Nga Shqipëria në SHBA, rrëfimi i Mea Matës për marketingun dhe brand-et globale - Business Magazine Albania

Nga Shqipëria në SHBA, rrëfimi i Mea Matës për marketingun dhe brand-et globale

Nga Fatima GoreziMea Mata është studentja shqiptare që po shkëlqen në Boston University. E lindur dhe e rritur në Tiranë, ajo ka udhëtuar nëpër qytete të ndryshme evropiane për të eksploruar botën e marketingut digjital, PR-it dhe të mediave sociale. Me talent dhe kuriozitet të veçantë, Mea është drejtuese e përmbajtjes në STRIKE Magazine. Si një vajzë e kultivuar dhe qytetare globale, ajo na tregon në këtë intervistë se PR-i nuk është thjesht komunikim, por një art dhe strategji e menduar me kujdes. Rrëfimi i saj ofron një udhëtim inspirues për këdo që dëshiron të kuptojë Shqipërinë, Amerikën, botën e markave dhe politikën, përmes syve të një 20-vjeçareje.

Pse zgjodhët të studionit Marketing dhe Marrëdhenie me Publikun? Ishte një dëshirë personale, një vendim i ndikuar nga të tjerët, apo nga tregu i punës?

Familja më ka mësuar se, cilëndo degë të zgjedhësh, e rëndësishme është ta duash. Unë kam filluar herët, edhe pa e ditur, të isha pjesë e botës së PR-it. Fillova të postoja në mediat e mia sociale dhe prej aty u krijua një tip biznesi ku ndihmoja edhe brand-et e tjera të rriteshin, sepse marketingu digjital më vinte natyrshëm. Kur shkova në universitet, mendova se do të vazhdoja me marketingun, derisa pata një bisedë me një nga zyshat e mia të preferuara atje, Daiana, e cila më tha: “Bëj çfarë të duash, por unë mendoj se duhet të jesh pjesë e PR-it.”

PR-in nuk e kisha menduar më parë, pasi shpesh ka edhe shumë keqkuptime rreth tij. Shumë njerëz mendojnë se është thjesht social media; në fakt, është më shumë se sa perceptimi që njerëzit kanë për brand-in tuaj. Ndryshe nga marketingu, ku fokusi është tek produkti dhe si ta ekspozosh, PR-i i mirë është ai që nuk duket si i tillë, që influencon pa u vënë re. Për shembull, Nike me sloganin “JUST DO IT” është një brand që duket shumë atletik, pa e tepruar.

Duke përmendur Nike, cilat janë ato brand-e që mendoni se mbajnë kurorën e PR-it më të mirë në botë? Duket se mediat sociale e kanë shtuar shumë fuqinë e PR-it, por gjithashtu e kanë ngarkuar me përgjegjësi më të madhe. Kjo do të thotë se PR-i duhet të jetë më i rafinuar, më elegant dhe nga ana tjetër rrjeti e ka shtuar përgjegjësinë e korporatave dhe organizatave ndaj konsumatorëve. 

Unë do të veçoja Nike si shembull. Në fillim kemi pasur një bazë më të fortë në psikologji, ndërkohë që së fundmi po studiojmë gjithnjë e më shumë edhe ligjet dhe aspektet legale që lidhen me markën. PR-i është shumë kreativ dhe i bukur, por çdo gjë e bukur ka limitet dhe kornizat e veta që duhet të respektohen. Jam shumë dakord që vitet e fundit brand-et janë bërë më sensitive dhe më përgjegjëse për ndikimin e tyre.

Ju jeni një vajzë e kultivuar, studioni në Boston, keni kryer disa intershipe në Britani dhe Europë, jeni një qytetare globale do të thoja. Si e shikoni tregun e kompanive shqiptare? Bëjnë PR të mirë, të suksesshëm? Janë në një linjë me kompanitë ndërkombëtare?

Ka brand-e që bëjnë PR të mirë, brand-e që shpenzojnë shumë, por kanë një skuadër që nuk kupton vizionin dhe fatkeqësisht kjo mund të shkatërrojë punën e krijuar. Mendoj se Vodafone, Balfin dhe IQOS bëjnë një prezantim shumë të mirë. Problemi në Shqipëri është se ka njerëz që mendojnë se mund ta bëjnë vetë gjithçka. Ka edhe brand-e që i kam pasur shumë për zemër dhe jam përpjekur t’i ndihmoj, por nuk është kuptuar vullneti im. Ndaj them se është e rëndësishme që njeriu të mos bëjë gjithçka vetë, por të ngrihet mbi veten dhe të mendojë se si ta nxjerrë më të mirën për brand-in.

Lexo edhe: Ish-CEO i Google, Eric Schmidt paralajmëron: SHBA mund të humbasë garën për AI ndaj Kinës

Duke folur pak për shqiptarët, Boston University është padyshim një universitet multietnik. Si jeni gjendur ju si shqiptare aty? Çfarë mendoni se na bën ne shqiptarët unik?

Mendoj se çdo i ri, kur është nën 18 vjeç, ka atë dëshirën për të ikur nga Shqipëria. Pastaj, kur je larg, dashuria për Shqipërinë rritet. Është e vërtetë që kemi shumë punë për të bërë si vend, por kemi një zemër të madhe, mikëpritje dhe kulturë; diçka që, për mua, nuk e gjen në Amerikë. Amerika është një vend shumë individualist dhe njerëzit janë shumë egoistë. Kapitalizëm i pastër: ose do hash, ose do lësh të të hanë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët që janë në Boston dhe New York; bisedat me ta më shuajnë mallin për Shqipërinë. Gjëja që më merr malli më shumë nga Shqipëria është se pas punës dalim, pimë diçka, shoqërohemi me njerëz, një dukuri që në Amerikë nuk e gjen, sidomos gjatë javës; nuk është e kultivuar mendësia që mund të të mjaftojë kohë për të dalë. Unë muhabetet më të bukura me shoqet e mia i kam gjithmonë diku tek një kafe në Bllok. (Qesh). Në Shqipëri është e bukur që njerëzit rrinë me njëri-tjetrin edhe pse mund të jenë të ndryshëm në fe apo tradita etj. Kjo na bën unik dhe shumë qytetarë.

Aktulisht ju jeni përgjegjëse për përmbajtjen në STRIKE Magazine? Si erdhi ky angazhim?

STRIKE Magazine është e vetmja dhe më e madhja revistë e bërë për studentët në zonën e Massachusetts. Këtë vit kam fatin të jem përgjegjëse për content-in dhe do të kem pesë vetë për t’i udhëhequr. Përvojën në STRIKE e nisa vitin e kaluar si një nga këto pesë vetë dhe këtë vit jam në lead. E përqafova menjëherë si ide, sepse kam lexuar shumë për të, është në disa vende në SHBA. Është një revistë që bashkon nxënës që kanë të njëjtat mendësi për botën e fashion-it; ka diskutime, opinione, trajtim të temave më të nxehta. Çdo nxënës ka mundësinë të shprehë opinionin e vet. Më pëlqen shumë si klub. Aty puna ime merr formë nëse do jem thjesht një person tjetër në social media që poston si 6 billion apo do të bëj një diferencë.

Si gazetare, më vjen shumë mirë kur shoh vazhdimësi të medias print. Ju e prekët pak më parë se në këtë revistë elaborohen mendime të ndryshme. Çfarë mendojnë 20-vjeçarët e sotëm, në Shqipëri apo në Amerikë, çfarë interesash kanë?

Për momentin, një interes i madh është politika, sidomos pas zgjedhjeve të reja ku doli fitues Trump. Në revistë kemi trajtuar disa tema, duke nisur që nga aborti, të drejtat e njeriut, pikepamja që Trump ka për martesat mes të njëjtës gjini, etj. Boston është një qytet shumë i hapur dhe të gjitha zhvillimet e politikës së Trump ishin shumë të dukshme në revistë. Nëse vitin e kaluar kishim shumë art, këtë vit pati shumë diskutime për politikën, por edhe mbi inteligjencën artificiale. Po ashtu, edhe vështirësia për të dalë në tregun e punës është një diskutim i flaktë, sidomos kur je student ndërkombëtar. Kjo ka bërë që mendësia dhe ideja e të bërit sa më shumë internship-e të forcohet.

Duket sikur Trump është bërë një personazh edhe influencer; bëhet kudo kryefjalë botërore. Ekonomia globale dhe europiane duket sikur është bërë kaq e lidhur me figurën e tij.  Ju jetoni në SHBA dhe me siguri e keni një lloj perceptimi. Kam një pyetje që më rrjedh natyrshëm: A është Amerika sot great again?

Mendoj se Amerika është great; dua të them e tillë është në sytë e mi. Unë e quaj veten me fat për faktin se prindërit më mundësuan të studioj atje, me universitetin që është ndër më të mirët, me zyshat dhe profesorët që më ndihmojnë dhe ofrojnë një network të shkëlqyer. Pra, për mua Amerika është great

Flasim pak edhe për social media, që janë të përfshira edhe në studimet tuaja, por edhe në atë që po beni me STRIKE Magazine. Cilat janë trendet e social media sot?

Unë e nisa studimin e PR-it vitin e kaluar dhe është e çuditshme sesi gjithçka ka ndryshuar në një vit. Vitin e kaluar, media sociale shihej si pjesë e studimeve, si një zgjatim i kanaleve të marketingut; ndërsa tani është qëllimi kryesor. Media sociale sot krijon emocione dhe ndjesi. Nëse marrim për shembull verën që lamë pas, brand-et e mëdha ishin fokusuar shumë tek përvoja: kishin cepin e tyre në çdo beach bar, mund të merrje një shishe uji; në Londër, Prada ka kafene.

D.m.th., edhe brand-et elitare u janë afruar njerëzve në përditshmërinë e tyre? Ky është trendi.

Po. Edhe pse janë brand-e që shumica nuk mund t’i blejnë, ato kërkojnë të jenë virale, ndoshta jo me produkte, por duke krijuar një përvojë ku kushdo mund të vijë të pijë një kafe dhe ta fotografojë për Instagram. Kështu e hapin veten ndaj botës, ndaj një konsumatori që ndoshta nuk do ta blinte kurrë produktin tani, por e vlerëson dhe admiron. Njerëzit duan të jenë pjesë e diçkaje. Fuqia e komunitetit po merr gjithnjë e më shumë rendësi. 

Lexo edhe: Kristiana Capo, sipërmarrësja shqiptare në Spanjë me shpirt kreativ dhe vëmendje të veçantë për fëmijët me spektrin e autizmit

Cili është app-i më trend në SHBA kur flasim për mediat sociale? Në Shqipëri duket se paratë janë të fokusuar tek Instagrami

Mendoj se TikTok është më në zjarr se kurrë. Amerikanët e duan shumë. Kur Trump tha se do ta heqë, arritën në pikën që shkarkuan platformën kineze që ngjan me TikTok dhe pati një “inside job” për dy ditë, ku kinezët po i mësonin amerikanëve si të përdornin mediat sociale të tyre. Short form videos 20–35 sekonda janë ende mbreti, por unë shoh se YouTube do të kthehet vrullshëm, sidomos me podcast-et. Njerëzit duan content pak më të gjatë dhe informativ; duan të shohin diçka që ua zgjeron fushën e pamjes.

Më pëlqeu kjo që thatë se njerëzit po shkojnë drejt content-it më informativ…

Po, mendoj se po bëhemi më të ndërgjegjshëm për botën që jetojmë. Podcast-i im i preferuar është “Ditari i një CEO-je”, është një program që po rrit edhe më shumë ndërgjegjësimin se duhet të jemi kritikë ndaj social media. Edhe psokologët e thonë se ka një ndryshim të madh sesi një video 20 sekonda dhe një video 20 minutëshe ndikojnë në trurin tonë.

Folem kaq shumë për influencat, po cili/a ka qenë personi më influent në jetën tuaj?

Jam shumë e lidhur me familjen. Motra është shumë e rëndësishme; jemi shumë të lidhura. Mami po ashtu. Ne e themi shpesh mes nesh me motrën se mami është MAMI, energjia e shtëpisë.

Personi më influent në jetën time ka qenë dhe është babi. Kam një marrëdhënie të afërt që kur kam qenë e vogël; e kam shok të ngushtë më shumë sesa baba. Më ka ndihmuar shumë sepse më ka bërë të kuptoj se, pavarësisht gjithçkaje, shtëpia e prindërve do të jetë gjithmonë një hapësirë e sigurt për mua. Babi është gjithmonë zgjedhja ime e parë në çdo vendim e këshillë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Mëso nga e djeshmja, jeto të sotmen, shpreso për të nesërmen. E rëndësishme është të mos ndalesh së pyeturi.”
— Albert Einstein
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0