Nga mbetja tek mundësia: Suksese shqiptare në ekonominë qarkulluese - Business Magazine Albania

Nga mbetja tek mundësia: Suksese shqiptare në ekonominë qarkulluese

Nga mbetja tek mundësia: Suksese shqiptare në ekonominë qarkulluese
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Çfarë ndodh kur një kavanoz bosh rikthehet në raft dhe kur një gotë birre artizanale bëhet simbol i një filozofie të re prodhimi? Episodi i parë i serisë së podcastit mbi ekonominë e gjelbër vendosi në qendër pikërisht këtë transformim të heshtur: momentin kur zgjedhjet personale shndërrohen në modele biznesi dhe kur ekonomia qarkulluese bëhet praktikë konkrete. Nën temën “Suksese në Ekonominë Qarkulluese: Si bizneset shqiptare po bëhen të gjelbra”, episodi solli dy histori që, ndonëse në sektorë të ndryshëm, ndajnë të njëjtin thelb,  kërkimin për cilësi, autenticitet dhe përgjegjësi ndaj mjedisit.

Nga nevoja personale te prodhimi me humbje zero

Marsela Gurra, themeluese e “Panja”, rrëfeu se sipërmarrja e saj lindi nga një nevojë personale për produkte cilësore pa gluten dhe pa laktozë, në një treg me oferta të kufizuara. Përvoja e saj shëndetësore, si një ndër rastet e rralla të shërimit nga skleroza multiple, u kthye në motivim për të ndërtuar një standard të ri cilësie.

Në diskutim u theksua modeli i prodhimit me “humbje zero” në linjën e qumështit të bajames, ku çdo nënprodukt ripërdoret. Po aq i rëndësishëm është sistemi i rikthimit të kavanozëve të qelqit, duke krijuar një cikël të mbyllur midis biznesit dhe konsumatorit. Ekonomia qarkulluese, në këtë rast, nuk është vetëm reduktim mbetjesh, por ndërtim besimi dhe përgjegjësie të përbashkët.

Lexo edhe: Kur ekonomia flet gjelbër!

“Birra e Gjyshit”: spontanitet, cilësi dhe diferencim

Në të njëjtin episod, Etien Zeka prezantoi historinë e “Birra e Gjyshit”, një birrë artizanale që lindi nga një përvojë personale dhe nga vëzhgimi i një boshllëku në tregun shqiptar.

“Është shumë e thjeshtë,” – u shpreh ai. Pas një periudhe jetese jashtë vendit, vendimi për t’u rikthyer në Shqipëri u shoqërua me dëshirën për të krijuar diçka autentike. Ideja lindi spontanisht, ashtu si vetë filozofia e birrës artizanale: e thjeshtë, natyrale, pa artificë.

Sipas tij, tregu shqiptar nuk ofronte një produkt artizanal cilësor që të ishte njëkohësisht i shëndetshëm për konsum, konkurrues dhe i diferencuar. “Dëshiroja një produkt që është i mirë për t’u konsumuar nga ana shëndetësore, por edhe një produkt që është i veçantë,” theksoi Etieni.

Qasja e “Birrës së Gjyshit” lidhet me ekonominë e gjelbër përmes përzgjedhjes së kujdesshme të përbërësve, prodhimit në shkallë artizanale dhe synimit për të ndërtuar një markë që mbështetet në autenticitet dhe cilësi, jo në prodhim masiv. Diferencimi në treg vjen jo nga sasia, por nga karakteri i produktit.

Ekonomia qarkulluese si avantazh konkurrues

Në panel ishte gjithashtu Alisa Mustafa, Menaxhere Projekti për Sipërmarrjen dhe Inovacionin Social në Partners Albania, e cila i vendosi këto histori në një kontekst më të gjerë. Ajo theksoi se bizneset e gjelbra dhe sipërmarrjet sociale po bëhen një pjesë e rëndësishme e ekosistemit ekonomik në Shqipëri, duke integruar praktika që mbështesin mjedisin dhe ekonominë qarkulluese.

Episodi i parë dëshmoi se tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër nuk është i rezervuar për industri të mëdha apo politika makroekonomike. Ai nis nga zgjedhje konkrete: nga mënyra si prodhohet një qumësht bajameje, nga mënyra si konceptohet një birrë artizanale, nga vendimi për të krijuar diçka ndryshe dhe më të përgjegjshme.

Seria e podcastit është prodhuar nga Business Magazine Albania me mbështetjen e Bashkimi Evropian përmes projektit EU4GreenGen, duke sjellë në vëmendje modele konkrete që po formësojnë ekonominë e gjelbër në Shqipëri.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0