV-in, pra një mënyrë për ta mbajtur virusin nën kontroll për një kohë të gjatë pa terapi të vazhdueshme, mund të jetë realisht e arritshme. Në dy studime të pavarura, pjesëmarrësit që morën infuzione me antitrupa të modifikuar gjenetikisht qëndruan të shëndetshëm, duke mos pasur nevojë të ktheheshin në trajtimet antiretrovirale edhe shumë kohë pasi ndërhyrjet mbaruan.
Dy prova klinike që po ndryshojnë perspektivën
Në studimin FRESH, i udhëhequr nga virologu Thumbi Ndung’u në Universitetin e KwaZulu-Natal dhe Africa Health Research Institute në Afrikën e Jugut, 4 nga 20 pjesëmarrës mbajtën nivele të padetektueshme të HIV-it për një mesatare prej 1.5 vitesh, pa përdorur antiretrovirale. Në studimin tjetër, RIO, zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkë nga studiuesja Sarah Fidler e Imperial College London, 6 nga 34 pjesëmarrës e kanë mbajtur virusin nën kontroll për të paktën dy vite. Këto rezultate historike tregojnë se sistemi imunitar mund të “shtyhet” të luftojë HIV-in në mënyrë efektive. Tani shkencëtarët po përgatiten për studime më të mëdha për të testuar nëse antitrupat mund të funksionojnë te një grup më i gjerë njerëzish. “Sinqerisht, besoj se ky trajtim mund të ndryshojë lojën,” thotë Fidler, “sepse janë ilaçe me veprim të gjatë – efektet e tyre mund të zgjasin edhe pasi vetë ilaçi nuk është më në trup. Deri tani nuk kemi parë diçka që funksionon në këtë mënyrë.”
Pse kërkohet një zgjidhje e re?
Edhe pse njerëzit me HIV mund të jetojnë gjatë dhe shëndetshëm me terapi antiretrovirale, jetëgjatësia e tyre mesatare mbetet më e ulët se ajo e popullatës së përgjithshme. Për më tepër, trajtimi ditor ose injeksionet mujore sjellin sfida financiare, sociale dhe psikologjike, përfshirë stigmën. Kërkimi i një kure funksionale është penguar nga aftësia e HIV-it për t’u “maskuar”. Virusi evoluon kaq shpejt, sa sistemi imunitar nuk arrin të prodhojë antitrupa të rinj me shpejtësinë e nevojshme. Për më tepër, një pjesë e HIV-it fshihet në qeliza në gjendje të fjetur, duke u bërë i padukshëm për imunitetin.
Shpresa vjen nga një fenomen i rrallë biologjik
Disa individë me HIV afatgjatë arrijnë të prodhojnë vetë antitrupa jashtëzakonisht të fuqishëm që neutralizojnë virusin, por zakonisht shumë vonë për ta eliminuar atë plotësisht. Këta quhen antitrupa gjerësisht neutralizues (bNAbs) dhe shkencëtarët po përpiqen t’i përdorin si bazë për një kurë funksionale. Studimet FRESH dhe RIO janë deri tani përpjekjet më premtuese.
Si funksionuan studimet?
Të dy studimet përdorën dy antitrupa të ndryshëm, për të ulur gjasat që HIV-i të zhvillonte rezistencë. Pjesëmarrësit morën injeksione me antitrupa të modifikuar për të qëndruar rreth 6 muaj në trup. Më pas, trajtimi i tyre antiretroviral u ndalua. Qëllimi ishte që antitrupat të bashkëpunonin me sistemin imunitar, duke shkatërruar virusin aktiv. Nëse efekti nuk do të zgjaste, virusi do të rritej sërish dhe pacientët do të ktheheshin në terapi. Por rezultatet treguan diçka më të habitshme: te disa njerëz efekti u kthye në një përgjigje të pavarur imunitare, të ngjashme me atë të vaksinave.
Rezultatet e RIO: një përgjigje imunitare që zgjat
- 22 nga 34 pjesëmarrës nuk patën rikthim të virusit pas 20 javësh.
- Atëherë morën një tjetër injeksion me antitrupa.
- Pas më shumë se 96 javësh, 6 pjesëmarrës mbetën pa rikthim, edhe pse antitrupat kishin dalë prej kohësh nga trupi.
Në grupin e kontrollit (që mori vetëm solucion fiziologjik), shumica duhej të rifillonin trajtimin brenda 4–6 javësh.
Lexo edhe: Robotët në gjak që mund të revolucionarizojnë trajtimin mjekësor
Rezultatet e FRESH: një qasje për të “zgjuar” virusin e fshehur
Nga 20 pjesëmarrës:
- 6 mbajtën nën kontroll virusin për 48 javë.
- 4 prej tyre qëndruan të pa trajtuar për më shumë se një vit.
- Një pjesëmarrëse apo pjesëmarrës vazhdon të mos ketë nevojë për terapi 2.5 vite pas ndërhyrjes.
FRESH përdori gjithashtu një ilaç shtesë, vesatolimod, i cili ka për qëllim të “shkundë” HIV-in e fshehur, në mënyrë që antitrupat dhe sistemi imunitar të mund ta shkatërrojnë.
Një përgjigje e ngjashme me “kontrolluesit elitarë”
Një përqindje shumë e vogël (më pak se 1%) e njerëzve me HIV e mbajnë virusin nën kontroll pa ilaçe. Studimet FRESH dhe RIO tregojnë se kjo gjendje mund të arrihet edhe në mënyrë të induktuar.
Antitrupat ndihmojnë:
- të shënjojnë qelizat e infektuara që të shkatërrohen nga sistemi imunitar,
- të aktivizojnë qelizat CD8+ T, të cilat gjuajnë qelizat e infektuara,
- të krijojnë një “kujtesë imunitare” që vazhdon edhe pasi antitrupat zhduken.
Çfarë pritet më pas?
Studimet janë ende të vogla dhe nuk mund të thonë me siguri se pjesëmarrësit janë “të kuruar”. Por provat janë të forta se trupi mund të mësohet të mbajë nën kontroll HIV-in.
FRESH dhe RIO kanë hapur rrugën për faza të reja kërkimore:
- Ndung’u synon të zhvillojë një provë më të madhe në Afrikën e Jugut, që të përfshijë edhe persona të infektuar kronikisht.
- Fidler po kërkon pjesëmarrës për fazën tjetër të RIO, për të testuar nëse një pauzë më e gjatë para injeksioneve mund të forcojë më shumë përgjigjen imunitare.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.