Nga partnerë në humbës, si aleanca me Trump ‘rrënoi’ pasurinë e gjigandëve të teknologjisë - Business Magazine Albania

Nga partnerë në humbës, si aleanca me Trump ‘rrënoi’ pasurinë e gjigandëve të teknologjisë

Disa nga emrat më të mëdhenj të teknologjisë në SHBA, përfshirë Mark Zuckerberg (Meta), Tim Cook (Apple), Sundar Pichai (Google), Elon Musk (Tesla) dhe Jeff Bezos (Amazon), mbështetën Presidentin Donald Trump me donacione dhe pjesëmarrje në inaugurimin e tij. Por tre muajt e parë të mandatit të tij të ri kanë rezultuar katastrofikë për pasurinë dhe kompanitë e tyre.

Sipas të dhënave të publikuara  nga Bloomberg Billionaires Index, këto kompani kanë humbur në total rreth 1.8 trilionë dollarë në vlerë tregu që nga fillimi i vitit 2025, pavarësisht një rikuperimi të lehtë të tregjeve pas pezullimit të përkohshëm të disa tarifave nga Trump.

Pasojat e tarifave

Trump kishte premtuar përfitime për teknologjinë amerikane, si lehtësim të rregulloreve dhe mbrojtje nga konkurrenca e huaj. Por tarifat e vendosura nga administrata e tij, veçanërisht ndaj Kinës, kanë sjellë jo vetëm kosto të reja për zinxhirët e furnizimit, por edhe paqartësi të madhe ekonomike. Tarifat ndaj Kinës tani do të rriten në 125%, nga 104%.

Sipas një raporti nga UBS, të ardhurat e sektorit teknologjik mund të bien deri në 25%, si rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre politikave.

Humbjet personale të miliarderëve të teknologjisë

  • Elon Musk ka qenë më i godituri, pasuria e tij është zvogëluar me 143 miliardë dollarë, ndërsa aksionet e Teslës kanë rënë me 28%, duke humbur 376.6 miliardë në kapitalizim tregu. Ai kishte dhuruar mbi 290 milionë dollarë për rizgjedhjen e Trump dhe ka qenë i përfshirë në politikat e brendshme.

  • Mark Zuckerberg, i cili kishte bërë donacione për fondin inaugurues të Trump dhe kishte emëruar figura pro-Trump në Meta, ka humbur 26.5 miliardë dollarë nga pasuria e tij. Vlera e tregut të kompanisë ra me 35.8 miliardë dollarë.

  • Jeff Bezos gjithashtu mbështeti publikisht Trump pas fitores së tij dhe Amazon kontribuoi me 1 milion dollarë në inaugurim. Por aksionet e Amazon kanë rënë me 13%, duke i shkaktuar Bezos një humbje personale prej 47.2 miliardë dollarësh.

  • Sundar Pichai (Google) gjithashtu dhuroi për fondin inaugurues dhe u takua me Trump, por aksionet e Google kanë rënë me 16.2%, duke ulur vlerën e kompanisë me 386.7 miliardë dollarë.

  • Tim Cook (Apple) dhuroi personalisht 1 milion dollarë, dhe Apple premtoi investime në SHBA që Trump i konsideroi fitore politike. Megjithatë, për shkak të varësisë së madhe nga tregjet aziatike, Apple ka humbur 684 miliardë dollarë në vlerë tregu, një rënie prej 18.5% në aksione.

Ndërsa liderët e teknologjisë dikur mendonin se afërsia me pushtetin do të sillte favore ekonomike, realiteti po tregohet i dhimbshëm. Tarifat e reja, pasiguria tregtare dhe humbjet miliardëshe kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm përfitimet afatshkurtra, por edhe vetë strategjitë e aleancave politike. Në fund të ditës, tregu nuk njeh as parti dhe as premtime, njeh vetëm bilancet.

CNN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0