Nga María Fernanda Espinosa dhe Anita Bhatia* – Konferenca e Katërt Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit (FfD4) po zhvillohet në një moment kur krizat e borxhit po përshkallëzohen, varfëria po rritet, siguria ushqimore po përkeqësohet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike po përhapen me shpejtësi. Të gjitha këto kriza përkeqësohen nga uljet e ndjeshme në ndihmën zyrtare për zhvillim (ODA), dhe ndikimi i tyre bie në mënyrë disproporcionale mbi gratë dhe vajzat, veçanërisht në vendet në zhvillim.Sot, pothuajse gjysma e njerëzimit, 3.4 miliardë vetë jetojnë në vende që shpenzojnë më shumë të ardhura për të shlyer interesat e borxheve sesa për arsim dhe shëndetësi. Mungesa e investimeve në këto fusha minon drejtpërdrejt mundësitë ekonomike për gratë dhe vajzat. Për më tepër, vetëm 5% e ODA-së shkon për programe që kanë barazinë gjinore si objektiv parësor.
Mundësitë e grave për të përmirësuar pozitën e tyre ekonomike janë të kufizuara, kryesisht për shkak të mungesës së qasjes në financa. Hendeku financiar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që drejtohen nga gra vlerësohet në 1.7 trilionë dollarë. Gratë që drejtojnë biznese të mesme, përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar kapital zhvillimi dhe kapital operativ për nevojat e përditshme. Rreth 740 milionë gra në mbarë botën nuk kanë qasje as në një llogari bankare.
Situata përkeqësohet edhe nga mungesa e barazisë në qasjen ndaj internetit, që është thelbësore për edukimin financiar dhe digjital. Një tjetër pengesë e madhe është fakti që gratë vazhdojnë të kalojnë një pjesë disproporcionale të kohës duke kryer punë kujdesi të papaguar që, nëse do të paguhej siç duhet, do t’i shtonte të paktën 10.8 trilionë dollarë në vit ekonomisë globale. Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është vetëm 47%, krahasuar me 72% për burrat.
Lexo edhe: Indeksi, Shqipëria me cilësinë më të keqe të jetesës në Europë
Këto probleme rrezikojnë të thellohen. Për shembull, algoritmet që qëndrojnë pas mjeteve të inteligjencës artificiale, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë për të vlerësuar kreditueshmërinë apo për të marrë vendime punësimi, mund të vazhdojnë të riprodhojnë paragjykimet ekzistuese. Ndërkohë, shumë ekonomi në zhvillim do ta kenë të vështirë të krijojnë vende të mjaftueshme pune për popullsinë e re që po rritet: brenda dekadës së ardhshme, 1.2 miliardë persona do të arrijnë moshën e punës, por pritet të krijohen vetëm 420 milionë vende pune. Gratë e reja janë më të rrezikuara për t’u lënë jashtë. Me ritmin aktual të progresit, do të duhen 134 vjet për të mbyllur hendekun global të pagës gjinore.
Ekziston tashmë një bazë e madhe provash që tregon se të gjithë humbasin kur gratë dhe vajzat nuk pajisen me mjetet dhe mundësitë për të arritur potencialin e tyre. Ekonomitë në Afrikën Sub-Sahariane humbasin 210 miliardë dollarë çdo vit – më shumë se 10% e PBB-së së rajonit – si pasojë e braktisjes së shkollës nga vajzat. Vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare mund të humbasin 500 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme nëse dështojnë të mbyllin hendekun gjinor në qasjen dhe përdorimin e internetit. Studimet gjithashtu tregojnë se qasjet që marrin parasysh dimensionin gjinor rrisin ndjeshëm efektivitetin e financimeve për përshtatje ndaj klimës. Në tërësi, investimi në barazinë gjinore mund të rrisë PBB-në globale me më shumë se 20%.
Konferenca FfD4 përbën një mundësi të rëndësishme për të ndërtuar një arkitekturë globale financiare që zgjeron qasjen e grave në financa, rrit pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore dhe kontribuon në një mirëqenie të përbashkët. Nëse bëhet siç duhet, ky proces mund të përfshijë energjinë e të rinjve dhe të shfrytëzojë në maksimum teknologjitë e reja.
Ka arsye për të shpresuar. Dokumenti përfundimtar i FfD4, “Compromiso de Sevilla”, i miratuar të hënën në ditën e parë të konferencës përfshin angazhime për barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, përmes zhdukjes së varfërisë, promovimit të sipërmarrjes femërore dhe qasjes së barabartë në shërbime financiare.
Por angazhimet janë vetëm fillimi; për të arritur përparim real, do të jetë thelbësor një kornizë e fortë zbatimi dhe përgjegjësie. Platforma e Veprimit e Seviljes që do të mobilizojë partneritete ndërmjet qeverive, organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat për të çuar përpara iniciativa konkrete është një hap premtues në këtë drejtim.
Disa iniciativa të tilla premtuese janë tashmë në zhvillim si pjesë e kësaj platforme. Një prej tyre “Investimi në Kujdes për Barazi dhe Mirëqenie: Një Nismë Globale për Financim të Zhvillimit me Ndjeshmëri Gjinore” – synon të zgjerojë investimet me ndikim në politikat e kujdesit, infrastrukturën dhe shërbimet. Për shembull, partneritetet me sektorin privat do të fokusohen në ofrimin e politikave mbështetëse në vendin e punës dhe kushteve të denja për punonjësit e kujdesit, ndërsa partneritetet me institucionet financiare do të shtyjnë përpara investimet në infrastrukturën e kujdesit. Kjo nismë drejtohet nga një grup i vogël vendesh dhe organizatash të shoqërisë civile, dhe është përkrahur nga shumë të tjera, përfshirë edhe organizatën tonë, GWL Voices.
Këto iniciativa kanë potencial të madh për të çuar përpara barazinë gjinore. Por mbyllja e hendekut gjinor do të kërkojë që politikat të shihen përmes një optike gjinore – sidomos në fushën e financave. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse gratë janë të pranishme në tryezat e vendimmarrjes.
Aktualisht, gratë janë ende të nënpërfaqësuara në majat e institucioneve ndërkombëtare financiare dhe në pozicionet drejtuese në institucionet publike që merren me financa. Në vitin 2023, vetëm 26 prej 190 vendeve anëtare të FMN-së kishin ministre financash gra, dhe vetëm 23 banka qendrore drejtoheshin nga gra (ndërsa në 2024 numri u rrit në 29). Shumë ministri financash, banka qendrore dhe institucione ndërkombëtare financiare nuk kanë pasur kurrë një grua në krye.
Komuniteti i zhvillimit duhet të përballet drejtpërdrejt me barrierat strukturore që hasin gratë, në FfD4 dhe përtej. Kjo nuk është thjesht një detyrë morale është një strategji e zgjuar ekonomike. Koha për të investuar te gratë dhe vajzat është tani.
*María Fernanda Espinosa është ish-ministre e jashtme e Ekuadorit dhe ish-presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Aktualisht, ajo është drejtoreshë ekzekutive e GWL Voices dhe bashkëkryetare e projektit për Faljen e Borxhit për një Rimëkëmbje të Gjelbër dhe Përfshirëse.
Anita Bhatia është anëtare e GWL Voices, ish-zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e UN Women dhe ish-ndihmëssekretare e përgjithshme e OKB-së.
© Project Syndicate, 2025. www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto